1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roma dhe Tirana me marrëveshje për ekstradimin e kriminelëve

Ani Ruci/ Tiranë29 Nëntor 2007

Shqipëria dhe Italia do të nënshkruajnë të parën marrëveshje ekstradimi për persona që kryjnë akte kriminale në territoret e dy vendeve

https://p.dw.com/p/CUjX
Fotografi: dpa

Deri më sot Shqipëria ka patur marrëveshje ekstradimi vetëm me SHBA, të nënshkruar që nga koha e mbretit Zog. Italia fqinje bëhet i pari vend i BE me të cilin Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje esktradimi. Këtë e publikoi vete kreu i qeverisë së Tiranës, Sali Berisha, i cili vlerësoi atë tepër të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar.
„Marrëveshja që nënshkruhet me Italinë, tha kryeministri Berisha, krijon lehtësira shumë të mëdha në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit“. Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera të BE dhe të NATO- s për të nënshkruar marrëveshje të tilla me Shqipërinë.„ Këtë marrëveshje qeveria e Tiranës, tha ai, është e gatshme t`ua ofrojë të gjithë vendeve anëtare të BE-së dhe të NATO-s për
të rritur shkallën e sigurisë kudo.“

Romano Prodi viziton Tiranën

Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur për DW se Tirana dhe Roma kanë hartuar draftet e kësaj marrëveshjeje dhe ekspertët kanë nisur punën për të bërë rekomandimet përkatëse. Marrëveshja pritet të nënshkruhet të hënën, më 3 dhjetor, gjatë vizitës së paralajmëruar në Tiranë të kryeministrit italian, Romano Prodi.

Pas nënshkrimit, marrveshja e ekstradimit do të ratifikohet nga parlamentet e dy vendeve. Deri më sot Shqipëria nuk ka patur marrëveshje ekstradimi me asnjë nga vendet evropiane. E vetmja marrëveshje e
nënshkruar që në kohën e Zogut mbetet ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asnjë shtetas shqiptar nuk është ekstraduar

Nga mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi, drejtësia shqiptare nuk i ka dorëzuar drejtësisë italiane asnjë shtetas shqiptar që ka kryer krime në territorin italin dhe anasjelltas. E kundërta ka ndodhur me SHBA-në. Vetëm pak muaj më parë drejt SHBA-së u ekstradua nje shqiptar, Ardi Gërbaj, që kërkohej nga FBI-ja për veprën penale të vrasjes. Ndihma e ndërsjellë në fushën penale është realizuar mes dy vendeve, Shqipëri-Itali, vetëm në sajë të marrëveshjeve të mirëkuptimit.