1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ritëm i ngadaltë në votime në Mitrovicën e veriut

Auron Dodi (rtr, afpf)17 Nëntor 2013

Forca të mëdha sigurie të KFOR-it dhe Eulexit kanë zënë kryqëzimet kryesore të rrugëve për në Mitrovicë dhe janë vendosur pranë qendrave të votimit. Deri në orën 14 kishin votuar vetëm 16 përqind e zgjedhësve.

https://p.dw.com/p/1AJ2n
Fotografi: DW

Zgjedhjet në veri të Mitrovicës po zhvillohen nën masa të rrepta sigurie, pas dhunës që shkaktoi anulimin e votave të mëparshme.

Votimi pas hapjes së kutive të votimit në orën 7, vazhdoi me ritme të ngadalta. Sipas Komisionit Zgjedhor, deri në orën 14 votat i patën dhënë vetëm 16,39 përqind e zgjedhësve. Rreth 10 përqind e zgjedhësve i dhanë votat deri në mesditë. Ndërsa në orën 9 të mëngjesit, tri orë pasi qenë hapur qendrat e votimit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 3,4 përqind, bëri të ditur Komisioni Zgjedhor.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18.00 dhe rezultatet priten gjatë javës.

Policia dhe paqeruajtësit e KFOR-it janë të pranishëm në numër të madh dhe me automjete të rënda në afërsi të stacioneve policore.

Policia, pjesërisht e pajisur me armë automatike dhe me automjete të blinduara ka zënë vend në kryqëzimet kryesore të rrugëve. Një njësi e KFOR-it, e përbërë nga automjete të blinduara dhe me armë të kalibrit të lehtë, si dhe me pesë kamionë dhe shumë automjete transporti për terren të vështirë ka zënë vend në hyrjen veriore të Mitrovicës. KFOR-i dhe misioni i BE, Eulex kanë thënë se do të ndërmarrin “masa energjike sigurie, në mënyrë që të garantojnë që procesi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt.”

Krahas paqeruajtësve të NATO-s dhe policëve të BE, disa dyzina anëtarë të së ashtuquajturës “mbrojtje civile”, një njësi e krijuar ad hoc për të ruajtur rendin dhe e paguar nga shteti i Serbisë është e pozicionuar pranë qendrave të votimit.

Në Kosovë jetojnë rreth 120.000 serbë, prej 1,8 milionë banorëve të Kosovës. Në veri jetojnë rreth 40.000 serbë, të cilët nuk e njohin autoritetin e qeverisë së Kosovës që prej fundit të luftës kundër Jugosllavisë, më 1999.