1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rrugëtim shqiptar" në Gjermani

Erjona Begani28 Nëntor 2015

Ka Tetor Gjerman në Shqipëri, por ka edhe Nëntor Shqiptar në Gjermani. Aktiviteti që sjell kulturën shqiptare më afër publikut gjerman do të jetë pjesë e përvitshme e axhendës së Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/1HE9L
Düsseldorf Landtag Ausstellung Albanischer Künstler
Fotografi: DW/V. Filaj-Ballvora

Platz des Landtags (sheshi i parlamentit) në Dyseldorf anës Rinit - Njerëzit janë vënë në radhë, me palltot dhe çantat në dorë për t'i vënë pas pak mbi konvejer. Ata dhe sendet e tyre duhet të kalojnë nëpër kontrollin e skanerit. Por nuk jemi në aeroport dhe njerëzit nuk janë pasagjerë. Ata janë vizitorët e ekspozitës figurative „Rrugëtim shqiptar“, e para e këtij lloji në Gjermani, e cila zyrtarisht u hap të premten (27.11.) në mjediset e Landtag-ut (parlamentit të landit) të Raninisë Veriore Vestfalisë. Ajo është pjesë e programit kulturor „Nëntori Shqiptar“ në Dyseldorf, i cili jo rastësisht përkon në kohë dhe emër me festën kombëtare të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ky aktivitet kulturor vjen me nismën e Konsulles së Nderit të Shqipërisë në Landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë, Anduena Stephan. „Në tempullin e demokracisë së landit më të fuqishëm ekonomisht të Gjermanisë, kjo ekspozitë, e para në llojin e saj, sjell mesazhin më subtil dhe më të efektshëm të mundshëm: atje ku ka art, ka njerëz, ka botë dhe dëshirë e guxim për më shumë bashkëpunim dhe shkëmbim, për më shumë rrjetëzim dhe komunikim. Dhe ambasadorët që mundësuan këtë ekspozitë, shqiptarët e Gjermanisë janë aty për ta mbajtur aktive këtë urë të re, që po vendosim sot nëpërmjet artit“, nënvizon Anduena Stephan.

Düsseldorf Landtag Ausstellung Albanischer Künstler
Fotografi: DW/V. Filaj-Ballvora

Pas fjalës së hapjes Stephan ua lë radhën atyre që nuk janë thjeshtë të ftuarit e nderit, por edhe kontribuesit në realizimin e këtij aktiviteti. Kryetarja e Parlamentit të Landit, „e zonja e shtëpisë“, Carina Gödecke, u uron mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe shprehet se është e kënaqur që landi i saj ka hapur një dritare drejt Shqipërisë, e cila për shumë gjermanë është ende e panjohur - „një njollë e bardhë“, siç e quajti ajo. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, i pranishëm në këtë event, ve në dukje në fjalën e tij përpjekjet e qeverisë shqiptare për ecjen përpara të vendit dhe përkushtimit e saj të veçantë ndaj fushës së kulturës. Këtë të fundit e thekson edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, duke thënë se ajo dhe ministria që ajo përfaqëson po punon që perceptimi për Shqipërinë të ndryshojë, duke e mbushur atë „njollën e bardhë“, për të cilën foli Kryeparlamentarja Gödecke, „me ngjyrat e kulturës dhe artit shqiptar, me dashuri dhe emocion“. Pasi këto janë lidhjet më të forta dhe më vitale, pa të cilat asnjë iniciativë politike nuk mund të ketë sukses. Ministrja Kumbaro u shpreh gjithashtu entuziaste për marrëveshjen e nënshkruar së fundi (26.11.) me qeverinë gjermane për bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit, e cila me kuadrin juridik që krijon, i kthen aktivitete të tilla në vendtakime të rregullta midis dy kulturave.

Ngjyra, ritme dhe tinguj shqiptar anës Rinit

Hapja e ekspozitës kishte edhe një suprizë: një pasarelë e vajzave të reja veshur me kostume tradicionale shqiptare. Pas kësaj të pranishmit ndoqën guidën e ekspozitës „Shqipëria përmes syve të brezave të artistëve të viteve 2012-2015“, kurator i së cilës është drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, i pranishëm edhe në hapjen e veentit në. Dyseldorf. Pjesa më e madhe e veprave janë marrë nga koleksioni i vizatimeve të Galerisë Kombëtare të Arteve. 50 vizatimet janë dëshmi vizuale e historisë 100-vjeçare të Shqipërisë të periudhës 1912-2012.

