1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

120509 Entwicklungszusammenarbeit Deutschland

13 Maj 2009

Një pyetje e drejtë kjo, por e vështirë për t' iu përgjigjur. Kjo edhe për faktin se mungojnë parametrat e qartë dhe unik. Këtë vit, Gjermania jep gati 5,8 miliardë euro në sektorin e bashkëpunimit për zhvillimin.

https://p.dw.com/p/Hp0z
Studim mbi efikasitetin e ndihmës për zhvillim.
Studim mbi efikasitetin e ndihmës për zhvillim.

Instituti i Hamburgut për Ekonominë Botërore dhe Qendra e Evaluimit në Zarbryken, paraqitën studimin e bërë mbi efikasitetin e ndihmës për zhvillim. Kushdo që priste një përgjigje u zhgënjye, megjithatë studimi përmban njohuri dhe rekomandime interesante.


5,8 miliardë euro janë shumë, thonë një pjesë. Ndërsa të tjerë thonë se janë pak. Gjermania ende është shumë larg kuotës së ndihmës për zhvillimin në nivelin e 0,7 përqindshit të produktit bruto të vendit, objektiv i caktuar para dhjetë vjetësh. Për t'ia arrritur këtij qëllimi, shuma duhet dyfishuar. Por pavarësisht nga kjo shtrohet pyetja, se çfarë efikasiteti ka ndihma për zhvillim. Këtij qëllimi i shërbeu edhe studimi, prezantimi i të cilit me kompjuter zgjati vetëm një gjysmë ore. Tema ishte: "Evaluimi i bashkëpunimit në ndihmën gjermane për zhvillim".

Fjala evaluim vjen nga latinishtja dhe do të thotë të vlerësosh, apo të gjykosh. Megjithatë drejtuesit e studimit Axel Borrmann dhe Reinhard Stockmann, nuk vlerësojnë apo gjykojnë efikasitetin e bashkëpunimit për ndihmën gjermane të zhvillimit, por metodat, me të cilat verifikojnë punën e tyre organizatat private dhe ato shtetërore që punojnë në fushën e ndihmave për zhvillim.

Ndihmat për zhvillim në Nigeri
Partnerët në vendet në zhvillim, duhet të involvohen më shumë në procesin e evaluimit të projekteve për zhvillim.Fotografi: picture-alliance / dpa/dpaweb

Ky, thanë të dy drejtuesit, është kushti që të mund të vlerësohet efikasiteti i bashkëpunimit për zhvillimin. Ndonëse kjo mënyrë duket disi pedante, ajo ka një sfond që duhet vlerësuar me seriozitet. Sepse me sa duket në Gjermani nuk ka ende kritere të detyrueshme për evaluimin një pune në një projekt konkret. Ndaj Reinhard Stockmann nga Qendra e Evaluimit e Universitetit të Zarlandit (Saarlandes) i rekomandon Ministrisë gjermane të Zhvillimit që të hedh një vështrim tek vendet fqinjë: „Në Suedi p.sh. ka një agjenci të pavarur për verifikimin e efikasitetit të ndihmës suedeze për zhvillimit. Në Britaninë e Madhe, ka një bord konsulence, që këshillon qeverinë për metodat me të cilat duhet bërë evaluimi dhe zgjedhjen e programeve dhe projekteve që duhet të evaluohen.“

Në Gjermani shumica e organiazatave që realizojnë projektet bëjnë evaluimin e vetvetes, ose nuk merren aspak me një gjë të tillë. Sekretari i shtetit pranë Ministrisë së Zhvillimit, Erich Stather, pranon se në këtë drejtim ekziston nevoja për përmirësime. Në fakt, metodat e ministrisë së tij ndryshojnë nga ato të institucioneve të të tjera të ndihmës për zhvillim, siç janë Banka Kredituese për Rindërtimin, KfW apo Shoqëria për Bashkëpunimin Teknik, GTZ: „Kjo do të thotë, që për projektet që krahasohen ne arrijmë rezultate të ndryshme, sepse kemi qasje të ndryshme ose verifikojmë efekte të tjera. Por synimi i një politike unike zhvillimi nuk mund të jetë ky. Evaluimi është një sektor kyç për politikën e zhvillimit. Sepse nëse nuk mund të tregosh që kjo politikë ka efekt, atëherë ajo humbet kredibilitetin."

Fotografi ilustruese e organizmave kryesore gjermane të ndihmave për zhvillim.
Metodat e përdorura nga Ministria gjermane të Zhvillimit janë të ndryshme nga ato të institucioneve të të tjera të ndihmës për zhvillim, siç Banka Kredituese për Rindërtimin, KfW apo Shoqëria për Bashkëpunimin Teknik, GTZ.Fotografi: DW

Studimi i prezantuar u realizua me porosi të Ministrisë së Zhvillimit, ndaj dhe ministria është e hapur për rekomandimet e ekspertëve. 20 organizata private dhe shtetërore u vlerësuan gjatë studimit. Ndër të tjera prej tyre u dëgjua të thonin se nuk kanë pasur para për evaluimin. Por evaluimi duhet të jetë pjesë e çdo kalkulimi që bëhet për projektet, kërkon Reinhard Stockmann nga Qendra e Evaluimit në Zabryken. E në radhë të parë partnerët në vendet në zhvillim, duhet të involvohen më shumë në këtë proces.


Eksperti i evaluimit Stockmann, pret në radhë të parë më shumë transparencë nga organizatat. Kjo vlen veçanërisht për ata që mbledhin donacionet private. Raportet mbi to duhet të publikohen. Ministri e Zhvillimit është shembullore në këtë drejtim. Taksapaguesit dhe donatorët kanë të drejtë të dinë, çfarë ndodh me paratë e tyre.

Autor: Marcel Fürstenau / Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Aida Cama