1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumani: shteti juridik edhe më tej nën goditje

Peter Janku18 Qershor 2015

Korrupsioni në nivelin më të lartë ka shkaktuar në Rumani një krizë të re politike dhe institucionale.

https://p.dw.com/p/1FihH
Parlamenti Bukuresht
Fotografi: Sean Gallup/Getty Images

Parlamenti sapo e kish refuzuar kërkesën e prokurorisë, për të nisur hetimet për korrupsion kundër kryeministrit socialdemokrat Victor Ponta, kur sytë e të gjithëve u drejtuan nga Presidenti Klaus Iohannis dhe nga gjykatësit më të lartë të republikës. Si do të reagonin ata ndaj kësaj sfide?

Kryetari i shtetit iu përgjigj menjëherë: Iohannis e kritikoi vendimin shumë të diskutueshëm të shumicës parlamentare kundër drejtësisë dhe i kërkoi kryeministrit të japë dorëheqjen. Kryetarja e Gjykatës më të Lartë, Livia Stanciu theksoi nga ana e saj se incidentet në parlament tregojnë se ligji në vendin e saj "nuk vlen për secilin".

Sulm ndaj drejtësisë?

Ndërsa aleatët e Pontas në parti dhe në parlament përpiqen që t'i japin një drejtim tjetër kësaj historie. Komiteti ekzekutiv i socialdemokratëve u përpoq që të forconte në një mbledhje urgjente krahët e kryeministrit që ndodhet nën dyshim për korrupsion, Victor Ponta. Mesazhi i Pontas pas takimit ishte monumental: "pavarësia e drejtësisë duhet ruajtur dhe duhet mbështetur".

Problemi është se Presidenti, gjykatësit, prokurorët dhe opozita vërtet kërkojnë gjëra të ngjashme, por ata kanë një interpretim krejt tjetër të koncepteve të drejtësisë, demokracisë dhe shtetit juridik. Për Pontan ka dyshime se është përfshirë në larje parash, falsifikim dokumentash, evazion fiskal dhe konflikt interesi. Atë ndër të tjera e akuzojnë se si avokat partner i shokut të tij dhe i ish-ministrit Dan Sova ka shënuar në llogari të tij shërbime që nuk i ka kryer.

Parlamenti e mbron Pontan

Por Ponta, i cili pati premtuar katër muaj më parë se do të japë dorëheqjen, nëse autoriteti i anti-korrupsionit DNA do të niste hetime kundër tij, tani e ka ndryshuar rrënjësisht pozicionin e tij. Tani ai betohet me zë të lartë se është i pafajshëm dhe ankohet për një gjoja "drejtësi politike", e cila "kërkon të ketë pushtetin e vetme dhe të zëvendësojë parlamentin si dhe qeverinë."

Kryetari i shtetit vetë, sipas kushtetutës nuk i ka kompetencat e nevojshme për t'i sjellë në arsye kryemininistrin, senatorët dhe deputetët, kur ata me shumicë parlamentare bllokojnë proceset kundër drejtësisë dhe pengojnë imunitetin e politikanëve. Edhe Partia Nacional-Liberale (PNL), partia më e rëndësishme e opozitës dështoi të premten e kaluar në përpjekjen e saj në Parlament, për të bërë që të pranohet një mocion votëbesimi kundër Pontas. Njëkohësisht, shumica qeveritare përmendi në Parlament disa ndryshime të Kodit Penal. Vëzhguesit kritikuan se këto ndryshime, po të miratohen, do t'i vështirësojnë së tepërmi proceset e drejtësisë kundër politikanëve të korruptuar.

Ndarja e pushteteve në rrezik

Luftimi i korrupsionit në nivelin më të lartë në këtë mënyrë do të asgjësohej, paralajmëron profesor Mircea Vasilescu, kryeredaktor i revistës së përjavshme "Dilema Veche". Njëkohësisht ndarja e pushteteve është "në rrezik akut". Nën presion ndodhet edhe liria e shtypit "e cila, përmes fuqisë ekonomike dhe një ndikimi shpesh direkt të carëve të medieve të afërt me qeverinë, është kufizuar në mënyrë të konsiderueshme."

Shteti juridik rumun, thotë historiani dhe politilogu Vladimir Tismaneanu, mund të dështojë në mënyrë të ngjashme si një çerek shekulli më parë, kur pas fundit të regjimit të Çausheskut, kryetari i parë postkomunist i shtetit, Ion Iliescu thirri për ndihmë në qershor 1990 mijëra minatorë kundër qeverisë demokratike. "U shkaktua anarki për të likujduar lirinë dhe për të futur sërish sistemin njëpartiak", deklaron Tismaneanu. Ai e krahason qëndrimin e Iljeskut me atë të kryeministrit të dënuar për korrupsion, Adrian Nastase si dhe të nxënësit të tij Victor Ponta. Të tre, thotë Tismaneanu i bashkon "i njëjti përçmim për shtetin juridik, i njëjti qëndrim arbitrar, i njëjti kult personi dhe i njëjti cinizëm."

Për të arritur një vendim të shoqërisë në dobi të shtetit juridik, thotë Mircea Vasilescu, duhet treguar durim dhe "të mbështetemi te opinioni publik, që në vjeshtë të vitit të kaluar tregoi përmes zgjedhjes së presidentit me origjinë gjermane se mund të mobilizohet për mbrojtjen e demokracisë.