1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina zyrtare: Rezoluta vetëm "për konsum të brendshëm në Serbi"

Bekim Shehu14 Janar 2013

Në takimin e 17 janarit në Bruksel diskutohet për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë.

https://p.dw.com/p/17JdM
Hashim Thaci - Kosovo Premierminister, EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton und Ivica Dacic, Premierminister, Serbien Foto: Marina Maksimovic (Korrespondentin) zugeliefert durch: Ivan Djerkovic
Hashim Thaci Premierminister KosovoFotografi: DW

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nuk ka kurrfarë plani të veçantë për raundin e ri të dialogut me homologun e tij Ivica Daçiq më17 janar në Bruksel, ku ky i fundit do të parashtrojë rezolutën e Serbisë për Kosovën. Kjo rezolutë  u miratua nga parlamenti i Serbisë të shtunën (12.01.2013)në mbrëmje. Plan i vetëm i kryeministrit Thaçi është Kushtetuta e Kosovës, e cila e përcakton qartë se rendi dhe ligji duhet të vendosen në të gjithë territorin e Kosovës duke përfshirë edhe veriun e vendit. Kështu i tha DW-së, Bekim Çollaku, shefi i kabinetit të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili merr pjesë në të gjitha takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Serbia synon të ketë bashkësi të komunave serbe në Kosovë

Përmbajtja e rezultës, së Serbisë mirtuar me shumicë votash nga parlamenti në Beograd, u përfol gjatë duke mbajtur vulën e fshehtësisë, por tani teksti i saj është bërë publik dhe ndër të tjera sa i përket veriut të Kosovës në rezolutë thuhet: "Serbia ngul këmbë në vendosjen e Bashkësisë Autonome të komunave në Kosovë, që do të përbëhej nga autonomia territoriale e katër komunave në veri të Kosovës dhe e komunave të tjera me shumicë serbe si Graçanica, Shtërpca etj, mbështetur në statusin e posaçëm mbi autonominë e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, të garantuara me Kushtetutën e sic thuhet, Krahinës së Kosovës dhe deklaratën e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtarë të përfshirë në proces", thuhet në një pikë të rezolutës.

Për qeverinë e Kosovës kjo rezolutë e Serbisë nuk do të jetë pjesë e takimit të 17 janarit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, i tha DW-së, Bekim Çollaku shef i kabinetit të kryeministrit, i cili do të jet gjithashtu i pranishëm në këtë takim: "Nuk mendoj se rezoluta serbe do ta zbehë apo komplikojë agjendën e përcaktuar të dialogut, që zhvillohet ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe Daçiq me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton, sepse pavarësisht këtyre platformave apo rezolutave që janë miratuar në Serbi, në Bruksel kemi një agjendë krejtësisht tjetër që nuk merr për bazë platforma dhe rezoluta që prodhohen në Serbi", thotë Bekim Çollaku.

Çështja e veriut në agjendën e bisedimeve në Bruksel

Bekim Çollaku thotë se në takimin e 17 janarit në Bruksel do të diskutohen vetëm dy çështje, ashtu siç është përcaktuar në takimin e fundit më 4 dhjetor në Bruksel. "Do të vazhdojmë me dy çështje thelbësore që do të diskutohen dhe ato janë zhbërja e strukturave paralele të sponsorizuara dhe të financuara nga Serbia në veri të Kosovës dhe natyrisht modalitet dhe veprimet tona të qeverisë së Republikës së Kosovës për integrimin dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit", thotë Bekim Qollaku.

Ai thotë se kryeministri i Kosovës në takimin e 17 janarit në Bruksel nuk do të ketë ndonjë plan të veçantë për veriun e Kosovës. "Qeveria e Kosovës me kohë tash e pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është përgatitur se si t'i adresohet veriut të Kosovës ashtu sicç është e përcaktuar në kushtetutë dhe nuk kemi nevojë të bëjmë ndonjë plan të veçantë ashtu siç ka bërë Serbia, sepse do të dilnim jo serioz karshi faktorit ndërkombëtar", thotë Çollaku.

Sidoqoftë, deri tani askush nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, nuk e ka komentuar rezolutën për Kosovën të miratuar nga parlamenti i Serbisë. Për zyrtarët e qeverisë së Kosovës kjo rezolutë nuk është serioze, sepse nuk përkon me realitetin. Prandaj në këtë linjë, ata janë të bindur se mos reagimi i faktorit ndërkombëtar për rezolutën e Serbisë është një tregues i qartë se ajo rezolutë është për, siç thonë,  "konsum të brendshëm në Serbi" dhe nuk do të ndikojë në rrjedhën e dialogut Prishtinë-Beograd.