1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët serbë midis stereotipeve dhe realitetit

30 Prill 2011

Një nga problemet me të cilin ballafaqohet pakica rome është edhe jeta pa dokumentat personale bazë. Kurse një nga problemet më të mëdha të rinisë rome në Serbi është ndërprerja e hershme e shkollimit.

https://p.dw.com/p/116mX
Romë në BeogradFotografi: AP

Më se 60 për qind e romëve në Serbi jetojnë nën kufirin e varfërisë. Vetë pozita sociale e romëve është mjaft e diskutueshme, thotë Manja Nikoliq, ndërmjetësuese për romët në Vojvodinë. “Problemi i dokumenteve personale është i kahershëm. Kur prindërit nuk janë të regjistruar në librat e amzës, automatikisht as fëmijët nuk gëzojnë të drejtën për dokumenta. Në ato raste bëhet regjistrimi i mëvonshëm”, thotë zonja Nikoliq dhe kujton se pozita e femrës rome në shoqëri është e keqe. Sipas saj asaj i janë kufizuar edhe të drejtat themelore të njeriut.

Psikologia Bilana Igjushki thotë se në raport me pakicat paraprakisht krijohen paragjykime. “Nëse kemi një sistem vlerash ku një përfaqësues i pakicave në aspektin social është i pasuksesshëm, atëherë automatikisht kjo pritet për të gjithë pjesëtarët e atij grupi etnik. Por, kur ndodh që përfaqësuesi i një grupi etnik të jetë i suksesshëm, atëherë reagimi më i shpeshtë i njerëzve është paqartësia kognitive. Për t'u sqaruar paqartësia, është shumë me rëndësi të shqyrtohet sistemi i bindjeve për vetëveten, botën dhe tjerët”.

Roma Kinder beim Unterricht
Nxënës romëFotografi: Petr Stojanovski

Shkollimi si një yll udhëzues

Ata të suksesshmit, të arsimuarit dhe kreativët, thonë se në mënyrë të barabartë marrin pjesë në rrjedhat shoqërore dhe të gjitha sferat tjera të komunitetit. Zoran Tairoviqi jeton në Novi Sad. Ai është fotograf. Sivjet do të duhej të doktoronte. Kur flitet për diskriminimin, thotë se nuk ka pasur probleme. Sepse edhe në shkollën e mesme ai ishte nxënësi më i mirë. “Në fakultet poashtu kam qenë njëri ndër studentët më të mirë, prandaj nuk kam kaluar nëpër atë që thuhet “diskriminim i romëve”. Lirisht mund të them, se çdo lloj flustrimi ishte nxitje dhe kënaqësi në planin e punës. Në këtë mënyrë e kam orientuar tërë energjinë time. Poashtu, mendoj se kjo është forma më e mirë të tejkalohet çdo lloj traume. Sepse, fëmijët që vijojnë shkollën e mesme hyjnë në një rreth të ri – në të vërtet marrin një "shuplakë", sidomos nëse vijnë nga periferia në qytet. Dhe pikërisht ajo “shuplakë”, për fat të keq, i kthen në bashkësinë e tyre, ku ndihen se i takojnë dhe janë të pranuar. Atë që ju sygjeroj të rinjve është të kenë një yll udhëzues."

Për Tairoqviq ylli udhëzues duhet të jetë rruga e arsimimit. Arsimi është i vetmi që e bartim me vete, atë nuk mund ta marr askush, thotë Zoran Tairoviq i cili përveç fotografimit, me sukses merret edhe me teatër, film dhe muzikë. Ai ekspozon në Gjermani, Itali, Amerikë... Është fitues i çmimeve prestigjioze. Në këtë vit pritet të paraqitet dhe filmi i tij “Moment of movement”.

Roma in Serbien
Romë në SerbiFotografi: AP

"Nacionalistë ka kudo"

Për të bërë krahasime me kohët e hershme biseduam edhe me disa pjesëtarë më në moshë të kësaj popullate. Gustav, tani në moshën 49 vjeçare tregon se e ka kryer shkollën e mesme teknike dhe se një kohë ka punuar si teknik vizatimi në një firmë. “Dokumentet i kam, por nëna ime nuk i kishte në të kaluaren”, sqaron ai.


Millani ka 63 vjeç dhe thotë se është kohë e vështirë, se kriza është kudo, “Gjithnjë gjenden dhe nacionalistë, por nuk duhet shikuar me zemërim, por të punohet për jetën personale”, thotë i qetë Milani dhe pse jeton nga ndihmat sociale dhe nga ndihma e fëmijëve. Romët janë popull me prejardhje nga India, të cilën e braktisë rreth shekullit të X-të. Sot jetojnë të shpërndarë në gjithë botën, kryesisht në Evropë. Prej tyre, sipas vlerësimeve dhe të dhënave jozyrtare në Serbi jetojnë rreth 500.000 vetë.

Autore: Maja Rudu / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi