1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku për republikën nuk vjen më nga partia e majtë

16 Maj 2008

Shtypi gjerman komenton vendimin e ministrit të brendshëm Wolfgang Schäuble për të përgjuar Partinë e Majtë gjermane.

https://p.dw.com/p/E11y
Idhtarë të Partisë së Majtë
Idhtarë të Partisë së Majtë në mitingFotografi: AP

"Trierischer Volksfreund"

Ministri i brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble e lë edhe partinë e majtë të përgjohet nga mbrojtja kushtetuese. Mund të ketë sigurisht edhe njerëz, të cilëve nga fjala komunizëm u ngrin gjaku në damarë. Një rrezik i vërtetë për republikën nuk vjen më nga partia e majtë përjetësisht e djeshme. Fundja komunizmi është diskretituar shumë nga historia, që teoria e tij të mund të lëvizte ende malet.

"Reutlinger General-Anzeiger"

Ndoshta e majta duhet t´i shohë me sy më kritik grupet problematike brenda vetes, psh "platformën komuniste". Dhe ndoshta politika në Berlin duhet ta bënte të qartë, se në 281 faqet e raportit ka skenare kërcënues, që meritojnë shumë më tepër vemendje. Por alarmant mbetet fakti, që rreziku i terroristëve islamistë po shtohet. Shumë shqetësues është fakti, që rekrutimi i të rinjve të gatshëm për dhunë arrihet gjithnjë e më shumë përmes propagandës në gjuhën gjermane në internet.

"Thüringer Allgemeine", që del në Erfurt

Raporti i Schäubles nuk e minimizon rëndësinë, por e deformon. Të vëzhgosh partinë e majtë, gjithsesi me 53 mandate në parlament për shkak të një grupimi të vogël dhe nga ana tjetër të këshillosh që të mos zhvillohet proces për ndalimin e NPD-së, është një gjë e vështirë të kuptohet nga logjika e njeriut. Ndikimi është fatal. NPD e ndjen veten gati të stimuluar për ta vazhduar marshimin e saj. Në klubet sportive, në zyrat e qytetarëve ajo grumbullon anëtarë. Dhe kjo në një kohë, kur askush nuk beson, që kjo parti është në përputhje me kushtetutën.

General Anzeiger në Bonn

Nëse kundërshtarët e rendit shtetëror janë të verbër në syrin e majtë apo të djathtë, nuk luan fundja ndonjë rol. Aftësia e tyre për të parë, është gjithsesi e kufizuar. Një proces për ndalimin e partisë së djathtë ekstreme NPD, për të cilën diskutohet pas dështimit të vitit 2003, nuk duhet të dështojë në përpjekjen e dytë. Gjithcka tjetër do të ishte fatale.