1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

221009 D Fraktionszwang

23 Tetor 2009

Deputetët e Bundestagut Gjerman duhet t'i binden vetëm ndërgjegjës së tyre - por njëkohësisht mbi ta rëndon "disiplina e grupit parlamentar". Në praktikë, kjo disiplinë është më e fortë se sa ideali për "mandatin e lirë"

https://p.dw.com/p/KDfM
Ndërtesa në Bonn, ku më 7 shtator 1949 u mblodh Bundestagu i parë
Ndërtesa në Bonn, ku më 7 shtator 1949 u mblodh Bundestagu i parëFotografi: picture-alliance / akg

Ato konsiderohen si momente magjike të parlamentit, ato debate dhe votime, në të cilat udhëheqjet e grupeve parlamentare përkrahin shprehimisht vendimin e lirë të çdo deputeti. Kjo ndodh kur nuk ka vijë të njësuar të partisë, si për shembull në çështje parimore etike, si qëndrimi ndaj abortit dhe mbrojtja e embrioneve.

Por kjo vlejti edhe në vendimin mbi selinë e parlamentit dhe të qeverisë pas ribashkimit të Gjermanisë (03.10.1990). Në të gjithë spektrin partiak gjerman atëherë qëndruan përballë njëri-tjetrit përkrahës të Bonit dhe të Berlinit. Pas një grindjeje të gjatë, presidentja e Parlamentit, Rita Süßmuth bëri të njohur më 20 qershor 1991 vendimin me diferencë të vogël:

Mbledhja konstituese e Bundestagut të parë në Bonn
Mbledhja konstituese e Bundestagut të parë në BonnFotografi: ullstein bild - HDG, Bonn

"Për propozimin "Mbarimi i bashkimit të Gjermanisë - Propozimi i Berlinit": 337 vota...abstenime (duartrokitje, brohoritje)"

Kështu u vendos transferimi në Berlin, pa detyrim grupi parlamentar. Por ky është përjashtimi, zakonisht fiton disiplina mbi mandatin e lirë, siç shpjegoi atëherë eksperti i çështjeve kushtetuese dhe ish-ministri i mbrojtjes (CDU) Rupert Scholz:

"Nuk ka detyrime fraksioni, të cilat, edhe nëse do të ekzistonin, do të ishin antikushtetuese. Ka njëfarë disipline fraksioni në kuptimin e rekomandimeve të shumicës së udhëheqjes së fraksionit, e cila u përcillet deputetëve të veçantë."

Së fundi edhe kushtetuta u jep partive një rol të shquar. Në nenin 21 thuhet: "Partitë bashkëveprojnë në formimin e vullnetit politik të popullit."

Prej këtij bashkëveprimi në realitetin shoqëror është formuar me kohë një rol i rëndësishëm. Edhe deputetët ia detyrojnë në masë të madhe dërgimin e tyre në parlament partisë së tyre, propozimet zgjedhore të të cilave i ka miratuar zgjedhësi. Liria e ndërgjegjes dhe mandati i lirë mbeten për shumë njerëz një ideal pothuajse i parealizueshëm. Politologu nga Mainci, Jürgen Falter mendon në lidhje me këtë:

Bundestagu Gjerman në Berlin. në ndërtesën e Rajshtagut
Bundestagu Gjerman në Berlin. në ndërtesën e RajshtagutFotografi: DEUTSCHER BUNDESTAG /Achim Melde/Lichtblick

"Nga ana ligjore liria e ndërgjegjes së deputetit garantohet pa kurrfarë dyshimi prej nenit 38. Kjo do të thotë, se nuk ka asnjë mundësi faktike, ligjore detyrimi, për ta detyruar deputetin që ta japë votën në mënyrë të caktuar. Por natyrisht ka mundësi joformale, dhe kjo e minon disi mandatin e lirë."

Edhe në votime të fshehta, me emër, mbetet konflikti midis lidhjes me partinë dhe mandatit të lirë. Dijenia, se kush ka votuar për çfarë, rrit transparencën, por krijon njëkohësisht trysni mbi lirinë e ndërgjegjes të deputetëve. Nga ana tjetër, transparenca në masë të madhe mbi të ardhurat e deputetëve nxit lirinë e ndërgjegjes, e cila në fund të fundit nuk duhet të jetë e bleshme.

Autor: Jochen Vock/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi