1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia forcon kontrollin e internetit

Mathias Bölinger / Pandeli Pani17 Janar 2014

Ashpërsimi i kontrollit të internetit në Rusi hyn në fuqi më 1 shkurt 2014, pra kur fillon Olimpiada në Soçi.

https://p.dw.com/p/1AsRp
Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Andrej Lugowoi ish-punonjës i KGB-së që dyshohet se ka vrarë në Londër ish-spiunin Alexander Litwinenko është sot deputet i Liberaldemokratëve të populistit Wladimir Shirinowski në Parlamentin rus. Ai është autor i një ligji për ashpërsimin e kontrollit të internetit në Rusi, i cili hyn në fuqi më 1 shkurt 2014, pra kur fillon Olimpiada Dimërore në Soçi.

Andrej Lugowoi
Andrej LugowoiFotografi: picture-alliance/dpa

Ligji i zgjeron kompetencat e autoriteteve të sigurisë për të bllokuar faqet e internetit. Në të ardhmen faqet e internetit dhe të rrjeteve sociale mund të bllokohen jo vetëm për shkak të përmbajtjes ekstremiste apo pornografisë me fëmijë, por edhe në rast se në to bëhet thirrje "për të marrë pjesë në ngjarje masive". "Çdo thirrje për protestë në Facebook u lejon autoriteteve të urdhërojë mbylljen e rrjetit në të gjithë vendin, në rast se thirrje të tilla nuk hiqen nga rrjeti," paralajmëron aktivist i internetit Aleksei Sidorenko.

Që nga koha kur Vladimir Putin u rizgjodh si president në vitin 2012, në Rusi është zgjeruar kontrolli mbi internetin. Zgjedhjet e vitit 2012 u shoqëruan veçanërisht në Moskë dhe Shën Petersburg me protesta. Thirrjet për protesta dhe për demonstrata u përhapën nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook. Menjëherë pas zgjedhjeve, qeveria e re filloi me ashpërsimin e kontrollit të internetit. Një version i parë i ligjit për censurën e internetit, i cila tani është forcuar më tej, hyri në fuqi dy muaj pas rizgjedhjes së Putinit.

Snowden si justifikim për censurën

Organizata Reporterët pa Kufij ftoi në Berlin aktivistët rusë Sidorenko dhe Soldatov për të referuar për zhvillimin e internetit në Rusi. Sipas listës së kësaj organizate për lirinë e shtypit, Rusia renditet në vendin 148, pra gjatë vende më poshtë se më parë.

Podiumsdiskussion Sotschi Internet Kontrolle
Fotografi: ROG/Franziska Senkel

Kjo në një kohë kur Rusia i dha azil Edward Snowden-it. Por ndërkohë që Snowden shihet nga popullsia ruse, si edhe në vende të tjera, si hero, qëndrimi i tij në Rusi nuk ka ndikuar pozitivisht për lirinë e internetit në Rusi, përkundrazi. Sipas Soldatow-it ekspert për shërbimet sekrete, politikanët rusë po shfrytëzojnë ato që thotë Snowden për të shtuar kontrollin e internetit, kinse për të mbrojtur qytetarët rusë prej spiunazhit dhe koncerneve amerikane.

Snowden i ka frymëzuar autoritetet ruse "të aktualizojnë sistemet e tyre dhe t'i ngjajnë NSA-së", tha Sidorenko.