1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani Azil

24 Janar 2012

Numri i azilkërkuesve për vitin 2011 në Gjermani është rritur në nivelin më të lartë qysh prej tetë vitesh. Gjithsej 45.741 njerëz kishin paraqitur kërkesën e tyre për njohjen e statusit si refugjatë.

https://p.dw.com/p/13p97
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Kryesisht njerëzit nga vendet me popullsi myslimane të përfshira në kriza si Afganistani, Iraku dhe Siria  përbëjnë numrin më të madh të atyre që kërkojnë mbrojte në Gjermani. Vendet e tjera të origjinës më të madhe të azilkërkuesve në 2011 janë edhe vendet e Ballkanit si Serbia, Kosova dhe Maqedonia, edhe pse mundësia për tu njohur statusi i tyre si refugjatë këtu është pothuajse zero.

Afganistani me numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani

Rreth 7100 personave që kanë kërkuar mbrojtje në 2011 iu është  njohur e drejta si refugjatë, bëri të ditur ministria.  Kjo përbën një kuotë prej 16,4 për qind të rreth 43.300 vendimeve për azil që ka marrë zyra federale vitin e kaluar. 2600 njerëzve të tjerë iu dha e drejta e qëndrimit për shkak se po të kthehen në vendet nga kanë ardhur rrezikohen nga dënimi me vdekje, torturimi dhe keqtrajtime të tjera. Këtu bëhet fjalë kryesisht për refugjatët nga Afganistani.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Me rreth 7800 kërkesa, Afganistani ishte vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Gjermani. Në krahasim me një vit më parë numri është rritur në 31,5 për qind. Me rreth 5800 kërkesa ( pesë për qind më shumë se në 2010) Iraku ndodhet në vend të dytë, ndërsa Serbia pason e treta me 4600 kërkesa (tetë për qind  më pak se një vit më parë). Irani zë vendin e katërt me 3400 kërkesa (35,4 për qind më shumë se në 2010), Siria  pas saj në vend të pestë me 2600 kërkesa (76,8 për qind më shumë ). Kërkesa për azil në vitin 2011 parashtruan edhe qytetarët nga vendet e Ballkanit, Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Numri i atyre që iu refuzua kërkesa e azilit në Gjermani arriti në rreth 2400. Megjithatë këto vende janë  ende  si më parë në listën e dhjetë vendeve  që  kanë më së shumti njerëz që kërkojnë  azil në Gjermani.

Gjermania e gatshme për strehimin e të" përndjekurve të vërtetë"

Ndërkohë njerëzit nga Serbia dhe Maqedonia mund të udhëtojnë pa vizë për në Gjermani. Vitin e kaluar nuk pati asnjë njohje për azil të atyre që kërkuan këtu strehim politik. Edhe kuota e qytetarëve nga Kosova që iu njoh e drejta e qëndrimit ishte 0,2 për qind. Ndërsa sipas Ministrisë së Brendshme në Berlin rreth 90 për qind  e azilkërkuesve nga Serbia ishin romë të cilët shihen në atdheun e tyre si të diskriminuar.

Në foto, ministri Hans-Peter Friedrich
Në foto, ministri Hans-Peter FriedrichFotografi: picture alliance / dpa

Por shumë nga ata "duken sheshit" që nuk janë të përndjekur në vendin nga ata vijnë, tha ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU) për gazetën «Süddeutsche Zeitung». Kërkesa  të tilla "u refuzuan shpejt" për të minimizuar qëndrimin e tyre të paligjshëm në Gjermani. Perspektivë më të mirë për njohjen e statusit të qëndrimit këtu e kishin refugjatët nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Irani. Ministri Friedrich përforcoi gatishmërinë e Gjermanisë për të siguruar edhe më tej mbrojtjen  e të" përndjekurve të vërtetë". 

Autorë: Agjencitë e lajmeve / Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Esat Ahmeti