Një tjetër bllok të veçantë përbëjnë krijimet nga koleksioni privat i piktorit Sali Allmuça, i cili, gjithashtu i pranishëm në ekspozitë, prej vitesh qendrën e jetës së tij private dhe artistike e ka në Vupertal në Gjermani. Veprat e përzgjedhura dëshmojnë për evoluimin e një artisti në epoka dhe rrethana të ndryshme historike, siç shprehet vetë ai. Edhe ai e sheh kulturën dhe artin si urë lidhëse midis popujve të ndryshëm, pasi gjuha shpirtërore e artit dhe kulturës është universale dhe depërton më shpejt tek njerëzit. Por Allmuça ndërton jo vetëm ura metaforike. Ai tregon se ka investuar para dhe energji artistike edhe në restaurimin e Urës së Tabakëve në Tiranë. Një urë me të cilën ai lidh kujtimet e tij familjare dhe të fëmijërisë, por e cila ka edhe vlerë historike dhe kulturore për vendin. Ai ndihet i kënaqur që ka arritur ta realizojë këtë projekt, të cilin ai vetë e ndjente si detyrim moral. Por fatkeqësisht ky fakt është fare i panjohur në Shqipëri, çka artisti e vëren me keqardhje, pasi promovimi i projekteve kulturore duhet të rritet edhe brenda kufijve të Shqipërisë.

Düsseldorf Landtag Ausstellung Albanischer Künstler
Fotografi: DW/V. Filaj-Ballvora

Blloku i tretë i veprave të artit pamor janë krijime të artistëve bashkohorë, të cilat dëshmojnë për zhvillimin e artit modern në Shqipëri. Ekspozita është materializuar edhe nga një libër shoqërues, i cili iu dhurua pjesëmarrësve të ftuar dhe i cili përveç shtampimit të veprave të ekspozuara përmban edhe të dhëna mbi autorët e tyre. Ndërkohë Landtag-u i Reanisë Veriore - Vestfalisë vazhdon t'i mbajë të hapura dyert për vizitorët e interesuar të ekspozitës „Rrugëtim Shqiptar“ deri në datën 4 dhjetor.

Pjesë e Nëntorit Shqiptar ishte edhe aktiviti rinor i titulluar „We Are Europe“, i cili u zhvillua më 31.10. në Esen. Programi përfshinte një bashkëbisedim politik midis të rinjve dhe përfaqësuesve të politikës nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova rreth perspektivës evropiane dhe integrimit të të rinjve shqiptarë dhe kosovarë.

Nëntori Shqiptar u përmbyll në mënyrë festive në mbrëmjen e 27 nëntorit nën magjinë e notave të muzikës dhe të baletit modern. Pas kryebashkiakut të Dyseldorfit, Thomas Geisel, dhe Ministres shqiptare të Kulturës, Mirela Kumbaro, që u ftuan në skenë për fjalën e tyre përshëndetëse nga organizatorja e aktivitetit, konsullja e nderit Anduena Stephan, fjalën e morën artistët. Koncerti me të drejtë i quajtur Gala, kishte mbledhur emra të njohur të artit shqiptar, me aktivitet kryesisht brenda ose jashtë Shqipërisë. Prof. Ervis Gega, njëkohësisht koncertmaestre e Filharmonisë Klasike të Bonit, e cilësuar si „gjeni e violinës„ dhe „vullkan muzikor“, ia arriti që përmes lojës virtuoze dhe poetike të pjesëve klasike të përzgjedhura të krijonte një atmosferë elegante dhe qetësuese, të mirëpritur nga të gjithë, siç dëshmuan duartrokitjet e sallës së mbushur. Një atmosferë elektrizuese krijoi numri i baletit „No Commeco“ (me muzikë të kompozuar nga portugezi Daniel Cardoso) i kuartetit të Pallatit të Operas dhe Baletit të drejtuar nga drejtori artistik i këtij të fundit, Baletmaestro Dr. Ilir Kerni. Pas një pushimi të shkurtër të tjera ritme mbushën sallën. Eda Zari dhe muzikantët e bandës së saj sollën krijimet e tyre më të reja, pjesë e CD-së ende të papublikuar të tyre. Projekti i tyre ri i muzikës jazz është frymëzuar në himne të lashta shqiptaro-bizantine me tematikë fetare kristiane, deri tani të pazbuluara dhe të panjohura për publikun. Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, që mori fjalën më pas, u shpreh mes të tjerash se ndihet krenar që ministria që ai drejton, ka investuar në një aktivitet të tillë, që shpalos vlerat më të mira shqiptare dhe që këtë e bën shumë më mirë nga ç'mund ta bëjë politika. Të fundit, por të shumëpriturit, ishin pjesëtarët e grupit të ri kosovar, por shumë popullor, Zig Zak Orchestra. Një përzierje e rafinuar e motiveve të muzikës folk shqiptare me ato ballkanike dhe rryma të rrokut dhe baladës nga këngëtari, kitarristi dhe kompozitori i grupit Dren Abazi, solli entuziazmin dhe gjallërinë e premtuar nga „Ritmet Ballkanike“.

Të pyetur rreth arsyes së pjesëmarrjes në ekspozitë apo koncert dhe përshtypjeve rreth tyre, vizitorët gjermanë u shprehën se interesimi i tyre lidhet me dëshirën për të njohur një kulturë sa të afërt gjeografikisht aq edhe „të largët“ për ta, pasi shumë pak dinë dhe kanë dëgjuar për Shqipërinë. Dhe duket se pikërisht oferta artistike në qytetin e tyre i ka sjellë ata këtë radhë pranë Shqipërisë. Prandaj Nëntori Shqiptar duhet dhe do të rikthehet patjetër sërish vitin e ardhshëm, siç premtoi Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.