1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Saleh duhet të dënohet" - Reagimet ndaj dorëheqjes së paralajmëruar të presidentit të Jemenit

25 Nëntor 2011

Presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh ka nënshkruar një marrëveshje për transferimin e pushtetit. Marrëveshja parasheh që Saleh pas dorëheqjes të gëzojë imunitet për veten dhe familjarët.

https://p.dw.com/p/13Ggv
Në foto, Ali Abdullah Saleh
Në foto, Ali Abdullah SalehFotografi: dapd

Reagimet për dorëheqjen e paralajmëruar të presidentit Ali Abdullah Saleh janë të qarta: demonstruesit në Sheshin e Ndryshimeve në kryeqytetin Sanaa janë të zemëruar. "Saleh dhe ndihmësit e tij duhet të dënohen, nuk ka falje për ata".

Saleh bëhet përgjegjës për vrasjen e mbi 1000 njerëzve

Se Saleh dhe familja e tij do të largohen pa u ndëshkuar, nuk është e kuptueshme për demonstruesit. Ata e bëjnë atë përgjegjës për vrasjen e mbi 1000 njerëzve, siç thonë ata, të cilët janë vrarë nga snajperistët apo në përleshjet mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve. Kjo duhet të parandalohet patjetër, thotë një grua: "Si mund ne t'i garantojmë mosndëshkim Salehut për gjakderdhjen dhe për vrasjen e fëmijëve tanë? Unë jam nga Taez, qyteti që ti ke djegur, në të cilin ti çdo të premte vret motrat tona. Unë betohem në Zot se nuk do të kesh ndonjë garanci nga ne, garancia e jote e vetme që të pret është dënimi me vdekje."

Protesta kundër qeverisë në Jemen
Protesta kundër qeverisë në JemenFotografi: dapd

Të mërkurën në mbrëmje (23.11.) Saleh kishte nënshkruar marrëveshjen në kryeqytetin saudit Riad. Në një deklaratë të shkurtër pas nënshkrimit Saleh u shpreh me tone pajtuese. "Si mund të flasim për një transferim paqësor të pushtetit pas gjithë asaj gjakderdhje? Pse nuk e kemi ndaluar më herët? Ne e përshendesim partneritetin e ri me vëllezërit tanë në opozitë. Tani ne mund të rindërtojmë vendin. Nënshkrimi i iniciativës nuk është aq i rëndësishëm për ne sa që është një partneritet i ndershëm."

"Kundër çdo iniciative që negocion me gjakun e martirëve"

Protestuesit nuk do të kënaqen me kaq. Kërkesat e tyre për reforma demokratike dhe ndryshime thelbësore në vend nuk janë marrë parasysh, thotë ky demonstrues. Opozitarët të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen në Riad po ndjekin vetëm qëllimet e tyre. "Partia opozitare nuk flet në emrin tonë, por vetëm për veten e saj. Ajo ka humbur mbështetjen e të rinjve. Ne jemi kundër çdo iniciative që negocion me gjakun e martirëve. Për ne dhe për të rinjtë nuk vlen kjo marrëveshjeje."

Pamje nga protestat në Sanaa
Pamje nga protestat në SanaaFotografi: dapd

Punët e qeverisë tani i ka marrë përsipër zëvendëspresidenti Mansour Hadi. Ai do të formojë së bashku me opozitën një qeveri kalimtare dhe do të përgatisë zgjedhjet demokratike presidenciale dhe parlamentare.

Autor: Hans-Michael Ehl / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi