1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia: mbështetje Serbisë në hetimet për trafikimin e organeve në Kosovë

19 Prill 2011

Shefi i diplomacisë ruse Lavrov po qëndron në Beograd. Ai do të vizitojë disa vende të Ballkanit.

https://p.dw.com/p/10w3h
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej LavrovFotografi: picture alliance/dpa

Shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, tha sot në Beograd se raportet e Serbisë me Rusinë sa vijnë e forcohen. Lavrov filloi sot vizitën e tij treditore në Ballkan. Fillmisht ai po qëndron në Beograd, ku zhvilloi bisedime me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç. Forcimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Serbisë nuk rrezikon integrimet evropiane të Serbisë, thanë Lavrov dhe Jeremiç.

Po ashtu Lavrov deklaroi se Rusia do të mbështesë iniciativën e Serbisë për fillimin e hetimeve nën mandatin e KS të OKB-së për, siç u shpreh ai, tregtinë ilegale me organe të njerëzve në Kosovë. Lavrov takohet në Beograd edhe me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Temë qendrore e bisedimeve do të jetë bashkëpunimi mes dy vendeve përfshirë dhe raportet tregtare dhe ekonomike. Një prej temave do të jetë edhe Kosova.

Lavrovit i interesojnë disa vende ballkanike

Në orët e pasdites Lavrov vazhdon vizitën e tij në Mal të Zi, ku në Podgoricë do të takohet me kryeministrin Igor Llukshiq, presidentin Filip Vujanoviq dhe kryeparlamentarin Ranko Krivokapiq. Sipas njoftimeve nga ministria e Jashtme malazeze sot pritet të nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Arkivit shtetëror të Malit të Zi dhe Agjencisë shtetërore të arkivave të federatës ruse. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë qëndrimit të tij treditor në Ballkan do të vizitojë edhe Maqedoninë dhe Slloveninë.

Autor: dpa/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica