1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rezultatet në ditën e 10-të të Lojërave Olimpike në Kinë

Andreas Ziemons19 Gusht 2008

Për ekipin gjerman dita e dhjetë ishte me dritë dhe hije, ndërsa për kinezët kjo ditë nisi me një shok.

https://p.dw.com/p/F0PY
Rusja Jelena Isinbajeva fiton medaljen e artë në kërcimin me shkop duke vendosur rekordin e ri botëror 5,05 metra, Beijing më 18 gusht 2008Fotografi: AP

Superstari kinez Liu Xiang, prej të cilit s´pritej gjë tjetër veçse medalje ari në garën 110 metra me pengesa, u tërhoq pasi u vra gjatë garës eliminatore. Ai u largua duke çaluar prej stadiumit duke lënë pas 91.000 spektatorë të shtangur. Një ngushëllim i zbehtë ishte për kinezët e interesuar në atletikë rekordi botëror i Jelena Issinbajeva në kërcimin me shkop. Rusja përmirësoi rezultatin më të mirë të saj me 5,05 metra duke fituar për herë të dytë medalje ari.

Zhgënjim për futbollistet gjermane

Për ekipin gjerman dita e dhjetë ishte me dritë dhe hije. Vajzave futbolliste iu desh të heqin dorë prej ëndrrës për medalje ari. Ato humbën në gjysmëfinale me rezultatin 1:4 ndaj Brazilit. Trainerja Silvia Neid: „Ne nuk kemi punuar shumë mirë. Ne deshëm të arrijmë të gjitha, por në mbrojtje lamë shumë pas dore e pas kësaj ndeshja me një ekip si Brazili.“

Brazili në finale do të ndeshet me SHBA dhe Gjermania me Japoninë do të luajnë për medaljen e bronztë.

Hendbollsitët gjermanë nuk e arrijnë çerekfinalen

Të lodhur dhe të zhgënjyer u larguan nga fusha edhe hendbollistët gjermanë. Në ndeshjen e fundit të grupit kundër kampionit të Evropës, Danimarkës rezultati ishte 21:27. Ekipit të trainerit Heiner Brand do t´i kish mjaftuar barazimi, për të arritur qëllimin minimal: daljen në çerekfinale. „Me pak fat ne me siguri do ta kishim arritur çerekfinalen, por duhet ta klasifikojmë në mënyrë realiste lojën tonë, e cila nuk ishte e mjaftueshme.“

Timo Boll, djathtas, Christian Süß, qendër, dhe Dimitrij Ovtcharov, majtas, festojnë fitoren
Timo Boll, djathtas, Christian Süß, qendër, dhe Dimitrij Ovtcharov, majtas, festojnë fitorenFotografi: AP

Medalje e argjendtë për ping-pongistët gjermanë

Sportistët gjermanë të ping-pongut ashtu siç pritej fituan medaljen e argjendtë. Timo Boll, Dimitrij Ovtcharov und Christian Süß humbën në finale ndaj favoritit kryesor, Kinës me rezultatin 0:3. Sidoqoftë medalja e argjendtë është për ekipin gjerman të ping-pongut suksesi më i madh qysh nga viti 1992, kur dyshja Jörg Roßkopf dhe Steffen Fetzner dolën të dytët në Barcelonë.


Ekipi i kalorësve në garën me pengesa zuri vendin e pestë. Ky ishte rezultati e tretë i keq pas garave në Barcelonë në 1992, kur gjermanët zunë vendin e njëmbëdhjetë dhe garave në Helsinki në vitin 1952, kur gjermanët u renditën të gjashtët.

Ekipi i hokejt për femra arriti të dalë në gjysmëfinale. Në ndeshjen e fundit me Japoninë gjermanet arritën sukses me rezultatin 1:0 dhe tani do të ndeshen me ekipin e vendit organizator, me Kinën.

Sportistet gjermane në garën e triatlonit e humbën shansin për klasifikim në vendet e para. Ricarda Lisk me kohën 3`:40“ nuk arriti ta kalojë vendin e 15. Christiane Pilz doli e 26. Anja Dittmer e 33. Medaljen e artë në 1,5 km not, 40 km çiklizëm dhe 10 km vrap e siguroi australiania Emma Snowsill e pasuar nga portugezja Vanessa Fernandes dhe Emma Moffatt nga Australia.

As volejbollistët gjermanë nuk ia arritën synimit

As volejbollistët gjermanë nuk ia arritën qëllimit për të dalë në çerekfinale. Serbia fitoi ndeshjen e raundit të parë ndaj Egjiptit 3:0 duke e zbritur ekipin gjerman në vendin e katërt në grupin B. Ekipi i trainerit të kombëtares gjermane Stelian Moculescu humbi edhe ndeshjen e mëparshme 0:3 kundër fituesit të olimpiadës, Brazilit. Për trainerin Moculescu kjo ishte ndeshja e fundit. Nëntë vjet rumuni është ulur në bankinën gjermane duke i çuar volejbollistët sërish në krye të renditjeve të nivelit botëror. Bilanci i tij sot: „Filmi mbaroi. Ti del nga kinemaja dhe shfaqja të ka pëlqyer. Të gjitha ndjenjat që mund të kesh, kur vjen fundi i diçkaje që të ka pëlqyer janë, se padyshim ka qenë një periudhë e bukur. Ta sjellësh këtë ekip, ku është tani, kjo ka qenë shumë e vështirë. Më ka kushtuar shumë energji. Ne ia kemi arritur qëllimit. Këtu na munguan disa pikë për të arritur diçka më shumë. Ky do të jetë tani presioni, por jo aq i madh, ndaj pasardhësit tim.“


Edhe beachvolleyball-istët mbetën pa medalje. Dyshja e fundit gjermane e përbërë nga David Klemperer dhe Eric Koreng humbi në çerekfinale kundër kampionëve botërorë nga SHBA: Todd Rogers dhe Phil Dalhausser.