1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia do të stacionojë raketa me rreze të shkurtër veprimi në Kaliningrad

Kristina Nagel 6 Nëntor 2008

Kjo deklaratë e presidentit të Rusisë, Dmitri Medvedjev bëri të mos i kushtohet vëmendje njoftimit tjetër të tij për hapa konkretë demokratizues për Rusinë.

https://p.dw.com/p/FoQ0
Presidenti rus gjatë fjalimit të tij të parë për gjendjen e kombit
Presidenti rus gjatë fjalimit të tij të parë për gjendjen e kombitFotografi: picture-alliance/ dpa

Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedjev nuk i bëri vetes ndonjë shërbim kur në fund të fjalës së tij të parë drejtuar kombit foli për stacionimin e raketave Iskander në Kaliningrad. Perëndimi reagoi menjëherë dhe nuk foli më për gjë tjetër. Kjo në një kohë, kur këto plane që Rusia i sheh si përgjigje ndaj sistemit amerikan të mbrojtjes raketore në Çeki dhe Poloni nuk janë të reja.

Që në verë të vitit të kaluar ish-zëvendëskryeministri Ivanov tha se Rusia do të hiqte vetëm atëherë dorë nga raketat, po të bihej dakord për një projekt të përbashkët: "Po të pranohej propozimi ynë, atëherë për ne nuk do të kishte më nevojë që të staciononim çfarëdolloj tipash të reja armësh ose raketash në pjesën evropiane të vendit, për shembull në Kaliningrad."

Surpriza e vërtetë mbeti në hije

Në gjithë emocionin e shkaktuar nga raketat dhe vija e ashpër në politikën e jashtme, të cilën e paraqiti pasardhësi i Putinit, surpriza e vërtetë u harrua krejtësisht. Medvedjevi paralajmëroi për herë të parë hapa konkretë, për të demokratizuar politikën e brendshme ruse. Edhe organizatat joqeveritare dhe institucionet shoqërore do të luajnë këtej e tutje një rol, tha ai.

"Unë propozoj, që të merren masa, të cilat të përkujdesen që qytetarët të jenë në gjendje të marrin pjesë më aktive në jetën politike." - tha Medvedjevi.

Shans për partitë e vogla

Themelimi dhe regjistrimi i partive për shembull do të lehtësohet, po ashtu edhe hyrja e tyre në parlament.

"Pesë milionë nga qytetarët tanë preferuan në zgjedhjet e fundit parti, të cilat nuk arritën të futen në parlament. Këta njerëz tani nuk kanë përfaqësues në nivel federal. Dhe kjo, megjithëse ata janë angazhuar. Kjo është e padrejtë."

Medvedjevi vërtet që do t'i përmbahet hë për hë kufirit të 7 përqindshit, por ai mund ta përfytyrojë një rregullim të përkohshëm, për t'u dhënë një shans partive të vogla, por edhe organizatave joqeveritare, që kanë paraqitur kandidatë:

"Propozimi im do të ishte, që partitë që arrijnë të fitojnë pesë deri shtatë përqind të votave, të jenë në gjendje të presin deri dy mandate."

Parlamenti pritet të fitojë një peshë më të madhe përballë qeverisë. Raportime të rregullta të kabinetit do të kthehen në detyrim. Për të konceptuar dhe zbatuar reforma urgjente, Medvedjevi kërkoi një zgjatje të periudhës legjislative të Dumas në pesë vjet. Presidenti sipas tij duhet të rrijë gjashtë vjet në post.

Më shumë demokraci dhe transparencë do të ketë edhe në raportin midis qendrës dhe rajoneve. Guvernatorët do të emërohen vërtet nga presidenti, siç është praktikuar nga Putini, por partitë e shumicës në rajon do të kenë mundësinë të propozojnë kandidatë.

"E drejta ekskluzive për paraqitjen e kandidatëve përkatës u takon në këtë mënyrë strukturave publike dhe të hapura politike."

Më pak shtet, është kredoja e Medvedjevit. Presidenti rus duhet të provojë tani, se do të ndjekë një linjë të ashpër jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në politikën e brendshme. Propozimet e tij reformuese ofrojnë shansin për ta hapur sistemin e përcaktuar që lart dhe për ta liberalizuar pak shoqërinë e shtetëzuar.