1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Azilkërkuesit nga Shqipëria

Arben Muka12 Qershor 2013

Romët dhe ata që janë përfshirë në gjakmarrje përbëjnë numrin më madh të azilkërkuesve. Më shumë kërkesa ka në Gjarmani, Suedi, Belgjikë, Zvicër e Luksenburg, por dhe vende jashtë Schengenit.

https://p.dw.com/p/18o3Q
BE dhe Shqipëria.
BE dhe Shqipëria.Fotografi: DW/A.Muka

Rreth dy vjet e gjysmë që kur nisi të aplikohet për qytetarët e Shqipërisë regjimi i lëvizjes pa viza për në zonën Schengen të BE-së procesi është i rrezikuar. Për Komisionin Europian janë shqetësuese raportimet nga vendet europiane që flasin për rritje të kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë. Sipas burimeve të Komisionit në një kohë që trendi i kërkesave për azil nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia është në rënie, për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën kërkesat janë në rritje. Konkretisht për Shqipërinë shtesa e kërkesave për azil shkon në kuotën 74 përqind. Të lokalizuara si shtete "atraktive" për azilkërkuesit nga Shqipëria janë Gjermania, Suedia, Belgjika, Zvicra dhe Luksenburgu.

Kjo ka rikthyer shqetësimet e autoriteteve zyrtare në Tiranë se mos fluksi në rritje i atyre që thyejnë kushtet e regjimit të lëvizjes pa viza do të detyrojë Brukselin për masa të përkohshme ndëshkuese, duke rikthyer kushtet e udhëtimit për qytetarët vetëm pasi ata të jenë pajisur me viza nga zyrat konsullore të selive diplomatike të këtyre shteteve. Për ekspertët kjo situatë do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Duhet evituar precedenti negativ i rikthimit të vizave

Gledis Gjipali
Gledis GjipaliFotografi: DW/A.Muka

Për Gledis Gjipalin drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, EMA, vendet që përballen me kërkesat në rritje për azil janë të detyruara që të bëjnë presion për të bërë pezullim në afat të caktuar të regjimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve nga vendet problematike të rajonit. Për fat të keq aktualisht Shqipëria është në vend të parë në shfaqjen e këtij fenimeni dhe ajo që bie në sy është se veç Gjermanisë, Suedisë, Belgjikës, Zvicrës dhe Luksenburgut, kërkesa azili janë regjistruar së fundi dhe në Francë, apo në shtetet jashtë Schengen-it si në Britaninë e Madhe e Irlandë. Me ndryshimet ligjore për të cilat ka dakordësi mes Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave është futur elementi i pezullimit të përkohshëm të lëvizjes pa viza, në një procedurë më të shkurtuar dhe fleksibël, thotë Gjipali për DW.

"Ky procedim bëhet tashmë më me lehtësi nga vende të caktuara të zonës Schengen për ato vende që përbëjnë problem. Shqipëria menjëherë duhet të adresojë problemet e ngritura nga Komisioni Europian, për të evituar precedentin negativ. Më herët ka pasur precedentë të tillë në procesin e integrimit europian të vendit, siç është rasti i marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, objektiv të cilin prej katër vitesh ende nuk e kemi përmubushur. Evitimi i precedentit negativ për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për zonën Schengen është dhe çështje e imazhit të Shqipërisë përballë vendimarrjes së çdo shteti anetar në etapat e integrimit,"

Shkaqet për rritjen e fluksit të azilantëve nga Shqipëria, sipas ekspertëve të integrimit, lidhen më shumë me problemet ekonomike. Në bazë të dokumenteve zyrtare bëhet fjalë për grupe të margjinalizuara, siç është konkretisht rasti i përfaqësuesve nga komuniteti rom.

Strategji afatgjatë me instrumente sociale dhe ekonomike

Kështu u festua para dy vitesh, e tani shumë probleme.
Kështu u festua para dy vitesh, e tani shumë probleme.Fotografi: DW

"Numri i madh i aplikantëve për azil nga radhët e komunitetit rom tregon nevojën që autoritetet në nivel qëndror dhe lokal të adresojnë realisht zgjidhje të problemeve të tyre ekonomike. Për të mos i lënë këto grupine me periferi, dhe duke i lënë çështjet 'të fjetura' për një kohë të gjatë. Gjithashtu dukshëm në rradhët e aplikuesve janë dhe ata qytetarë të përfshirë në fenomenin e gjakmarrjes. Duhen përshëndetur ndryshimet në Kodin Penal për dënimin e veprave që lidhen me gjakmarrjen, por më shumë duhet bërë për parandalimin e këtij fenomeni, për ndërhyrjen me instrumente sociale, ekonomike për këta njerëz dhe familjet e tyre", thotë Gledis Gjipali nga EMA.

Sipas tij, në rastet e kërkesave për azil ku si shkak tek autoritetet e vendeve pritëse jepet gjakmarrja, ka dhe spekullime dhe abuzime nga grupe a persona të inkrimunuar që lëshojnë dokumente të rreme. Edhe në kohën e regjimit të vizave problem për aplikantët shqiptarë ka qenë përdorimi i dokumenteve të fallsifikuara, që duhet të mbetet në fokus të luftës goditëse dhe parandaluese të institucioneve të specializuara.

"Reagimi i autoriteteve ndaj rritjes së numrit të kërkesave për azil nuk duhet të mjaftohet vetëm me fushatat mediatike. Sikundër nuk është i mjaftë show televizv duke treguar me pamje të kthyer nga vendet e Schengenit në aeroportin e Tiranës. Duhen trajtuar problemet në thelbin e tyre dhe jo sipërfaqësore ose thjesht sa për të thënë se e kryem sensibilizmin e qytetarëve për përftimet dhe detyrimet që ka gjithësecili kur kryen udhëtime në BE. Duhen politika dhe strategji afatgjata për grupet ne nevojë, ashtu sikundër duhet siguri nëse mesazhet ndërgjegjësuese mbërrijnë tek këta njerëz. Pasi dihet që aksesi në informim për katëgori të ndryshme personash nuk është i njëjtë."- thotë për DW Gledis Gjipali, drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri.

Qytetarët e Shqipërisë nisën të përfitojnë nga regjimi i lëvizjes pa viza në zonën Schengen të BE-së më 15 dhjetor të vitit 2010. Po në këtë periudhë përfituan nga ky regjim dhe shtetasit e Bosnje Hercegovinës, ndërkohë që një vit më parë lëvizja pa viza në zonën Schengen u aplikua nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.