1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanksione kundër Iranit dhe Sirisë - Nga takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel

2 Dhjetor 2011

BE-ja do të rrisë presionin diplomatik dhe ekonomike kundër Iranit dhe Sirisë. Në Bruksel të enjten (1.12.) ministrat e jashtëm të BE-së kanë vendosur sanksione të reja kundër këtyre dy vendeve.

https://p.dw.com/p/13L5t
Pamje nga takimi i ministrave të jashtëm në Bruksel
Pamje nga takimi i ministrave të jashtëm në BrukselFotografi: dapd

BE-ja po i shtrëngon lakun Iranit dhe Sirisë. Dymbëdhjetë figura të tjera të udhëheqjes siriane nuk lejohet të udhëtojnë më për në BE dhe njëmbëdhjetë kompani përjashtohen nga bizneset me Bashkimin Evropian. Nga masat e reja është prekur edhe sektori financiar. Në këtë mënyrë Bashkimi Evropian përpiqet të bindë presidentin Baschar al Assad që t'i japë fund shtypjes së opozitës.

Në listën e zezë të BE-së 180 persona dhe kompani nga Irani

Ndërkaq në listën e zezë të BE-së janë futur nga Irani edhe 180 persona dhe kompani të tjera. Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së reaguan ndaj një raporti të Organizatës Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) sipas të cilit Irani është duke u përpjekur të ndërtojë bomba atomike.

Ministrat e jashtëm i kushtuan shumë rëndësi që t`i ndajnë masat e marra nga reagimi për pushtimin e ambasadës britanike në Teheran. Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe çështje të sigurisë, Catherine Ashton lexoi pas takimit të Këshillit të BE-së një deklaratë të përbashkët. "Këshilli është i indinjuar nga sulmi në ambasadën britanike në Teheran dhe e dënon atë me ashpërsi. Këshilli gjithashtu kritikoi vendimin për dëbimin e ambasadorit britanik në Teheran. Këshilli e sheh këtë veprim kundër Mbretërisë së Bashkuar si një veprim kundër Bashkimit Evropian në tërësi."

Në foto, Catherine Ashton
Në foto, Catherine AshtonFotografi: dapd

Britania e Madhe ka mbyllur ndërkohë ambasadën e saj në Teheran. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha në Bruksel se ai i ka ofruar Britanisë së Madhe që Gjermania të marrë përsipër mbrojtjen konsullore të shtetasve të saj në Iran. Në të njëjtën kohë ai dënoi mënyrën si autoritetet iraniane kanë trajtuar incidentin. "Natyrisht që mësymja në ambasadën britanike në Iran nuk është në asnjë mënyrë e pranueshme. Kjo është një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare...Një shtet ka për detyrim mbrojtjen e përfaqësive diplomatike të vendosura në vendin e tij, t'i organizojë dhe sigurojë ato."

William Hague i kënaqur me reagimet e homologëve të tij

"Unë jam shumë i impresionuar me mbështetjen e fortë të pjesës tjetër të BE-së në këtë çështje dhe duke pasur parasysh shkeljen  e rëndë të Konventës së Vjenës (të vitit 1961, e cili rregullon ndër të tjera mbrojtjen e ambasadave të huaja) nga Irani", u shpreh shefi i diplomacisë britanike William Hague.

Në foto, Guido Westerwelle dhe William Hague
Në foto, Guido Westerwelle dhe William HagueFotografi: AP

Përveç masave të miratuara, BE-ja është duke përgatitur sanksione të tjera, para së gjithash në sektorin e energjisë dhe në sektorin financiar. Sanksionet në fushën e energjisë dhe financiare, do ta godisnin shumë më rëndë Iranin se sa masat e deritanishme. Dhe ndoshta nuk është rastësi që ambasada britanike u sulmua  pasi që  Londra kishte vendosur sanksione financiare kundër Iranit. Një embargo e naftës, megjithatë do të prekte edhe disa pjesë të BE-së. Italia dhe Greqia mbulojnë një pjesë të madhe të nevojave të tyre me naftën nga Irani. Mungesat që do të shkaktoheshin sipas ministrit të jashtëm francez Alain Juppe mund të kompensohen nga furnizuesë të tjerë. Vendimet për embargon e naftës dhe financiare mund të mirren në takimin e Këshllit të Ministrave në muajin janar 2012.

Ndërkaq sa i përket sanksioneve kundër Sirisë, Bashkimi Evropian ka bashkëpunuar me Ligën Arabe. Nabil el-Arabi, sekretar i Përgjithshëm i Ligës Arabe ishte bile i pranishëm në këshillimet e  ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel. Në rastin e Libisë një bashkërendim në mes të NATO-s dhe Ligës Arabe si dhe drita jeshile në Këshillin e Sigurimit kishte mundësuar ndërhyrjen ushtarake kundër diktatorit Muammar al-Gaddafi. Megjithatë diçka e ngjashme nuk mund të pritet në Siri.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama