1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Sandy" godet ashpër bregun lindor të SHBA

Mimoza Cika-Kelmendi (dpa, rtr)30 Tetor 2012

"Sandy", i cilësuar si stuhia e shekullit, ka goditur Shtetet e Bashkuara duke shkaktuar edhe viktima në njerëz. Rreth 2,8 milionë banorë nuk kanë pasur energji elektrike dhe mbi 15.000 fluturime janë anuluar.

https://p.dw.com/p/16ZLv
Përmbytje nga uragani Sandy në SHBA
Fotografi: Reuters

"Sandy" ka goditur me fuqinë e tij të plotë bregdetin lindor amerikan. Me një shpejtësi të erës prej 130 km në orë dhe rreshje të dendura dhe të fuqishme, ky uragan ka prekur kryesisht qendrën në jug të shtetit federal Nju Xhersi në afërsi të Atlantic City. Pjesa jugore e Nju Jorkut, Manhattan u përmbyt nga dallgë të larta prej më shumë se katër metra. Shumë pjesë të Manhattan-it janë në errësirë për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike.

Thasë me rërë në Wall Street
Thasë me rërë në Wall StreetFotografi: TIMOTHY A. CLARY/AFP/Getty Images

Deri tani si pasojë e kësaj katastrofe natyrore kanë humbur jetën të paktën 13 njerëz. Stuhia ka shkaktuar edhe një incident në një central bërthamor në shtetin federal Nju Xhersi. Duke pasur parasysh nivelin e përmasave të dhunshme të uraganit “Sandy”, ai u klasifikua si një super stuhi post-tropikale, bëri të ditur Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA.

Më herët Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, kishte vënë në gatishmëri popullatën duke paralajmëruar për rreziqet. “Është stuhia e shekullit, rrini nëpër shtëpi”, tha Bloomberg. Institucionet zyrtare në Uashington këtë të martë qëndrojnë të mbyllura për shkak të motit. Edhe qendra e bursës në Wall Street në Nju Jork nuk funksionon. Komunikacioni publik në verilindje të SHBA-së vazhdon edhe më tej të jetë i ndërprerë, ndërkohë që janë anuluar 15.000 fluturime. Uragani i kategorisë 1 përputhet me hënën e plotë që sjell dhe batica më të mëdha. “Sandy” ka vrarë tashmë 69 persona, 52 prej të cilëve në Haiti, pasi kaloi nëpër Karaibe javën e kaluar.