1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezolutë konfuze për "mbrojtjen" e Kosovës

29 Korrik 2010

Serbia publikoi tekstin e rezolutës të cilën ia propozoi Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

https://p.dw.com/p/OXNw
Parlamenti i Serbisë ka debatuar shpesh për Kosovën
Parlamenti i Serbisë ka debatuar shpesh për KosovënFotografi: AP

Teksti i propozuar i Rezolutës është plotësisht i pranueshëm dhe e meriton mbështetjen, vlerëson për Deutsche Wellen, Nebojsha Çoviqi, ish- shefi i "Qendrës Koordinative për Kosovën dhe Metohinë" dhe nënkryetar i dikurshëm i qeverisë së Serbisë. Një dozë dileme Çoviqi e ka për pikën e dytë të tekstit ku bëhet thirrje për dialog mes dy palëve:

"Problemi që do të shfaqet tek të dyja palët është që shqiptarët, siç tashmë e kanë theksuar, do të të thonë se Beogradi mund të bisedojë me ta vetëm si me një shtet të pavarur. Mendoj se këtu nevojitet një ndërmjetësues i bashkësisë ndërkombëtare i cili do t'i sqaronte palës shqiptare se nuk duhet të caktojë kushte për të cilat dihet se Serbia automatikisht nuk mund t'i pranoj", thekson Çoviqi.

Nuk ka sukses pa Bashkimin Evropian

Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Marrëdhënie Etnike, vlerëson se teksti i propozuar është në njëfarë mënyre përmbledhje e debatit parlamentar dhe mbështetjes politike që parlamenti i dha qeverisë serbe. Megjithatë, ai thekson se pritet të shihet nëse qeveria do të ndërmarrë ndonjë hap shtesë për të provuar që të gjejë një gjuhë të përbashkët me Bashkimin Evropian:

"Çfardo rezolute të propozojë Serbia për aq kohë sa ajo nuk do të koordinohet me Bashkimin Evropian, Serbia do të mbetet pakicë në mbështetje. Kështu që është krejt e parëndësishme se çfarë ajo shkruan në rezolutë", thotë Janjiqi.

Gjatë ditëve të kaluara janë dëgjuar sugjerimet që Serbia të përpilojë propozimin së bashku me Bashkimin Evropian. Nebojsha Çoviqi vlerëson se ndoshta kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, por çështja mbetet sa është e mundur një gjë e tillë kur një rezolutë të përbashkët e kanë paralajmëruar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Evropian.

"Dyshoj që kjo është e mundur duke ditur se Bashkimi Evropian dhe amerikanët në rezolutën e tyre do të kenë pak elemente që Serbia nuk mund t'i pranojë, Unë them 'pak' por ato 'pak' elemente që Serbia nuk mund t'i pranojë kryesisht janë të përfshira edhe në planin e Ahtisarit", thotë Çoviqi.

Kush do të jetë humbës?

Debati në parlamentin serb, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tregoi se sa larg ndodhet Serbia nga perspektiva evropiane, vlerëson Janjiqi. Tani do të jetë interesante të shihet se si Partia Demokratike dhe presidenti Boris Tadiq do të arrijnë të ruajnë simpatinë e liderëve të BE-së, por edhe të qytetarëve të Serbisë, shumica e të cilëve janë për integrimet evropiane dhe në të njëjtën kohë bëjnë luftë me Evropën për Kosovën.

"Kjo është diçka që nëse ndodh do të karakterizojë pjesën tjetër të këtij viti e sigurisht edhe tërë vitin 2011. Dhe plotësisht jam i gatshëm që të parashikojë se në këtë rast dihet se kush do të jetë humbësi - atëherë humbës do të jetë sigurisht Boris Tadiqi", thotë Janjiq.

Në tekstin e Rezolutës së propozuar Serbia ka futur edhe dënimin e shkëputjes së njëanshme. Dushan Janjiqi thotë se për çështjen e shkëputjes së njëanshme nuk është kërkuar vlerësim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kështu që nuk mundet që më vonë të futet si temë në cilëndo rezolutë.

Autor: Ivica Petroviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi