1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë e Serbisë për në BE

Zoran Arbutina15 Dhjetor 2015

Filluan zyrtarisht në Bruksel bisedimet e anëtarësimit mes BE-së e Serbisë. Do të jetë një rrugë e gjatë, që do të vazhdojë me vite. Serbia duhet të reformohet rrënjësisht. E përveç kësaj është edhe çështja e Kosovës.

https://p.dw.com/p/1HNHE
Belgien EU Beitrittsverhandlungen mit Serbien
Hapen bisedimet e anëtarësimit Serbi-BEFotografi: picture-alliance/dpa/S. Lecocq

Nga perspektiva e Serbisë bisedimet për anëtarësimin në BE janë pa alternativë: ky është një synim strategjik i Serbisë, ka theksuar kryeministri Aleksandar Vuçiç herë pas here këto dy vitet e fundit, e ardhmja e vendit është vetëm në BE, nënvizon ai pa u lodhur.

Për ta arritur këtë sigurisht do të bëhen shumë përpjekje, reformat e nevojshme duhen miratuar dhe zbatuar me procedura të përshpejtuara, premton kryeministri popullor. "Në katër vjet, deri në fund të 2019, Serbia do të ketë kryer pjesën e vet të punës", deklaroi Vuçiç para disa ditësh në Beograd pas bisedimeve me komisarin e BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn. Se kur BE-ja do të arrijë që ta pranojë Serbinë në radhët e veta, kjo nuk varet më nga Beogradi, thotë Vuçiç.

Lamtumirë rrënimit ekonomik

Se çfarë do t'i sjellë Serbisë ky anëtarësim, Vuçiç e komunikoi menjëherë: shumë investitorë të mëdhenj të huaj janë të gatshëm të investojnë në Serbi dhe të krijojnë mijëra vende të reja pune, "por vetëm, nëse ne jemi në rrugën europiane".

Të tilla investime i nevojiten urgjentisht Serbisë. Kuota e papunësisë është 22 përqind, tek të rinjtë një në dy është i papunë. Rritja ekonomike pas minusit vitin e kaluar, sivjet do të arrijë në vetëm një gjysmë përqind, të ardhurat mesatare neto janë afërsisht 380 Euro në muaj. Pasoja është, që shumë të rinj dhe njerëz me kualifikim të mirë largohen nga vendi dhe kërkojnë një perspektivë jetese në botën e jashtme, kryesisht në vendet e Europës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut.

Një tjetër kandidat problematik

Në World Press Freedom Index të Reporterëve pa Kufij për vitin 2015 Serbia renditet në vendin e 67-të, dhe Organisata Freedom House nga Washingtoni e konsideron Serbinë si një vend me "media vetëm pjesërisht të lira". Në një sondazh të fondacionit gjerman Konrad-Adenauer në shtator 2014 nëntë nga dhjetë gazetarë serbë pohojnë, se censura dhe vetëcensura janë të zakonshme në vend.

Njëkohësisht Serbia është një vend, ku korrupsioni ka depërtuar në të gjitha poret e shoqërisë. Në indeksin e korrupsionit të Transparency International Serbia renditet në vendin e 78-të, mes Malit të Zi dhe Tunizisë. Së fundi gazeta më e madhe serbe "Blic" ka publikuar një "listë të çmimeve të korrupsionit". Në bazë të saj për 300 Euro mund të realizohet ndryshimi i shkollës. Një punim për mbrojtjen e doktoraturës kushton rreth 3000 Euro dhe një leje ndërtimi 1000 Euro. Për trajtimin me preferencë gjatë lindjes nëna duhet të paguajë 1000 Euro.

Para pesë vjetësh u themelua në Serbi një agjenci kundër korrupsionit, por mundësitë e saj për kufizimin e korrupsionit janë shumë të pakta. "problemi ynë më i madh ka të bëjë me faktin, se kemi raste, që i zbulojmë dhe nuk mund t'i nxjerrim në gjyq ose t'i sanksionojmë në një mënyrë tjetër", ankohet Vladan Joksimovic, zëvendësdrejtor i agjencisë. Kush akuzohet për korrupsion, duhet të paguajë një gjobë të vogël dhe rasti me kaq mbyllet. Sivjet janë njoftuar 11 raste korrupsioni në nivele të larta politike apo në nivelin e administratës e vetëm njëri prej këtyre rasteve përfundoi në gjykatë.

