1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rudens Turku : Një star shkon e vjen, ky nuk dua të jem

5 Dhjetor 2011

Rubens Turku ka arritur majat më të larta të skenës së muzikës së dhomës. Këtë vit violinisti Turku do të japë një recital në Wigmore Hall, në Londër, sallën më të mirë koncertore të botës. Ndiqni një intervistë me të:

https://p.dw.com/p/KQhB
Rudens Turku
Rudens TurkuFotografi: wildundleise.de

Deutsche Welle: Nga vjen emri juaj Rudens?

Rudens Turku: Emri im nuk ekziston, mamaja ime i vuri një "d" emrit Rubens kur linda unë dhe bëri nga Rubens Rudens. Ky emër nuk ka ekzistuar më parë.

Deutsche Welle : Prindërit tuaj janë marrë me muzikë?

Rudens Turku: Babai im ështe marrë me muzike, ka qenë mësues violine në shkollën e muzikës në Durrës.

Deutsche Welle : Kur e keni kapur violinën për herë të parë?

Rudens Turku: Unë e kam filluar violinën në moshën gjashtëvjeçare në shkollën e muzikës në Durrës dhe deri në moshën 13 vjeç kam qenë aty dhe në moshën 14 vjeç kam ardhur në Gjermani.

Deutsche Welle : Ju keni qenë në klasën e një violinisteje me famë Ana Çumaçenkos, i dha ajo impuls karrierës suaj?

Rudens Turku: Unë kam pasur shumë fat që të futem në klasën e vilonës të Ana Çumaçenkos këtu në Mynih. E rëndësishme për mua nuk ishte karrierra por që të bëhesha një muzikant i mirë. Dhe në shkollën që kam mësuar me Ana Çumaçenkon kam pasur fatin që të bëhesha një muzikant i mirë. Kjo është më e rëndësishme se sa karriera. Nëqoftëse karriera zhvillohet më vonë atëherë është diçka që zhvillohet prej fatit dhe fati duhet, por rëndësia më e madhe ka qenë që të bëhesha muzikant i mirë, një violinist i mirë dhe ky fat m'u dha duke studiuar me këtë profesoreshë fanstastike.

Deutsche Welle : Gjithësesi ju i keni pasur premisat për t'u pranuar në klasën e saj. Ju erdhët nga Shqipëria si të thuash, gjysëm i përgatitur?

Rudens Turku: Kur erdha nga Shqipëria, një vit kisha një mësues rus që ka qenë nxënës i David Oistrakh, pastaj luajta për Ana Çumaçenkon. Kam qenë 15 vjeç e gjysëm, kur luajta një program në klasën e saj dhe ajo më tha se do të donte që të hyja në klasë e saj për të filluar studimet me të. E mbaj mend se kur bëra provimin për t'u futur në Universitetin e Mynihut, konkuronin edhe 110 violinistë të tjerë. Ajo pranoi vetem dy vetë, një gjermane që ka qenë studente e asistentes së saj dhe mua. Mund të kishte pasur mundësinë që të merrte violinistë që ishin të përkryer, por ishte fati im që më zgjodhi mua.

Deutsche Welle : Ju luani Brahms, Çajkovski, Bach, Betthoven. Si i zgjidhni kompozitorët që luani?

Rudens Turku
Rudens TurkuFotografi: wildundleise.de

Rudens Turku : Varet, sepse për shembull disku i fundit ka qenë me temën e Mendelsohnit, për shkak të vitit të tij 2009, dhe unë regjistrova Koncertin e Mendelsohnit me orkestër dhe Sonatën e Mendelsohnit. Kjo ishte diçka tematike. Varet se çfarë temash ka në çdo vit, dhe cilët janë kompozitorët që kanë përvjetorët e tyre. Pra është edhe rastësi se çfarë kompozitorësh zgjedh.

Deutsche Welle : Ju keni regjistruar tri CD, njä solo dhe dy në duet ? Partneret në duet i zgjidhni vetë, apo përcaktohen nga studiot e regjistrimit?

