1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rinia në periferitë e qyteteve suedeze lufton për t'u marrë seriozisht

Randi Häussler/Angjelina Verbica28 Maj 2013

Shoqëria suedeze zien. Që prej festës së rrëshajave të rinjtë në periferitë e Stokolmit dalin në barrikada. Ata ndjehen të lënë pas dore, pa perspektiva për të ardhmen.

https://p.dw.com/p/18elD
Fotografi: DW/R. Häussler

“Në fakt do të duhej të merrnim penelin dhe të pikturonim gonxhe në lulëzim", thotë Quena Suroco dhe tregon figuren e madhe të zezë në mur, sa një bojë njeriu. Eshtë silueta e një të riu të maskuar, që është bërë gati për të hedhur një buqetë me lule. Një buqetë në ngjyrë të kuqe ndryshku. Mund të të shkojë mendja se janë flakë, thotë Quena. Por pikërisht në shmangjen e tyre përqendrohet puna e saj.

Quena Soruco jeton në Husby, në periferinë e Stokholmit, ku flakët u ndezën në ditën e Rrëshajve, ku u dogjën makinat e para, ku policëve dhe zjarrfikësve u fluturuan gurët mbi helmetat. Quena, që flet po aq rrjedhshëm spanjisht sa edhe suedisht, bën pjesë në organizatën vullnetare, “Megafon”.

Quena Soruco e organizatës vullnetare Megafon
Quena Soruco e organizatës vullnetare MegafonFotografi: DW/R. Häussler

Të përçojë hallet e të rinjve tek politika

Në shtëpinë e vogël njëkatëshe të organizatës, që ndodhet në mesin e blloqeve të larta të banimit, Quena dhe kolegët e saj përpiqen të bëhen zëdhënës të të rinjve të periferive dhe që t'i çojnë shqetësimet dhe problemet e tyre te politika. Ligjëratat dhe diskutimet e rregullta me politikanët dhe shkencëtarët janë pjesë e programit. Shpesh fjala është për islamofobinë dhe racizmin. Tema, që preokupojnë të rinjtë këtu.

85 për qind e banorëve në Husby i kanë rrënjët e tyre në një vend tjetër. Kush ndjek këtu shkollën, shpesh nuk shkon më tej, vetëm rreth 30 deri në 40 për qind e nxënësve arrijnë të kalojnë në shkollat më të larta. Ndërkohë që kalimi në gjimnaz është diçka normale në Suedi. Papunësia e lartë e të rinjve në vend me 24 përqind është edhe një herë më e lartë në periferi.

Dështimi i politikave të punësimit


Politikat liberale të emigracionit në Suedi kanë shumë mjete për t'ua bërë të lehtë të sapordhurve fillimin, analizon sociologu Jerzy Sarnecky. Për shembull kurse për gjuhën suedeze dhe gjeografinë e vendit ka kudo. "Por në aspektin e politikës së punësimit të emigrantëve, sistemi ynë nuk funksionon. Dhe në një shoqëri moderne puna është qasja në shoqëri."

Frustrimi në mesin e të rinjve është i madh në Husby. Por a janë zjarri dhe gurët e netëve të fundit një mjet legjitim për të tërhequr vëmendjen? "Ne denoncojmë padrejtësinë sociale, që bën, që njerëzit këtu të ndjehen të shtypur dhe të vegjël. Këto trazira, që ne shohim, janë një përgjigje ndaj kësaj padrejtësie. Megjithatë ne të Megafonit përpiqemi të shpjegojmë shkaqet. Kjo është mënyra jonë për të kontribuar në këtë debat", thotë Quena Soruco dhe ngre telefonin. Me një iniciativë tjetër qytetare ajo diskuton për hapat e ardhshëm. Shëtitjet paqësore të banorëve janë planifikuar për të qetësuar randaluesit.

Për ditë të tëra zgjatën protestat në Husby
Për ditë të tëra zgjatën protestat në HusbyFotografi: DW/R. Häussler

Të tërheqësh vëmendjen e opinionit botëror

Tensioni ndjehet edhe në pedonalen në Husby, vetëm pak hapa larg nga shtëpia njëkatëshe Megafon. Një djalë i ri, i cili dëshiron të mbetet i paidentifikuar, flet për përvojat e tij të fundit me policinë. "Ata i fusin të gjithë në një thes. Sapo shohin disa të rinj së bashku në grup, vijnë dhe marrin menjëherë njërin. Ata mendojnë se të gjithë marrin drogë". Dhuna e netëve të fundit është për të një e keqe e domosdoshme. Tani njerëzit dëgjuan gjithsesi të rinjtë, thotë ai: "A e kuptoni se si ndjehet njeriu, kur askush nuk kujdeset për të?"

Në shtëpinë njëkatëshe të organizatës vullnetare 'Megafon' dikush ka sjellë pica dhe qebabë. Por kohë për të ngrënë mbetet pak. Gazetarët nga Hollanda presin për një intervistë. Quena Suroco, që punon vullnetarisht, dëshiron të shfrytëzojë vëmendjen aktuale të mediave për të bërë publike problemet e periferive. "Puna më jep shumë. Sepse Husby është shtëpia ime", thotë gruaja e re ", dhe për shtëpinë e vet njeriu kujdeset."
 

Periferi me perspektiva të zymta. Shtëpi me qera në Husby
Periferi me perspektiva të zymta. Shtëpi me qera në HusbyFotografi: DW/R. Häussler