1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistan Atombombe

21 Tetor 2009

Javën e kaluar talibanët e provokuan ushtrinë pakistaneze me një seri sulmesh me bomba në radhë ndaj selisë qendore të ushtrisë. Përgjigjia e ushtrisë është e ashpër.

https://p.dw.com/p/KBmL
Provë raketash në Pakistan.
Pakistani ka jo vetëm raketa me rreze të shkurtër veprimi të tipit „Hatef“, por edhe raketa me rreze të mesme veprimi të tipit „Shahin".Fotografi: AP

Rreth 28.000 ushtarë janë dislokuar që prej fundjavës në Vaziristanin Jugor, qendrën e talibanëve militantë dhe po luftojnë si nga toka edhe nga ajri. Sulmi i talebanëve ndaj selisë qendore të ushtrisë ka bërë që të shtohen shqetësimet dhe frika se mos armët atomike të Pakistanit bien në duart e komandove të terrorit.

MPJ amerikane Hillary Clinton dhe homolugu i saj britanik David Milliband ishin para pak kohësh të një mendjeje: Pakistani konfrontohet me një rrezik vdekjeprurës prej ekstremistëve, por nuk ka rrezik që armët atomike të këtij vendi të bien në duar të gabuara. Vetëm para disa orësh kishte marrë fund një rast pengmarrjeje 22-orësh në selinë qendrore të trupave ushtarake të Pakistanit, në zemrën e atij institucioni që konsiderohet si garanci për sigurinë e armët atomike të Pakistanit.

Kufiri Pakistan - Afganistan
Rreth 28.000 ushtarë janë dislokuar që prej fundjavës në Vaziristanin Jugor.Fotografi: DW

Një gjysmë viti më parë ministrja Clinton ishte shprehur ndryshe: Pakistani i ka të shpërndara armët e veta atomike në rreth gjashtë vende dhe rreziku që njëra apo tjetra prej tyre të bierë në dorë të ekstremistëve - si talibanët apo Al Kaida - është i madh.

Deri tani paralajmërime të tilla ishin hedhur poshtë prej ushtrisë pakistaneze: depot me armë atomike janë nën kontroll të plotë, po ashtu në to nuk gjenden armë atomike të gatshme për përdorim, dhe të gjitha pjesët dhe pajisjet ruhen të ndara nga njëra-tjetra: materiali atomik ruhet i ndarë prej lëndëve eksplozive dhe kokat me mbushje eksplozive të ndara prej raketave transportuese. Pas 11. shtatorit ushtria i ka ndryshuar gjashtë depot bërthamore.

Sipas mendimit të ekspertëve Pakistani ka rreth 50 koka kapsulash me mbushje atomike mbi 800 kilogramm uranium të pasuruar, që do të mjaftonte për të prodhuar deri në 55 bomba atomike. Uraniumi i pasuruar është mjaft i rrezikshëm, sepse ai mund të përdoret relativisht lehtë për prodhimin e armëve bërthamore, pra jo vetëm prej ushtrisë por edhe prej grupeve të terrorit. Po ashtu Pakistani zotëron edhe një sasi të panjohur plutoniumi të aftë për prodhim armatimesh, që mund të përdoret gjithashtu për prodhimin e rreth gjashtë bombash të tjera.

Këtyre u shtohen raketat transportuese. Pakistani ka jo vetëm raketa me rreze të shkurtër veprimi të tipit „Hatef“, por edhe raketa me rreze të mesme veprimi të tipit „Shahin“, që me një ngarkesë prej 500 kg shkojnë në 300 deri 2000 km, dhe të tipit „Ghauri“ (me në rreze veprimi prej 1.500 km me një ngarkesë prej 700 kg.

India provon bombën atomike, 1974
India provon bombën atomike, 1974Fotografi: AP

Në këtë mënyrë me këto raketa mund të qëllohet thuajse i gjithë territori i vendit fqinjë Indisë. Lufta e vitit 1971 me Indinë gjatë së cilës Pakistani humbi Pakistanin lindor dhe më pas prova e parë me armë bërthamore e Indisë në vitin 1974, bëri që Pakistani të punonte me zell për zhvillimin armëve të veta atomike. Në këtë drejtim Pakistanit i erdhi në ndihmë Kina. Një rol të rëndësishëm luajti në këtë drejtim edhe Abdual Kader Khan, studjues i fizikës bërthamore, i cili ka punuar dhe studjuar edhe në Gjermani dhe Holandë. Provat e para bërthamore Pakistani i ndërmorri gjithësesi në vitin 1998.

Si edhe India as Pakistani nuk është as anëtar i Marrëveshjes për Mospërhapjen dhe Moshpërndarjen e Armëve Bërthamore (NPT), dhe as anëtar i Marrëveshjes për Ndërprerjen e Provave me armë bërthamore. Islamabadi ka deklaruar në mënyrë të përsëritur, se një marrëveshje e tillë mund të shtrohet për diskutim vetëm pasi ato të jenë nënshkruar prej Indisë. Për shkak të një qëndrimi të tillë Pakistani nuk ka ndjerë ndonjëherë barrën e presionit ndërkombëtar. Uashingtoni ka vendosur në mënyrë të përsëritur sanksione ndaj këtij vendi, por i ka shfuqizuar ato sërish, sepse për SHBA aleaca me Pakistanin, sidomos për shkak të zhvillimeve në Afganistan, që nga koha e pushtimit sovjetik e deri sot, ishte më e rëndësishme.

Autor : Peter Philipp / Dr. Pandeli Pani

Redaktoi : Aida Cama