1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deutschland Frankreich Doppelgipfel

22 Tetor 2011

Samiti i së dielës pritet me shumë interes. Por Franca dhe Gjermania duan të gjejnë zgjidhje për krizën e borxheve në një samit tjetër të mërkurën (26.10). Molla e sherrit është zgjerimi i fondit të shpëtimit.

https://p.dw.com/p/12wak
Angela Merkel në ditë të vështira
Angela Merkel në ditë të vështiraFotografi: dapd

"Po qe se ne shpallim mbajtjen e një samiti, atëherë kurbat e bursave pësojnë ngritje. Prandaj po i bëjmë tani disa samite njëri-pas tjetrit." Me këtë batutë u përpoq një këshilltar i afërt i presidentit të Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, të anashkalonte çorientimin, që sundon në Bruksel aktualisht.

Samiti i BE-së, i shtyrë nga data 17 për në 23 Tetor, do të duhet të ofrojë zgjidhje për krizën e borxheve. Ndërsa vendimet e shumëpritura do të merren në një samit tjetër, të mërkurën e ardhshme, më 26 Tetor. Këtë axhendë kanë përcaktuar presidenti francez, Nicolas Sarkozy, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, të enjten (20.10) së bashku me presidentin e Këshilllit të BE-së. Ai duhet t'i ftojë formalisht krerët e shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare.

Vetëm probleme teknike?

Samiti i dyfishtë nuk ka të bëjë me grindjen mes Francës dhe Gjermanisë, pretendoi Angela Merkel të premten në një takim të posaçëm të fraksionit kristiandemokrat-kristiansocial në Berlin. Gjërat janë "teknikisht të vështira për t'u realizuar". Dhe ekzaktësia del para shpejtësisë, kur vjen fjala për luftimin e krizës, ka thënë kancelarja sipas burimeve të pjesëmarrësve në këtë takim. Deklaratat, që qarkulluan, se gjoja presidenti francez, Sarkozy nuk ka lëvizur asnjë milimetër, kancelarja Merkel i hodhi poshtë që të enjten.

Takim i eurogrupit. Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, majtas
Takim i eurogrupit. Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, majtasFotografi: dapd

Më parë Merkel dhe Sarkozy kanë telefonuar dhe kanë zhvilluar më pas edhe një videokonferencë me presidentin amerikan Obama, i cili me sa duket ka apeluar tek evropianët të bien dakord për një zgjidhje të përbashkët. Merkel dhe Sarkozy takohen edhe të shtunën në Bruksel, para samitit të së dielës.

Komisioni Parlamentar duhet ta thotë fjalën e tij

Ndërsa samiti tjetër, që mbahet të mërkurën, është i nevojshëm, sepse të gjitha vendimet, që kancelarja merr, duhet të jenë bekuar më parë edhe nga komisioni për financat në parlament. Nga pikëpamja teknike marrja e vendimit të komisionit parlamentar do të ishte e vështirë edhe për shkak të takimeve të shumta në fundjavë. Këtu duhet marrë në konsideratë edhe Bundestagu, që kërkon kohën e vet për të marrë në shqyrtim vendimet e samitit.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, la të kuptohej në televizionin gjerman ZDF se motori gjermano-francez momentalisht në BE po lëshon tym. "Pa Gjermaninë dhe Francën dhe marrëdhënien e tyre të ngushtë në Evropë nuk ecin shumë gjëra përpara në Evropë. Por 27 vendet anëtare nuk mund të jetojnë nga përkëdhelitë gjermano-franceze."

Takime të shpeshta Merkel-Sarkozy këto javë
Takime të shpeshta Merkel-Sarkozy këto javëFotografi: picture-alliance / landov

Çështje ende të hapura

Në grindjen mes Gjermanisë dhe Francës, që duhet të zgjidhet me sa duket në këtë maratonë samitesh, bëhet fjalë si më parë për disa çështje me prioritet. Më i rëndësishmi është aktualisht nocioni i futur së fundmi i "levës financiare."

Fondi evropian i shpëtimit (EFSF) duhet të zgjerohet, me qëllim që të futen nën mburojën e tij edhe Italia dhe Spanja, për të blerë obligacione shtetërore me norma të pranueshme interesi. Vëllimi i fondit të shpëtimit duhet përmes levave të ndryshme financiare të zgjerohet deri në 1 ose 2 bilionë euro, (2.000 miliardë euro) për të krijuar një lloj muri mbrojtës nga goditjet e normave të larta të interesit.

Por si do të funksionojnë këto leva financiare? Pikërisht për këtë nuk ka ujdi mes Francës e Gjermanisë, por as mes specialistëve të ekonomisë. Pala gjermane favorizon një lloj sigurimi për blerësit e obligacioneve shtetërore. Atyre duhet t'u kompensohen 20-30% të humbjeve. Ndërsa pala franceze kërkon që të përfshihet këtu edhe Banka Qendrore Evropiane. Ajo do t'i japë fondit të shpëtimit kredi masive. Por Banka Qendrore Evropiane nuk e pranon propozimin francez. Me sa duket, një bankë franceze po punon për një model të tretë, thuhet në gazetën "Financial Times".

Temë tjetër është lirimi i Greqisë nga një pjesë e borxheve. 21% është falur ndërkohë nga bankat, investorët privatë dhe Banka Qendrore Evropiane. Por për shkak të krizës të thellë, kjo përqindje duket shumë e vogël. Përveç kësaj në samit duhet të diskutohet edhe ndryshimi i marrëveshjeve evropiane, me qëllim që shtetet e eurozonës të koordinojnë më shumë politikën e tyre fiskale dhe ekonomike.

Autor: Bernd Riegert/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica