1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Amerikave pa rezultate konkrete

16 Prill 2012

Samiti i Amerikave në Kartagjenë të Kolumbisë përfundoi të Dielën (15.4.) pa një deklaratë të përbashkët përfundimtare. Të 31 kryetarët e shteteve dhe qeverive nuk arritën të gjejnë një konsensus të përbashkët.

https://p.dw.com/p/14eVB
Samiti i Kartagjenës
Samiti i KartagjenësFotografi: picture-alliance/dpa

Pa rezultate substanciale përfundoi në Kartagjenë të Dielën (15.4.) Samiti i Amerikave. Dallimet ishin të mëdha, kështu takimi i nivelit të lartë përfundoi pa një deklaratë të përbashkët përfundimtare. Në vend të saj tre komunikata shterpe, të cilat prekin vetëm aspekte anësore të takimit. Megjithatë nikoqiri, presidenti kolumbian Juan Manuel Santos nuk dëshiron të flasë për një dështim. "Fakti që nuk ka një deklaratë përfundimtare nuk do të thotë se ka dështuar samiti. Përkundrazi: fakti që ne kemi diskutuar hapur, është një sukses."

Në samit u prekën edhe tema të diskutueshme

Në fakt, si rrallë më parë 31 kryetarët e shteteve dhe qeverive prekën tema të diskutueshme. Presidenti amerikan Barak Obama ka dëgjuar me durim kritikat e shumë vendeve të Amerikës Latine dhe Qendrore, si për shembull për politikën ndaj Kubës: në fund vetëm Kanadaja qëndroi në anën e Shteteve të Bashkuara, vendet e tjera u shprehën kundër politikës së bojkotit dhe embargos së Shteteve të Bashkuara. "Për herë të parë një shumicë e shteteve e kanë artikuluar qartë vullnetin e tyre dhe thanë: Ne duam që Kuba në të ardhmen të marrë pjesë në samitet amerikane. Kjo deklaratë ka peshë të madhe politike. Një gjë e tillë nuk thuhej më parë dhe kjo çon drejt një vargu të ri afrimesh, të cilat shpresohet që në fund të rezultojnë me pjesëmarrjen e Kubës në samitin e ardhshëm të Amerikave pas tre vitesh. Por ky është një proces", nënvizon presidenti kolumbian Juan Manuel Santos.

Barack Obama merr pjesë në samit
Barack Obama merr pjesë në samitFotografi: picture-alliance/dpa

Kuba duhet fillimisht të krijojë struktura demokratike

Presidenti amerikan Barack Obama e kishte bërë të qartë qysh para samitit se SHBA është kundër pjesëmarrjes së Kubës në takimet e ardhshme të nivelit të lartë. Fillimisht shteti socialist i Karaibeve duhet të krijojë struktura demokratike, siç janë për shembull zgjedhjet e lira. Ky qëndrim pengoi përpilimin e një deklarate të përbashkët përfundimtare, sepse shtetet e tjera, të tilla si Bolivia, nënshkrimin nga ana e tyre e kushtëzuan me një iniciativë pro-kubaneze. Presidenti i Bolivisë Evo Morales shpreh dyshimet e tij nëse do të ketë prapë një samit të Amerikave. "Nuk është e mundur që një shtet të shprehet kundër pranisë së Kubës. Kjo i detyron shtetet e Amerikës Latine dhe të Karaibeve që të bashkohen në një organizatë tjetër të Shteteve Amerikane, në një organizatë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë jam i bindur se këtu kemi një rebelim të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve kundrejt qëndrimit të pandryshueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Samiti i ardhshëm i Amerikave do të mbahet pas tre vitesh në Panama. Nëse kjo do të ndodh me të vërtetë për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrime aktualisht mbetet çështje krejtësisht e hapur.

Autor: Julio Segador / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi