1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës

Bekim Shehu15 Tetor 2015

Opozita në Kosovë e vendosur të vazhdojë të bllokojë punimet e parlamentit derisa, siç thonë, kryeministri të tërheqë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave serbe dhe atë për kufirin me Malin e Zi.

https://p.dw.com/p/1GomU
Kosovo Tränengas im Parlament
Fotografi: Reuters/H. Reza

Megjithë masat e shtuara të sigurisë brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, partitë politike opozitare sërish arritën të fusin gazin lotëjellës brenda sallës plenare duke pamundësuar kështu zhvillimin normal të punimeve në kuvend. Opozita kosovare nuk lëkundët nga qëndrimi i saj, "tërheqja e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa, nga dy marrëveshje: ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni në kufirin me Malin e Zi".

Sapo kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tentoi të nisë punimet e seancës, deputetët e opozitës hodhën gazin lotësjellës duke detyruar deputetët që të largohen nga ambientet e parlamentare. Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca deklaroi publikisht se ishin pjesëtarë të policisë së Kosovës që kanë i ndihmuar deputetët ta fusin gazin lotsëjellës në mjediset e parlamentit.

Ndërkohë, policia e Kosovës sipas zëdhënësit të saj, Baki Kelani, e quan të pavërtetë deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosjes se është policia ajo që ka ndihmuar futjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. "Deklarata e shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, se policia ka ndihmuar që ta fus gazin lotsjellës në kuvend nuk është e vërtetë, kjo është deklaratë tendencioze për të diskredituar policinë e Kosovës. Ky qëllim i këtij deklarimi dëshiron të krijojë konfuzitet tek qytetarët. Kjo është një luftë speciale e këtij deklarimi kundër policisë së Kosovës", thotë zëdhënësi i policisë Baki Kelani.

Policia thotë se situata e sigurisë në rrugët e Prishtinës paraqitet e qetë dhe sipas tyre policia është e përgatitur që të përballet me çfarëdo situate. Disa qindra qytetarë kryesisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë grumbulluar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në mbështetje të deputetëve të opozitës.

Kosovo Tränengas im Parlament
Fotografi: Reuters/H. Reza

Ambasada amerikane në Prishtinë ka udhëzuar qytetarët amerikanë që mos ta frekuentojnë sheshin qendror të Prishtinës, për faktin që aty mund të ketë, siç thuhet në njoftim, protesta të opozitës kundër marrëveshjeve të fundit politike.

Kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, pas një mbledhjeje të gjatë të kryesisë së kuvendit dha një deklaratë për media, ku tha se ai do të vazhdojnë përpjekjet për komunikim me opozitën, por paralajmëroi se do të jenë të vendosur dhe do t’i ndërmarrin të gjitha masat konform rregullores për të siguruar vazhdimin e punës në Kuvend, duke mos specifikuar se kur mund të mbahet seanca e radhës. Ai tha se zëri i popullit, rrjedhimisht kuvendi, nuk do të mund të ndalet as me gaz lotësjellës.

"Thirrja për dialog, komunikim, debat dhe vendimmarrje demokratike në kuvend, po aq sa dhe thirrja për respektimin e rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës nuk po pranohet nga opozita. Tërë ky tension, deri tani, është mbajtur në kuvend, për arsye shtetërore dhe shmangien e konfrontimeve. Por, po shihet se kjo nuk po mirëkuptohet nga opozita. Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare. E dimë gjendjen e krijuar dhe synimet e opozitës. Argumentet e saj janë të padrejta dhe të paqëndrueshme. Kuvendi është vendi, ku ata duhet të shprehin çdo pakënaqësi dhe kundërshti të tyre, në mënyrë demokratike dhe jo me veprime joligjore. Sjellja e deritanishme e tyre po e cënon këtë mundësi dhe po ngulfat demokracinë", tha Kadri Veseli. Sipas tij, në Kuvendin e Kosovës, ekziston një shumicë parlamentare, e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kjo është legjitime, nga e cila nuk do të hiqet dorë.

"Pretendimi i opozitës për të vepruar në emër të popullit, pa e pyetur popullin, është pretendim jodemokratik dhe cënim për rendin kushtetues në Kosovë. Gjendja e krijuar nuk është për faj të Kuvendit të Kosovës, jemi të vetëdijshëm se as nuk do të zgjidhet vetëm në kuvend. Ftojmë të gjithë aktorët politikë, moral dhe institucional që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës dhe për funksionimin normal të institucioneve", tha kreu i parlamentit, duke rikujtuar se ai është i vendosur që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme, konform rregullores së kuvendit, për ecurinë normale demokratike të punës në parlament.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj, nëpërmjet një deklarate për media i konsideron "sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës".

"Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-së dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës", thuhet në reagimin e qeverisë.

Qeverinë e Kosovës e përbëjnë dy partitë më të mëdha politike në Kosovë, LDK dhe PDK përfshirë edhe partitë e pakicave kombëtare dhe Listën Serpska.

Kryeministri Isa Mustafa, pas kthimit të tij nga Brukseli ku ishte i ftuar së bashku me kryeministrin e Serbisë, nga shefja e diplomacisë evropiane, tha se Kosova duhet të ecë përpara e nuk ka kthim prapa. Ai thotë se për çdo gjë duhet zhvilluar debat i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese. "Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet. Ne kemi përgjegjësi t'i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara", thotë kryeministri Isa Mustafa.

Ura mbi Ibër - BE: shtyhet rivitalizimi

Ndërkohë po të enjten (15.10) ishte parashikuar nisja e punimeve për rivitalizimin e urës qendrore mbi lumin Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë. Mirëpo, zyra e BE-së në Prishtinë njofton se kjo është shtyrë për të paktën 48 orë.

"Bashkimi Evropian do ta shtyjë për maksimalisht 48 orë fillimin e rivitalizimit të urës në Mitrovicë dhe hapësirën përreth saj, e planifikuar për të filluar sot, për t'ju dhënë të gjitha palëve kohë shtesë për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo shtyrje e shkurtër duhet të mundësojë përmbylljen e diskutimeve rreth Memorandumit të Mirëkuptimit mbi kufijtë komunal në mes të komunave Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. BE-ja është e përkushtuar për arritjen e një konsensusi mes të gjitha palëve para fillimit të punimeve në mënyrë që rivitalizimi të bëhet qetësisht në interes të qytetarëve", thuhet në njoftim të zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së, në Prishtinë.

Forca të shtuara të policisë janë pozicionuar në urën qendrore mbi Lumin Ibër edhe pse as në pjesën veriore dhe as në atë jugore nuk kishte qytetar të grumbulluar. Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë është parashikuar në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e arritur më 25 gusht 2015 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në takimin e fundit joformal të dy kryeministrave, ai i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, zhvilluan të martën (13.10) me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, u zotuan në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të deritashëm Kosovë-Serbi.