1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezik rus për Republikën e Moldavisë?

Eliana Xhani9 Mars 2014

Rusia ka ende ushtarë dhe armë në rajonin separatist Transnistri, në Republikën e Moldavisë. Tani atje është ngjallur frika se kriza e Krimesë mund të shtrihet në këtë rajon.

https://p.dw.com/p/1BMAc
Moldawien Chisinau
Fotografi: DW /Y. Semenowa

Ushtarëve rusë në Transnistri iu janë shpërndanë jelekë antiplumb, helmeta dhe municion luftarak. Të njëjtat paisje morën edhe trupat proruse të regjimit të Republikës së vetëshpallur të Transnistrisë, e cila nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas njoftimeve të shtypit lokal pushtetmbajtësit separatisë në Tiraspol i druhen shtrirjes së trazirave nga Ukraina në rajonin e tyre. Kalimet kufitare me Ukrainën u përforcuan, kontrollet në kufi janë bërë më të rrepta.

Armata e 14-të ruse gjendet në Republikën e Moldavisë që nga epoka sovjektike. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, njësitë e kësaj ushtrie ndërhynë në konfliktin ushtarak mes Republikës së pavarur të Moldavisë dhe rajonit separatist të Transnistrisë, në mbështetje të separatistëve dhe i dhanë fund luftës. Megjithë një marrëveshje për tërheqjen e trupave të vitit 1999, Moska, kundër vullnetit të qeverisë moldave, ka ende ushtarë dhe arsenal armatimesh në Transnistri.

Kërkesat ndaj Rusisë

Tiraspol Transnistri
Fotografi: DW

Për shkak të situatës së tensionuar në Ukrainë dhe para së gjithash në gadishullin e Krimesë, deputeti i Dumës ruse Roman Hudeakov i ka bërë thirrje Ministrisë së Jashtme në Moskë të përshpejtojë njohjen e Republikës së Transnistrisë dhe hyrjen e saj në Federatën Ruse. Arsyeja për këtë, sipas Hudeakovit, i cili është me origjinë nga Transnistria, janë manovrat e mundshme ushtarake në lindje të Rumanisë, të cilat mund të çojnë në aneksimin e Republikës së Moldavisë. Pretendime të tilla hidhen poshtë si të pavërteta si nga Kishinau ashtu edhe nga Bukureshti.

Në kryeqytetin moldav Kishinau janë shtuar zërat e atyre që paralajmërojnë ndaj një agresioni të mundshëm rus. Ekziston frika që Republika e Modlavisë të pushtohet sërish nga Rusia, nëse Ukraina dorëzohet në luftën e forcës me Moskën, thotë politologu Gheorghe Costandache. Për këtë arsye parlamenti moldav duhet të pozicionohet lidhur me "agresionin rus kundër Ukrainës". Veç kësaj Republika e Moldavisë duhet të bëjë kërkesë për mbrojtje nga NATO pranë BE-së dhe SHBA-së.

Republika e Moldavisë viktima e ardhshme?

Tiraspol Transnistri
Fotografi: DW

Në fillim të javës shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe kryetari i komisionit të shërbimit sekret në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, Mike Rogers. Vladimir Putin kërkon të forcojë dhe zgjerojë rripin mbrojtës përreth Rusisë, ashtu si tani në gadishullin e Krimesë. "Objektivi i tij i ardhshëm do të jenë Republika e Moldavisë dhe rajone të tjera", tha Rogers në një intervistë në televizion.

Deklaratat zyrtare nga Kishinau tregojnë qartë shqetësimin e moldavëve. Presidenti Nicolae Timofti tha se vendi i tij kërkon respektimin e sovranitetit territorial dhe integritetit të Ukrainës si dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Kryeministri Iurie Leanca deklaroi nga ana e tij se tensionet mes forcave proruse në Krime dhe proevropiane në Ukrainë i kujtojnë atij konfliktin e Transnistrisë. "Situata në Ukrainë tregon se mungesa e reagimit të një vendi ndaj rreziqeve të separatizmit mund të çojë në një zgjerim të këtyre rreziqeve në gjithë rajonin", tha Leanca.

Obama u jep kurajë moldavëve

Presidenti i Republikës së Moldavisë, Nicolae Timofti
Presidenti i Republikës së Moldavisë, Nicolae TimoftiFotografi: Vitalie Calugareanu

Në vizitën e tij zyrtare në Uashington (3-5.3.2014), kryeministri moldav kërkoi mbështetjen e SHBA-së për vendin e tij. Në bisedën me zv/presidentin Joe Biden mori pjesë papritur edhe Presidenti Obama, i cili e përgëzoi Leancan për marrëveshjen e asociimit me BE-në. "Unë ndjej me ju, keni mbështetjen time", tha Obama dhe theksoi se SHBA do të bëjnë gjithçka për të stabilizuar gjendjen në rajon.

Ministri i Jashtëm i SHBA John Kerry i premtoi Kishinaut ndihmë ekonomike. Në përfundim të takimit me Leancan ai tha se konstaton me keqardhje që Rusia po ushtron një tryni në rritje ndaj Republikës së Moldavisë. Para së gjithash sa i takon sektorit energjitik dhe aftësisë për tregti vendi ndodhet para sfidash të mëdha.

Militarizmi përballë së drejtës ndërkombëtare

Edhe ambasadori moldav në Uashington, Igor Munteanu, paralajmëron ndaj pasojave të një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë. Në Facebook diplomati bëri një krahasim mes ngjarjeve aktuale në Krime dhe përpjekjeve separatiste në Tiraspol dy dekada më parë: "Rusia po vendos në Krime një regjim kukull sipas modelit të Transnistrisë." Rrëzimi i pushtetit legjitim në gadishull me mbështetjen e ushtrisë është një "fitore e militarizmit ndaj së drejtës ndërkombëtare", tha ambasadori moldav në SHBA.