1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Sapo u ndryshua titullari, atje mua më hoqën nga puna"

18 Dhjetor 2009

Largimet dhe rekrutimet e pamotivuara e për arsye politike në administratën publike janë ende një problem shqetësues. Kjo është vënë në dukje dhe në progres raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë

https://p.dw.com/p/L808
Poster e qendrës shqiptare për të drejtat e njeriut në TiranëFotografi: DW/ Arben Muka

Për aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut abuzimi me largimet nga administrata përbën shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës shqiptare dhe të ligjit për statusin e nëpunësit civil. Ndërkohë që përfaqësuesit ndërkombëtarë shprehin shqetësimin se ky fenomen çon dëm fonde të shumta, që investohen për të kualifikuar punonjësit e administratës publike.

Ardiani është një nga ish punonjësit e administratës publike, që po mbush vitin nga koha, kur e larguan nga puna. Me profesionin e ekonomistit ai kishte rreth një dekadë e gjysëm, që punonte në njërën prej agjensive kombëtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës. Zevëndësimin në detyrë ai e përshkruan si të padrejtë.

„Sapo u ndryshua titullari, atje mua më hoqën nga puna, edhe pse isha më i kualifikuar. Në vendim tim erdhi një tjetër, që ishte i pakualifikuar, por këtu vendosën në rradhë të parë bindjet politike.“

Tani që po i afrohem të 50-ve, thotë ai për DW e kam shumë të vështirë të gjej një punë të re. Aq më tepër, kur ai prej kohësh i është përkushtuar kërkimit të së drejtës nëpërmjet gjykatës.

„Tani mua më ka mbetur që ta kërkoj vendin e punës vetëm me rrugë gjyqësore. Për këtë më mbron dhe statusi i nëpunësit civil“, thotë ai.

Largime nga puna të motivuara politikisht

Albanien Menschenrechte Kozara Kati
Kozara Kati, Drejtore e Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut në TiranëFotografi: DW/ Arben Muka

Kozara Kati, drejtore e Qëndrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut në Tiranë, thotë se fenomeni i largimeve dhe rekrutimeve të dyshimta dhe jo profesionale vazhdon të jetë i mprehtë në Shqipëri. Kati nuk preferon të evidentojë një periudhë të caktuar kohore, pasi sipas saj të gjitha „ngjyrat“ e qeverisjes nuk jane serioze për të ndërtuar një administratë efektive dhe të pandikuar nga politika dhe rotacionet e saj. Ajo përmend mjaft raste, kur në Qëndrën, që drejton, janë paraqitur raste flagrante të largimeve të motivuara politikisht. Janë fenomene, që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me të drejtat njeriut, thotë ajo për DW.

„Shkelen të drejtat kushtetuese të njeriut. Unë do të përmendja Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që sot është e përfshirë në Kushtetutën tonë. Por jo vetëm Konventa dhe Kushtetuta, por dhe vetë ligji për statusin e nëpunësit civil. Nga ana tjetër një aksion, që shpesh ndodh pas rotacioneve politike, natyrisht që ka një impakt negativ në besimin ndaj institucioneve. Por dhe tek opinioni i gjerë, tek familjet, në komunitet, ku duket qartë se kjo nuk ndihmon aspak në ndërtimin e fuqizimin e institucioneve demokratike.“

Largimet nga puna për këto motive, pengesë për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt BE-së

Irene Eidemüller, zëdhënëse në Ambasadën Gjermane në Tiranë, i konsideron largimet dhe rekrutimet në administratën shqiptare si pika që përbëjnë një problem serioz dhe që janë një pengesë për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt BE-së.

„Progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë kritikon faktin, se largimet e motivuara politikisht në shërbimin civil në Shqipëri ende vazhdojnë të luajnë një rol të madh. Po kështu dhe procedurat e rektrutimit të nëpunësve shpesh nuk janë transparente. Në muajin prill Shqipëria dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE. Hapi i rradhës për Shqipërinë në këtë rrugë do të jetë plotësimi i një pyetësori kompleks. Për këtë Shqipërisë do t'i duhet të informojë Komisionin e BE-së mbi legjislacionin dhe zbatimin e ligjeve. Për t'iu përgjigjur pyetësorit në mënyrë korrekte dhe të bazuar kërkohet një administratë me nëpunës me përvojë, e cila funksionon mirë dhe punon në mënyrë eficiente“ thotë Irene Eidemüller për DW. Ajo ngre dhe problemin e dëmit, që shkaktohet për ato fonde, që shpenzohen nga komuniteti ndërkombëtar për kualifikimin e administratës.

Irene Eidemüller
Irene Eidemüller, zëdhënëse në Ambasadën Gjermane në TiranëFotografi: DW

„Gjermania së bashku me partnerë të tjerë të shumtë investojnë shumë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Kjo realizohet ndër të tjera duke investuar në kualifikimin e kuadrove drejtues shqiptarë psh. nëpërmjet bursave, trajnimeve, apo vizitave informative në Gjermani. Por, nëse një person, i cili sapo ka përfituar një kualifikim të vlefshëm pushohet nga puna, atëherë investimi në trajnimin e tij e humbet vlerën. Kjo nënkupton një shfrytëzim të keq të resurseve jo vetëm për ne si partnerë, por në radhë të parë për Shqipërinë. Edhe nëse trajnimi i një nëpunësi në dukje nuk i ka kushtuar asgjë shtetit shqiptar, sepse psh. këto shpenzime janë marrë përsipër nga një partner i huaj, rezultati, pra një kualifikim më i mirë i nëpunësit, njohuritë dhe përvoja e tij janë një kapital tejet vendimtar, që në këtë aspekt duhet të mbahen parasysh. Përmes largimeve të motivuara politikisht të punojësve harxhohen pa qenë nevoja burime të pakta, që nevojiten në mënyrë të ngutshme. Kjo vlen aq më tepër në një moment, në të cilin Shqipëria po përgatitet për integrimin e saj në BE", deklaron për DW Irene Eidemüller, zedhënëse në Ambasadën Gjermane në Tiranë.

Kozara Kati, drejtore e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut thotë se largimet dhe rekrutimet abuzive jane një kosto e jashtëzakonshme për buxhetin e limituar të shtetit shqiptar. „Kur për një post, paguhen dy vetë. Ai, që është larguar dhe ka marrë drejtësi nga gjykata, si dhe ai që është aktualisht në detyrë..."

„Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica