1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

071108 EU Sondergipfel

Berndt Riegert7 Nëntor 2008

A na nevojitet një qeveri botërore ekonomike? Në samitin e posaçëm në Bruksel shtetet e BE-së përgatiten për samitin financiare ndërkombëtare javën e ardhshme në Uashington

https://p.dw.com/p/FpKf
Presidenti i Francës Sarkozy dhe kryetari i Komisionit të BE-së BarrosoFotografi: AP

Për të pestën herë takohen krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian në një samit nën udhëheqjen franceze. Ky numër i madh samitesh brenda një kryesie radhe të vetme i afrohet rekordit. Ja që kriza financiare mbarëbotërore dikton trajtim të jashtëzakonshëm, thonë diplomatët evropianë. Por ajo i ofron kryetarit të radhës në BE, presidentit francez Nikola Sarkozi, edhe një tribunë të mirëpritur për të filluar nismat e tij politike.


Në fakt përballë krizës financiare mbarëbotërore dhe fillimit të recesionit nuk është koha për mosmarrëveshje evropiane. Megjithatë krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së kanë vështirësi në arritjen e një kursi të njësuar për samitin financiar botëror të javës së ardhshme në Nju-Jork. Pavarësisht rezistencës së fortë të Gjermanisë presidenti francez Nikola Sarkozi po bën reklamë për njëfarë qeverie ekonomike, e cila mund të merrte përsipër drejtimin ndërkombëtar të ekonomisë. Së paku kjo mundësi duhet shqyrtuar, thuhet në propozimet e fundit të kryesisë franceze të radhës në BE për samitin e jashtëzakonshëm të sotëm në Bruksel.


"Përballë krizës financiare ne kemi detyrimin të bashkërendojmë politikën tonë ekonomike. Nuk ka mundësi tjetër. Vetëm kështu mund t'i përballojmë pasojat e krizës. Nuk ka rëndësi se i ç'forme do të jetë bashkërendimi, rëndësi ka që të ketë bashkëpunim."


Ministri gjerman i financave Per Shtajnbryk e kundërshtoi energjikisht ushtrimin e ndikimit shtetëror mbi politikën e normës së interesit të bankave qendrore dhe bashkërendimin e detyrueshëm të politikës ekonomike. Kancelarja Angela Merkel tha në mbërritje në Bruksel se duhej folur me një zë:


"Natyrisht që ne e dimë se kemi edhe partnerë të tjerë në botë, me të cilët do të flasim. E rëndësishme është që të kemi fillimisht mirëkuptim të përbashkët evropian. Ky do të konsistonte në nevojën për më shumë transparencë dhe institucione të fuqishme, të cilat mund të veprojnë edhe në planin gobal. Në këtë frymë do ta zhvillojmë diskutimin."


Para samitit në Bruksel kryeministri dhe ministri i financave i Luksemburgut bëri thirrje për më konsultime më të mira mes organeve mbikqyrëse të bankave dhe të bursave. Por, tha ai, nuk nevojitet një polici botërore e mbikqyrjes.