1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish miq të mirë - Turqia pajtohet me Shtetet e Bashkuara

Sey Cem9 Janar 2008

Pas një vizite në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Bush i ofroi presidentit turk Gyl mbështetjen e Amerikës në luftën kundër rebelëve të PKK-së në veri të Irakut.

https://p.dw.com/p/Cmxt
Presidenti turk, Gyl dhe ai amerikan BushFotografi: AP Photo

Përpara dy muajsh dukej sikur Turqia dhe SHBA-të nuk do të pajtoheshin më kurrë me njëri-tjetrin. Senati amerikan nuk e pranoi një rezolutë për gjenocid ndaj popullit armen, sepse Ankaraja kërcënoi me reagime të ashpra. Ndjenjat anti-amerikane arritën në Turqi në nivel shumë të lartë, pasi organizata rebele kurde PKK vrau dhjetëra ushtarë turq pas një sulmi nga veriu i Irakut.

Frymë e re mirëkuptimi mes SHBA-ve dhe Turqisë

Por të martën çdo gjë dukej ndryshe: Presidenti amerikan Bush theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve: "Marrëdhëniet mes SHBA-të dhe Turqisë janë shumë të rëndësishme për vendin tonë. Ne kemi punuar shumë për t´i forcuar ato dhe besoj se ato janë të forta."

Marrëdhëniet mes dy shteteve u përmirësuan falë strategjisë së ndryshuar të Shtëpisë së Bardhë në Uashington. Ka dy muaj tashmë që bombarduesit turq i marrin koordinatat nga aeroplanë spiunë amerikanë, të cilët kontrollojnë malet kurde, dhe njoftojnë aletaët e tyre turq për çdo lëvizje të dyshimtë.

Presidenti turk Abdullah Gyl (Gül) u tregua i kënaqur në Uashington me mbështetjen amerikane: "Ne theksuam sërish rëndësinë e luftës kundër terrorit dhe vendosën të bashkëpunojmë deri sa të marrë fund organizata terroriste PKK."

Kushtet e amerikanëve

Por mbështetja amerikane nuk erdhi pa kushte. Në Uashington u vendos gjithashtu se lufta kundër PKK-së nuk mund të kryhet vetëm me armë. Duhet folur edhe për masa ekonomike, politike dhe sociale, të cilat mund të përmirësojnë jetën e kurdëve në Turqi.

Bush ofroi mbështetjen e tij edhe përsa i përket BE-së: "Jam i bindur se BE-ja mund të përfitojë nga një vend anëtar si Turqia. Unë besoj, se është në interes të paqes që Turqia të anëtarësohet në BE."

Uashingtoni i bëri në të njejtën kohë thirrje Ankarasë, që t´i vazhdojë reformat demokratike në vend. Gül e falënderoi Bushin për ndihmë dhe iu lut që ta mbështesë në konfliktin që ka me presidentin francez, i cili është kundër anëtarësimit të Turqisë në BE: "SHBA-të na kanë mbështetur gjithmonë në përpjekjet tona për anëtarësim në BE. Tani keni më shumë miq. Ju e dini fare mirë, për çfare e kam fjalën."