1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portret i pianistes Dhurata Lazo

Mimoza Cika-Kelmendi30 Maj 2014

Ajo është bërë e njohur me interpretimet e saj në shumë skena ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/1C9Gt
Pianistja Dhurata Lazo
Pianistja Dhurata LazoFotografi: Bushi Bejleri

Ishte vetëm gjashtë vjeç kur Dhurata e vogël nisi të hidhte hapat e parë të rrugëtimit të saj të gjatë mbi tastierën e pianos. Krejt rastësisht vogëlushja syzezë e lindur në qytetin e gurtë, Gjirokastër u gjend para këtij instrumenti mistik dhe në përmasa të mëdha. Me talent të lindur në një familje që e donte artin, por që nuk e kishte traditë këtë lloj arti, Dhurata do të linte pas shumë ëndrra dhe lojëra të fëmijërisë duke zgjedhur pikërisht pianon si sfidën më të madhe për të ardhmen e saj. «Prindërit më kanë ndenjur shumë pranë në këtë zgjedhje. Mbaj mend që ime mëmë më çonte e më merrte përditë në shkollën e muzikës. Ishte vështirë vërtet në atë kohë, sepse nuk kishe asnjë mundësi të kishe një piano në shtëpi. Por edhe mësueset ka qenë shumë të mira dhe më kanë ndihmuar shumë », kujton Dhurata sot.

Dhurata Lazo
Fotografi: DW

Dirigjenti i zemrës

Dhe kështu vit pas viti ajo pas shkollës tetëvjeçare vazhdon të studiojë edhe më tej piano, por tashmë në kryeqytetin e Shqipërisë. Talenti i saj tashmë tërheq vëmendjen jo vetëm të mësuesve. Ishin një sërë koncertesh të vogla, ku ajo shpalosi talentin që i dhanë edhe emocionet e para përballë publikut më të gjerë. Megjithatë si ditë të veçantë ajo do të kujtojë koncertin me orkestrën sinfonike të RTSH me dirigjentin e njohur Ferdianand Deda. «Atë ditë nuk kam ngrënë bukë nga mëngjesi deri sa ka mbaruar koncerti. Në sallën e Akademisë bënte shumë ftohtë dhe i madhi Ferdinand Deda më solli një palë doreza me pushë nga brenda që t'më ngroheshin duart. I kam ende ato doreza dhe i ruaj si kujtim, sepse për mua ai ishte dirigjenti i zemrës. Pata fatin të punoja në shumë koncerte me të edhe më vonë », tregon e emocionuar dhe e përlotur Dhurata.

Me dispilinë dhe pasion pianistja e re gjirokastrite filloi të pushtonte me modesti skenat dhe ekranet në shumë koncerte të asaj kohe në Shqipëri. Duke qenë studente e pedagogëve të njohur të asaj kohe si : Anita Tartari, Margarita Kristidhi apo bashkëpunimi me Ibrahim Madhin, Monda Koçon, Vangjush Papadhimitrin, Gjovalin Shestanin, Dhurata e pati më të lehtë të ngjiste shkallët e suksesit, edhe pse konkurenca ishte e madhe.

Dhurata Lazo jeton në Karlruhe
Dhurata Lazo jeton në KarlruheFotografi: Bushi Bejleri

Kthesa e jetës

Por ashtu si shumë të tjerë edhe Dhurata nuk do ta gëzonte gjatë privilegjin e talentit për të jetuar edhe më tej në Shqipërinë e asaj kohe. Bashkë me të shoqin, (instrumentist i njohur në oboi, Zija Bejleri) ta vendosën të zgjidhnin Italinë si vendin e ri të së ardhmes. Për të realizuar ëndrrat e lëna përgjysmë, asaj i ndihmoi shumë përvoja e madhe nga « konservatori shqiptar » edhe pse metoda e mësimit ishte i mbështetur në realizmin socialist të asaj kohe.

«Në kohën tonë të regjimit komunist ai konservator u ndërtua me duart dhe me thonjtë e pedagogëve tanë, të cilët unë i kujtoj edhe sot me shumë respekt. Pedagoget tona kanë qenë heroina të vërteta për atë kohë, sepse jetonim në kusht,e ku nëpër konvikte dhe shtëpia s'kishim as piano. Megjithatë nuk duhet të harrojmë një gjë që teknikën e instrumentit duhet ta mësosh deri në moshën 17 vjeçare, ndërsa njohjen më të thellë të harmonisë e specifikave të tjera i mëson edhe gjatë jetës duke studiuar në shkolla të tjera», thotë Dhurata, tashmë me përvojë të gjatë edhe si pedagoge pianoje.

Në intervistë me gazetaren e DW-së, Mimoza Cika-Kelmendi
Në intervistë me gazetaren e DW-së, Mimoza Cika-KelmendiFotografi: DW

Karriera jashtë vendit

Vajza zeshkane nga Gjirokastra me shumë vullnet arrin të diplomohet edhe në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano, ku ka studiuar për rreth 10 vjet me profesorin polak shumë të njohur Mariam Mika në Akademinë e Shopenit. Një karrierë e ndërtuar me shumë përpjekje dhe vështirësi. Rruga e prezantimit të talentit të saj do të niste në shtator të 1990 në një koncert të vogël për Krishtlindje për të vazhduar më tej me një sërë koncertesh në skenat më të njohura jo vetëm në Itali, por në shumë vende të botës.

Krahas interpretimit të saj si pianiste, Dhurata pati fatin të jetë edhe mësuese në disa shkolla italiane. Përveç talentit ajo mori nga Shqipëria edhe një përvojë të madhe nga bashkëpunimi me kompozitorin e njohur Çesk Zadeja. «U largova vërtet nga Shqipëria por nuk largohesha dot nga muzika e kompozitorëve shqiptarë. Ata ishin bërë si pjesë e shpirtit dhe për mua ishin si ushqim i përditshëm. Veprat e tyre ishin në çdo pjesë, në çdo koncert, pra ishte gjithmonë një pjesë shqiptare dhe një pjesë e repertorit botëror në pianon time kudo. Në të gjitha koncertet që kam bërë në Itali, unë kam luajtur një vepër shqiptare, si nga Tonin Harapi « Delja rude » apo pjesë të kompozuara nga Zadeja, të vlerësuara shumë nga kritika italiane. Madje CD-të me perlat shqiptare ua kam dhuruar në Romë Papës dhe Mbretëreshës së Anglisë në Londër », tregon me shumë krenari pianistja 45 vjeçare.

Duke përshëndetur publikun në Prishtinë
Duke përshëndetur publikun në PrishtinëFotografi: Bushi Bejleri

Rikthim në origjinë

E emocionuar Dhurata do të kujtojë edhe koncertin e saj të parë pas gati dy dekadash jashtë atdheut, kur performoi me piano në Tiranë në aktivitetin Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH me dirigjentin kanadez Alain Trudel. Ky koncert do të ishte edhe një rifillim i lidhjes së saj bashkë me pianon me vendlindjen dhe Tiranën ku pas çdo koncerti publiku shqiptar do ta emocionojë atë më shumë se çdo publik tjetër në botë. Fruti i kësaj lidhjeje është edhe Albumi muzikor “Kujtime Shqiptare” (Albanien Memories), një CD me vepra shqiptare për violinë dhe piano nga kompozitorët Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Peçi, etjer, të intepretuara nga ajo dhe Klajdi Sahatçi, violinisti virtuoz shqiptar me famë ndërkombëtare.

Por artistja shqiptare nuk ndan nga repertori i saj edhe pjesë të kompozitorëve me famë botërore si. Nga Bah e Bethoven tek Hajden, Chopin, List, Grig, Ravel, Debysi, Brahms, Rahmaninov etj. Chopin mbetet më i veçanti për të dhe më i pranishmi në të gjitha koncertet, sepse sipas saj ai është »aristokrat i shpirtit ». Gjuha e tij është poetike, e lirë dhe frymëzuese, thotë Dhurata, e vlerësuar nga mediat e huaja si pianiste virtuoze. Ndoshta pasioni i saj i madh për poezinë e bën që të jetë më pranë tij dhe ta ndjejë edhe më shumë gjatë interpetimit kompozitorin polak, me pjesë të të cilit ajo sot do të magjeps edhe publikun në Gjermani, ku prej vitesh edhe jeton.

Dhurata Lazo
Fotografi: Bushi Bejleri

Vlerësime ndërkombëtare

"Tone sa shpërthyese aq edhe delikate karakterizojnë interpretimin e klasikëve si Chopin apo Schubert prej pianistes Dhuarata Lazo. Ajo luan me një teknikë perfekte dhe plot ndjeshmëri e ekspresivitet, përdor me inteligjencë pedalin dhe diferencon me rafinesë tonet. Publiku rrëmbehet në atmosferën e një nate ngushëlluese dhe çliruese". Me këto fjalë e përshkruan shtypi gjerman " interpretimin e „Nocturne con grande espressione“ të Chopin nga Lazo.

Për gjithë këtë veprimtari të suksessshme Dhurata Lazo është nderuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare. Dhe të gjitha këto arritje Dhurata ia dedikon prindërve të saj, veçanërisht nënës dhe bashkëshortit që e kanë ndihmuar shumë për t'ia lehtësuar gjithë këtë rrugë jo të lehtë edhe si nënë e dy djemve.