1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rinumërim i votave në Prishtinë dhe Prizren

Bekim Shehu
23 Nëntor 2017

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), vendosi që në dy qytetet më të mëdha të Kosovës të rinumërohen votat në tërësi. Kërkesa u bë nga LDK dhe PDK.

https://p.dw.com/p/2o8nS
Kosovo Parlamentswahl
Fotografi: DW/B. Cani

Sipas këtyre dy subjekteve politike, gjatë procesit të numërimit në Prishtinë dhe Prizren ka pasur parregullsi dhe mospërputhje në formularët e kutive të votimit. Në dy qytetet më të mëdha, në Prishtinë dhe Prizren, në bazë të rezultateve paraprake, në epërsi janë kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje. Por rezultatet janë shumë të ngushta.

Në Prishtinë, prin kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti përballë Arban Abrashit të LDK-së. Ndërsa në Prizren, kryeson Mytaher Haskuka, përballë kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj. Vendimi i Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që Prishtina dhe Prizreni të shkojnë në rinumërim, e ka irrituar tej mase lëvizjen Vetëvendosje. Kandidati nga ky subjekt politik për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë "se pavarësisht vendimit për rinumërim, vullneti i qytetarëve nuk mund të ndërrohet”.

Zemërimi i VV

Kosovo Albin Kurti
Fotografi: picture alliance/AP Photo/V. Kryeziu

"Sot është dashur të numërohen votat me kusht dhe ato të diasporës ku do të konfirmohej fitorja jonë në Prishtinë dhe Prizren. Ndërsa PZAP vendosi për rinumërim të plotë në vetëm dy komuna ku ka fituar Vetëvendosje. Çdo kuti ka qenë e nënshkruar nga të gjithë komisionerët dhe asnjë kuti nuk ka shkuar në karantinë. E kanë kaluar auditimin. Ndaj këtij vendimi ka afat 24 orë për ankesë në Gjykaten Supreme. Por KQZ në afat rekord vendosi që të ndalet procesi i numërimit të votave me kusht dhe të rinumërohen votat, pa pritur afatin e ankesave. Prap po ju them, nuk mund të ndryshohet vullneti i qytetarëve”, shkroi Shpend Ahmeti në profilin e tij në rrjetet sociale.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komunash, me 19 nëntor, është votuar në 19 komuna të Kosovës, pasi që në raundin e parë me 22 tetor asnjë prej kandidatëve nuk kishte fituar më shumë se 50% të votave. Pjesëmarrja në balotazh ishte 38 %, pak më e ulët sesa në zgjedhjet në raundin e parë të 22 tetorit. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që monitoruan zgjedhjet për kryetar komune, ishte rreth 12 mijë.

Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit thanë se edhe në raundin e dytë u përsëriten parregullsitë e njëjta sikurse në zgjedhjet e fundit - votime familjare dhe përpjekje për votim të dyfishtë.

Në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garoi në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.