1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia dhe e drejta ndërkombëtare

Klaus Jansen/Auron Dodi10 Mars 2014

Trupa të armatosura kontrollojnë Krimenë. Sipas ekspertëve perëndimorë, kjo shkel të drejtën ndërkombëtare. Rusia tregohet e bindur se vepron në përputhje me ligjet. Por argumentat janë të dobët.

https://p.dw.com/p/1BMvA
Bildergalerie Ukraine 7. März 2014 Sicherheitspersonal in Simferopol
Fotografi: Reuters

"Ajo që ka ndërmarrë në Krime udhëheqja ruse, shkel në mënyrë të qartë të drejtën ndërkombëtare", thotë Jean Claude Juncker, ish-kryeministër i Luksemburgut dhe kandidati kryesor i konservatorëve për zgjedhjet evropiane. Angela Merkel e sheh gjendjen me sa duket në mënyrë të ngjashme. Ajo e akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një telefonatë për "intervencion të papranueshëm rus në Krime", siç e konfirmoi zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Georg Streiter.

Karta e Kombeve të Bashkuara - baza e së drejtës ndërkombëtare - ua ndalon shteteve luftërat pushtuese. Por Rusia tregohet e bindur se ndërhyrja ushtarake është e justifikuar në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Putini e justifikon këtë me pohimin se jeta e nënshtetasve rusë është në rrezik. Stefan Talmon, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Bonit, e konsideron këtë argumentim të gabuar. "E drejta ndërkombëtare nuk njeh leje, për të dërguar trupa të armatosura në një shtet tjetër, për të mbrojtur atje grupe popullate."

Merkel: "intervencion i papranueshëm"
Merkel: "intervencion i papranueshëm"Fotografi: picture-alliance/dpa

Asnjë ndërhyrje pa lejen e Këshillit të Sigurimit

Dërgimi i trupave do të ishte vetëm atëherë në pajtim me Kartën e OKB-së, kur qeveria e Ukrainës t'i kërkonte Rusisë ndihmë: "Edhe një qeveri në mërgim mund ta shqiptojë këtë ftesë, siç e quajnë, dhe ish-presidenti Janukoviç ndodhet tani në Rusi", thotë Talmon. Por ky variant do të ishte legjitim vetëm, nëse qeveria e re do të kishte ardhur në pushtet me puç. Kurse Janukoviçin e shkarkoi parlamenti i Ukrainës. Megjithëkëtë ambasadori rus në OKB, Vitali Curkin, e justifikoi ndërhyrjen ushtarake me kërkesën e Janukoviçit për të "rivendosur rregullin dhe rendin". Zëra të tjerë në Moskë ngulin këmbë se trupat mbrojtëse veprojnë më iniciativën e tyre.

Një lloj gjoja mbrojtje qytetare e banorëve të Krimesë e ka rrethuar aktualisht gadishullin. "Veprimet profesioniste të të ashtuquajturve "civilë të armatosur" vërtet që të çojnë vetëm në përfundimin se bëhet fjalë për trupa ruse." Por, "edhe sikur kjo të mos ishte e vërtetë, e drejta ndërkombëtare ua ndalon shteteve armatimin dhe mbështetjen e trupave të parregullta të armatosura në një shtet tjetër."

Pasoja në gjendjen në Krime, shkelja prej Rusisë e Kartës së OKB-së nuk pritet të ketë, beson Talmon. "Problemi është se e drejta ndërkombëtare është e dobët në zbatim", thotë Talmon.

Talmon "Ajo që ndodh në Krime, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare."
Talmon "Ajo që ndodh në Krime, nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare."Fotografi: Privat

Paralele Talmoni sheh me ndërhyrjen e Natos në Kosovë. "Perëndimi e shkeli atëherë shumë të drejtën ndërkombëtare dhe Rusia po vepron ngjashëm për momentin", tha ai. "Edhe Republika e Kosovës njihet gjashtë vjet pas pavarësisë vetëm nga 100 shtete, 90 të tjera nuk e njohin." Por ndryshimi me situatën në Krime është se në rastin e Kosovës, midis ndërhyrjes ushtarake të Natos dhe shpalljes së pavarësisë qenë nëntë vjet, në të cilat territori i Kosovës ishte nën administrimin e OKB-së. "Kurse tani, ky proces duhet të ndodhë brenda pak ditësh dhe në prani të trupave ruse."