1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Arabische Welt Entwicklung

12 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/J8BX
Zhvillimi demokratik në vendet arabe lë për të dëshiruar. Ne foto: nje grua me perce mban ne duar disa flete me te drejta
Zhvillimi demokratik në vendet arabe lë për të dëshiruarFotografi: AP Graphics/DW

Njeriut i duhet të shfletojë gjatë për të gjetur diçka pozitive në raport. Por ajo që të bie në sy menjëherë është se shkalla e ndotjes së ajrit, në vendet arabe është më e ulëta në mbarë botën. Por do të gabonim sikur të niseshim nga kjo dhe të flisnim për një politikë shembullore për mbrojtjen e ambientit apo për një përhapje të makinave që emetojnë pak gazra të dëmshëm. Megjithatë po të shikohen statistikat, ajri në vendet arabe është i mirë. Por gjendja mund të ndryshojë për të keq: sipas OKB-së vlerat e mira të ajrit janë vetëm një tregues i mangësisë aktuale e industralizimit.

Dhe ky është njëkohësisht emëruesi i përbashkët i raportit të ri për zhvillimin në vendet arabe: mangësia. Vendeve arabe iu mungon shumëçka. Jo vetëm industrializimi, sistemi funksional shëndetësor dhe uji i pijshëm - ato para së gjithash kanë mangësi të demokracisë dhe 'qeverisjes së mirë', ato kanë mangësi të të drejtave të njeriut dhe respekt kundrejt qytetarëve të vet. Është karakteristikë pikëlluese e vendeve arabe që, megjithë disa përpjekje të guximshme për reforma gjatë viteve të kaluara, deri më sot nuk ekziston asnjë vend që qeveria e tij mos ta meritojë vlerësimin 'autoritar'. Këtu bëjnë pjesë diktaturat si Libia dhe Siria dhe monarkitë në vendet e Gjirit ashtu dhe vendet që kanë arritur të hapen sadopak, si për shembull Egjipti. Ai është një prej partnerëve kryesorë të perëndimit në rajon, një prej shtyllave më stabile për një pajtim arab me Izraelin, por po ashtu një shtet, i cili i duron torturat në stacionet e tij të policisë dhe nuk dëshiron që qytetarët të kenë të drejtën e vërtetë të fjalës në politikë.

Problemet aktuale të botës arabe nuk mund të sqarohen me politikën e interesave të Perëndimit. Megjithatë politika perëndimore nuk luan gjithnjë një rol konstruktiv. Ajo shpesh angazhohet që në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore të sigurojë statuskuonë. Aktivisitët e shoqërisë civile pikërisht në vendet arabe konkludojnë gjithnjë e më shpesh se stabiliteti dhe interesat ekonomike kanë përparësi për Perëndimin. Para shkeljeve të të drejtave të njeriut shpesh mbyllen sytë dhe nxitja dhe përkrahja e demokracisë shteron në pohime verbale.

Megjithatë është e qartë se thelbi i problemeve të zhvillimit të botës arabe mund të zgjidhet vetëm atje. Për këtë janë të nevojshme vizionet, idetë e reja dhe iniciativat e reja - para së gjithash në fushën e arsimit për shkak se pikërisht në këtë fushë deficitet janë të mëdha dhe pengojnë një përparim thelbësor të shoqërisë. Nga shumica e regjimeve aktuale dhe qeveritë mund të pritet më shumë se mangësi në fushën administrative - ato janë para së gjithash të interesuara për ruajtjen e pushtetit. Megjithatë Perëndimit i duhet të bashkëpunojë me këto qeveri. Por paralelisht atij i duhet të mbështetet më fort te forcat e shoqërisë civile dhe t'i përkrahë ato në mënyrë aktive. Kjo do të ishte edhe në interesin e tij. Kur bota arabe nuk arrin që t'i zgjidhë konfliktet me forcat e veta, kur numri i popullsisë në shumë vende vazhdon të rritet ashtu si numri i të rinjve të papunë dhe presioni për emigrim, kur mungesa e perspektivave kërcënon radikalizimin e brezave të ardhshëm - atëherë Bashkimi Evropian nuk mund të qëndrojë indiferent. Është një rrezik potencial në rritje, pikërisht te një fqinj i tij.

Autor: Rainer Zolih

Redaktoi: Auron Dodi