1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlusconit i ndalohet ushtrimi i posteve publike

(dpa, afp)mck19 Mars 2014

Duket se karriera politike e ish kryeministrit italian mori fund. Gjykata e Apelit të Italisë ka lënë në fuqi pezullimin për dy vjet të ushtrimit të posteve publike për Berlusconin.

https://p.dw.com/p/1BSCV
Fotografi: Reuters/Alessandro Bianchi

Vendimi u mor nga Gjykata më e lartë e Apelit në Romë: Ajo ka lënë në fuqi vendimin ndaj ish kryeministrit Silvio Berlusconi për ndalimin e ushtrimit të detyrës në poste publike. Sipas këtij vendimi, kryeministrit që ka ushtruar tre hërë këtë post i pezullohen për dy vjet të gjitha postet publike pasi u shpall fajtor për evazion fiskal. Avokati mbrojtës i Berlusconi-t, Niccolo Ghedini, tha se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga vendimi i Gjykatës ditën e martë (18.03) në Itali. Pezullimi nënkupton se Berlusconi nuk do të mund të kandidojë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në muajin maj.

Pas vendimit të vitit të kaluar, atij iu hoq edhe e drejta e pjesëmarrjes në Senat, si dhe u dënua me 4 vjet burg, dënim ky që pritet të shndërrohet në 1 vit shërbime ndaj komunitetit. 77 vjeçari është përballur me një sërë çështjesh gjyqësore, por vendimi për ta dënuar për evazion fiskal, i cili u la në fuqi gushtin e vitit të kaluar, ishte dënimi i parë përfundimtar për të. Ai u shpall fajtor për shkak të marrëveshjeve që firma e tij “Mediaset” kishte bërë për të siguruar të drejtat e autorit të filmave amerikanë.

Qershorin e kaluar, Berlusconi u shpall fajtor edhe për kryerje marrëdhëniesh seksuale me një prostitutë minorene me pagesë, si dhe për abuzim me pushtetin. Ai u dënua me shtatë vjet burgim dhe u pezullua nga mbajtja e çdo posti publik. Gjithsesi, ai është ende i lirë, në pritje të përfundimit të proceseve të apelimit. Në rastin e fundit kundër tij, Berlusconi iu drejtua gjyqit në Napoli, në shkurt (2014), me akuzën e ryshfetit ndaj një senatori, në mënyrë që ai t'i bashkohej partisë së tij në vitin 2006. Por ish kryeministri italian i hodhi poshtë këto akuza.

(dpa, afp)Mimoza Kelmendi