Rudens Turku : Partnerët i zgjedh vetë. Mua më është dhënë mundësia në Londër të incizoj disqet në Avie Records dhe kam fatin që të luaj me partnerë shumë të mirë si Wen Sinn Jang, violoçenlisti ose Oliver Schnyder nga Zvicra. Me çdo regjistrim që bëj e ndiej se më zhvillon si person dhe si muzikant më shumë.

Deutsche Welle : Si duket një ditë e juaja e zakonshme?

Rudens Turku : Ditë të zakonshme për mua nuk ka, sepse çdo ditë është e ndryshme. Nëse jam në Mynih çohem pak më vonë por nëse jam në shtëpi kam më shumë punë, sepse ngaqë nuk jam shumë shpesh atje kam më shumë gjëra për të bërë. Nuk ka ditë normale si me thënë në jetën time. Unë drejtoj pesë festivale në Gjermani, Austri, Itali, kam një Institut që e drejtoj afër Mynihut, koncertet, gjëra të ndryshme që nuk të japin mundësinë të bësh një jetë normale siç e mendojnë njerëzit që nuk janë muzikantë. Por mundohem edhe unë të ndjek hobet e mia.

Deutsche Welle : Ju jetoni në Mynih?

Rudens Turku : Unë jetoj në Mynih me familjen dhe shoqen time. Më pëlqen shumë kjo.

Deutsche Welle : Cilat janë pesë festivalet që drejtoni?

Rudens Turku : Festivali i parë dhe më i rëndësishëm është festivali i Starnbergut që vitin tjetër feston dhjetë vjetorin. Aty do të luajnë vitin tjetër Ana Çumaçenko, András Adorján. Ky festival zgjat 1 muaj e gjysmë. Një festival tjetër është në Piemont në Itali, një tjetër e kemi në Austri, një e kemi në afër Mynihut në Tegensee, dhe tjetrin e kemi në Tyringen. Instituti është brenda festivalit të Starnbergut. Aty ka gjatë gjithë vitit mësues që përgatisin të rinjtë dhe të rejat për t'u futur një ditë në universitete ose të shkojnë të studiojnë. Aty marrin mësim në teori, solfezh, violinë, muzikë dhome. Është një bazë shumë e mirë që u jepet të rinjve brenda festivalit.

Deutsche Welle : Jeta juaj është e ndarë midis mësimdhënies, ushtrimit dhe koncerteve?

Rudens Turku : Më të rëndësishme tani për mua janë koncertet. Më është dhënë fati që të kem një kalendar shumë të mbushur. Deri në vitin 2011, 2012 kam shumë koncerte për të luajtur. Kjo është kryesorja për mua tani. Por edhe mësimdhënia e violinës është shumë i rëndësishëm për mua. Unë e ndjej shumë se dua t'ia jap të rinjve atë që kam mësuar.

Deutsche Welle : Ku do t'ju çojnë sezonet e ardhshme?

Rudens Turku : Sezoni i koncerteve do të më sjellë në Wigmore Hall në Londër me një recital, në Carnegie Hall në Nju Jork, në Filarmoninë e Mynihut, në një turne në Kinë që është për herë të parë. Këto janë disa kulme të rëndësishme që kam përpara meje. Në Kinë do të bëj një program duo për violinë dhe violonçelë. Me Oliver Oliver Schnyder programe të ndryshme dhe programet e tjera do të jenë me orkestër.

Deutsche Welle : Ju jeni violinist i kompletuar? Kritikat shkruajnë për ju "ylli i ri në qiellin e veglave me harqe"

Rudens Turku : Kritikat mund të shkruajnë si ta ndiejnë ato, por në atë moment që një muzikant mendon se e ka arritur pikën kur nuk mund të bëhet më mirë, atëherë ta mbylli violonën dhe të merret me diçka tjetër.

Deutsche Welle : Si ndihet njeriu "star"?

Rudens Turku : Nuk e di çfarë do të thotë star. Unë nuk luaj violinën për të qenë star. Ato që më sjellin me të vërtetë kënaqësi janë muzika dhe që kam fatin të luaj me partnerë vërtet shumë të mirë. Një star shkon e vjen, ky nuk dua të jem.

Autor : Aida Cama

Redaktoi : Dr. Pandeli Pani