Çështja e vështirë e Kosovës

Një tjetër pengesë është edhe çështja e vështirë për t'u zgjidhur e Kosovës. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në kushtetutën serbe Kosova është e përkufizuar qartazi si pjesë e Serbisë. Në këtë qëndrim Beogradi nuk është vetëm: pesë nga 28 vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, po ashtu si edhe Rusia e Kina.

Njohja e Kosovës zyrtarisht nuk është parakusht për një anëtarësim të mëvonshëm të Serbisë në BE. Por nuk është as sekret, që disa vende anëtare ndër to edhe Gjermania, preferojnë që të vendoset ky kauzalitet. Ksenija Milenkovic, drejtore e Zyrës së Serbisë për Integrimin Europian (SEIO) në Beograd, e thekson qartë, se ankorimi ligjor kushtetues i Kosovës në strukturën shtetërore serbe nuk është thjeshtë retorikë. "Në rast se njohja e Kosovës ndonjëherë do të jetë një kusht zyrtar për anëtarësimin në BE, përgjigja jonë do të jetë fare qartë 'jo'!", thekson ajo duke pasqyruar qendrimin e qeverisë së kryeministrit të saj Vuçiç. BE-ja është e vetëdijshme për këtë dhe ndaj komisari i BE-së për Zgjerimin Johannes Hahn në bisedë për DW në vend të njohjes flet për një "proces normalizimi të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës". Por ajo nuk donte të saktësonte, se kur marrëdhëniet midis dy vendeve do të mund të cilësohen si "normale".

Në rrugë të mbarë

Vështirësia e çështjes së Kosovës është edhe arsyeja, përse bisedimet e antarësimit në Bruksel fillojnë në mënyrë të pazakontë me hapjen e kapitujve 32 (kontrolli financiar) dhe 35 (çështje të ndryshme) dhe jo si zakonisht me temat drejtësia, të drejtat themelore dhe siguria. Kjo për arsye se pas titullit neutral "çështje të ndryshme" në bisedimet me Serbinë qendron tema e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Bundestagu gjerman ka insistuar në një rezolutë, që të hapet neni mbi çështjen e Kosovës si i pari në fillim të bisedimeve të anëtarësimit dhe të mbyllet si i fundit.

Se sa kohë mund të kërkojë kjo, është ende e hapur. Ndërsa kryeministri serb preferon sa më shpetj të jetë e mundur të celebrojë antarësimin në BE, Ksenija Milenkovic nga qendra SEIO në Beograd është shumë më e tërhequr. "Ne nuk kemi aspak iluzione, ne e dimë, që zgjerimi ndërkohë nuk është ndër tri temat kryesore në agjendën e BE-së", thotë Milenkovic në bisedë për DW dhe shton: "Të paktën kjo nuk ka prioritet me këtë komision". Me marrjen e postit nëntorin e kaluar presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker tha, se gjatë mandatit të tij deri në vitin 2019 nuk do të ketë zgjerim të unionit.

Ndaj dhe komisari i Zgjerimit Johannes Hahn është i rezervuar. "Ne ndodhemi në fillim të rrugës", tha ai në Beograd. Pavarësisht "ndryshimit rrënjësor politik“, që ka përjetuar Serbia në dy vitet e fundit ende ka "shumë për të bërë". Se sa do të zgjasë kjo "nuk mund të parashikohet". Politika e Serbisë në krizën e refugjatëve është perceptuar mjaft pozitivisht në Bruksel, i jemi mirënjohës Beogradit lidhur me këtë çështje për qendrimin konstruktiv dhe bashkëpunues, thekson Hahn. Për Serbinë bisedimet e anëtarësimit nisin në një atmosferë ppozitive.