1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i të rinjve për integrimin në Berlin

Nina Werkhäuser / Eliana Xhani18 Prill 2012

Çfarë mund të bëjnë të rinjtë për të përmirësuar integrimin e të migrantëve? Për këtë u diskutua në samitin e tretë të integrimit të të rinjve, të organizuar nga qeveria gjermane.

https://p.dw.com/p/14fIh
Kancelarja Angela Merkel në samitin e integrimit të të rinjve. Berlin, 16.04.2012
Kancelarja Angela Merkel në samitin e integrimit të të rinjve. Berlin, 16.04.2012Fotografi: picture-alliance/dpa

Sapo kanë mbaruar guidën në kancelari dhe tani hyjnë me kureshtje në sallën e shtypit - 100 të rinj nga e gjithë Gjermania. Gjysma e tyre ka "sfond migracioni", pjesa tjetër vjen nga "familje me rrënjë gjermane", siç u shpreh ministrja e shtetit Maria Böhmer, e ngarkuara e qeverisë për migracionin dhe integrimin. Dy ditë të rinjtë diskutuan rreth temës integrim.

Diskutime konkrete

Gjimnazisti Johannes Zieseniß nga Niedersachsen ishte një nga të rinjtë pjesëmarrës: "Unë shpresoj që të këmbejmë ide, të marrim impulse të reja dhe që politika të na marrë seriozisht!"

Këtë premtim u jep kancelarja Angela Merkel personalisht të rinjve, të cilët e përshëndesin me duartrokitje plot respekt dhe e fotografojnë me kamerat e tyre të ngritura lart. Merkel dëshëron nga nxënësit dhe studentët vlerësime të ndershme dhe jo fjalime të bukura për integrimin e suksesshëm: "Për këtë ju lutem të jeni të hapur në diskutime dhe të mos jeni të shqetësuar që nëse thoni diçka mund të shkaktoni prishje të atmosferës. Pjesë e integrimit është e folura hapur, toleranca dhe mjaft guxim."

Kundër heshtjes, më shumë guxim për integrimin

Kancelarja Angela Merkel në samitin e integrimit të të rinjve. Berlin, 16.04.2012
Kancelarja Angela Merkel në samitin e integrimit të të rinjve. Berlin, 16.04.2012Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe paragjykimet duhet të diskutohen thotë Merkel dhe jep menjëherë një shembull: të rinj maturantë i kanë treguar se për shkak të emrave të tyre turq nuk janë ftuar në takime prezantimi megjithëse dëftësat e tyre ishin po aq të mira sa të shokëve të tjerë të klasës - një situatë e patolerueshme. "Flisni për këtë, vetëm kështu ecet përpara", u bën thirrje të rinjve kancelarja Merkel.

"Fjala është argjend, heshtja është flori", thotë një fjalë e urtë gjermane. Por këtë herë ajo nuk vlen, bën shaka kancelarja gjermane. Edhe pas samitit të integrimit të të rinjve ata duhet të shërbejnë si multiplikatorë për përcjelljen e përvojave të tyre.

Këtë e bën prej kohësh studentja e mjekësisë Umyhan Çifçi nga Marburgu, e lindur në Gjermani dhe shtetase turke. Ajo ka themeluar një shoqatë e cila sqaron të rinjtë për sistemin arsimor gjerman. Nga samiti i integrimit për të rinjtë ajo shpreson motivacion të ri për punën e saj nganjëherë të vështirë: "Të rinjve u duhet dhënë guxim! Ne duam të dalim që këtej me angazhim të plotë dhe të themi: ia vlejti, do të vazhdojmë punën!"

Secili nga 100 pjesëmarrësit ka zgjedhur një prej katër temave - arsim, medie, konflikte brezash dhe angazhim qytetar, dhe për to marrin pjesë në workshop-e, rezultatet e të cilave do të hyjnë në politikën e integrimit të qeverisë gjermane.

Objektivin kryesor e ngarkuara e qeverisë gjermane me integrimin Maria Böhmer e formulon kështu: "Të largohemi nga skepticizmi, nga refuzimi, nga afrimi me kujdes të njëri-tjetri për t'u bërë më të hapur dhe për të pasur një kulturë të vërtetë mirëseardhje."

Këtu bën pjesë edhe gjetja e një definicioni më të bukur se sa ai "njerëz me sfond migracioni". Ndoshta të rinjve u lindin ide për këtë, shpreson Böhmer. Gazetari Mitri Sirin, i cili moderon takimin në kancelari jep një propozim: "Si ju duket 'Gjermanë plus'?"