1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga drejt anëtarësimit në BE

2 Mars 2012

Serbia u bë kandidate për anëtarësim në BE. Vetëm titull nderi, apo edhe ndihma financiare? Cila është procedura për pranim? Dhe ku ndodhen kandidatët e tjerë?

https://p.dw.com/p/14Cpu
Fotografi: European Community

Pas negociatave të vështira në samitin e BE në Bruksel, Serbia u ngrit në rangun e kandidatit për pranim në bashkësinë e 27 shteteve të BE. Para samitit Serbia arriti një marrëveshje me Kosovën, për të mënjanuar grindjen lidhur me statusin ndërkombëtar të Kosovës. Për Serbinë titulli "kandidat" është një hap i rëndëdsihëm në rrugën e gjatë drejt antarësimit. Në vitin 2009 Serbia kërkoi zyrtarisht anëtarësimin. Tani Komisioni i BE në Bruksel do t'i japë kandidatit të ri kushtet, që duhet të përmbushë për fillimin e negociatave për pranim. "Ne nuk duam në asnjë mënyrë të importojmë konflikte të reja në BE", tha komisari i BE-së për zgjerimin Stefan Fyle duke patur parasysh Serbinë.

Flamujt e BE dhe Serbisë
Flamujt e BE dhe SerbisëFotografi: DW

Sipas të dhënave të Komisionit të BE një tjetër kandidat, Maqedonia, pret fillimin zyrtar të bisedimeve që prej vitit 2005. Republika e dikurshme jugosllave i ka plotësuar praktikisht të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve, por grindja për emrin e vendit me anëtaren e BE-së, Greqinë, nuk është kapërcyer akoma. Një tjetër kandidat, që pret akoma hapjen e negociatave për anëtarësim, është shteti i vogël i Malit të Zi, që është shkëputur nga bashkësia shtetërore me Serbinë në vitin 2006. Mali i Zi mori statusin e kandidatit në vitin 2010.

Islanda dhe Turqia negociojnë

Grupi tjetër i kandidatëve për pranim është një hap më tutje. Islanda dhe Turqia negociojnë për pranimin e tyre me shtetet e tjera të BE-së. Islanda, shteti ishull në Atlantikun e Veriut, bën përparime të shpejta. Që nga falimentimi gjatë krizës financiare, Islanda do të hyjë në gjirin e BE-së. Që prej korrikut 2010 po zhvillohen negociata konkrete.

Flajmujt e BE-së, Kroacisë dhe Turqisë
Flajmujt e BE-së, Kroacisë dhe TurqisëFotografi: DW/DPA

Kroacia do të anëtarësohet në vitin 2013

Kroacia ia ka dalë mbanë. Vendi do të jetë nga 01 korriku 2013 vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Traktati i pranimit u nënshkrua nga kryetarët e shteteve të BE në dhjetor 2011 dhe do të ratifikohet vetëm nga parlamentet. Kroacia kishte aplikuar për anëtarësim që në vitin 2003. Dhjetë vjet ka zgjatur gjithsej procesi i pranimit.

Tre vende, që presin në rradhë

Bosnjë-Hercegovina nuk ka mundur të bëjë kërkesë për antarësim në BE. Vendi, ku nuk është arritur ende pajtimi ndërmjet palëve ndërluftuese, është shumë i paqëndrueshëm për bisedime formale për pranim. Në vitin 2008 u vendos një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi me BE, që ka për qëllim ta afrojë Bosnjë-Hercegovinën në standartet evropiane dhe dikur ta bëjë të aftë për antarësimin përfundimtar. Kosova, që ka shpallur pavarësinë nga Serbia, nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE si shtet i pavarur. Prandaj bisedimet formale për pranim nuk janë një herë për një herë të mundura. Në vitin 2008 BE vendosi, që edhe territori i Kosovës të ketë "perspektivë evropiane", kur të jenë sqaruar çështjet e statusit dhe marrëdhëniet me Serbinë. Shqipëria ka bërë kërkesë në vitin 2009. Në moment po zhvillohen negociata ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komisionit të BE në Bruksel për të shqyrtuar, nëse Shqipëria po bën përpjekje të mjaftueshme në gjyqësor, apo në frenimin e krimit të organizuar. Për njohjen e saj si kandidat nuk është vendosur ende.

Pamje simbolike: BE dhe Ballkani Perëndimor
Pamje simbolike: BE dhe Ballkani PerëndimorFotografi: DW

Autor: Bernd Riegert/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama