1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarah Pelin kundër Xho Biden - Dueli televiziv i kandidatëve për zv/president amerikan

Christina Bergmann2 Tetor 2008

Të enjten në mbrëmje, në kohën më të mirë të transmetimeve amerikane fillon debati i parë dhe i vetëm televiziv, mes kandidatëve amerikanë për zëvendëspresident, Sarah Pelin (Sarah Palin) dhe Xho Bidenit (Joe Biden).

https://p.dw.com/p/FT8T
Palin dhe Biden- Kandidatë për zv/president amerikan
Palin dhe Biden- Kandidatë për zv/president amerikanFotografi: AP/ DW-Bildmontage

Guvernatorja republikane nga Alaska do të jetë përballë senatorit demokrat nga Delaware. Para së gjithash 44 vjeçarja Palin që prej nominimit të saj në fund të gushit ka shkaktuar bujë të madhe si në aspektin negativ ashtu dhe në atë pozitiv.

Edhe pse ajo mobilizon bazën prapëseprapë i bën ekspertët të rënkojnë

Që prej nominimit Sarah Pelin mbahet larg mediave. Deri tani ajo nuk ka dhënë asnjë konferencë për shtyp, fushatën zgjedhore e zhvillon bashkë me kandidatin Xhon McCain dhe intervistat e saj të pakta janë të gjitha të inçizuara më parë. Andaj Amerika e pret kureshtare të enjten mbrëma. Njerëzitë nuk presin shumë nga Sarah Pelin, sepse që në intervistat e fundit televizive ajo nuk bëri figurë të mirë. Ajo dukej shumë artificiale, përgjigjet e saj përmbanin më shumë fjalë boshe dhe pjesërisht ta bënin kokën lëmsh më shumë se sa të sqaronin. Një shembull: Në një intervistë për kanalin NBC e pyetur për përvojën e saj në politikën e jashtme: "Alaska ka një kufi shumë të ngushtë detar me një vend të huaj siç është Rusia dhe nga ana tjetër kufiri tokësor, të cilin ne e kemi me Kanadanë. Eshtë e çuditshme që një gjë e tillë nuk është vënë në dukje askund. Megjithatë edhe unë nuk e di saktë...".

Edhe kur flitet për ekonominë përgjegjet e Pelins nuk janë më thelbësore

Intervistat e saj bëjnë të ngrejnë krahët edhe analistët konservator. Posti i zëvendëspresidentes duket që është një numër i madh për të, thonë ata. Bile ka zëra të cilët kërkojnë që Pelin, të heqë dorë nga kandidatura për shkaqe gjoja personale. Por për dallim baza republikane e ka për zemër gruan me gjuhë të thjeshtë, gjithmonë me buzën në gaz, që rrit pesë fëmijë dhe prapëseprapë ka arritur të bëj karrierë.

Annette Heuser, drejtuese e zyrës së Fondacionit Bertelsmann në Uashington mendon se Pelin ka sjellë vlera të reja në fushatën elektorale: "Ajo mbron vlerat stërkonservatore për të cilat flasin shumë amerikanë dhe deri tani nuk janë shfrytëzuar në debatet politike as nga McCaini, as nga Obama e as nga Bideni. Kështu që ajo ka arritur të plotësojë një vakum politik që është me rëndësi vendimtare për zgjedhjet ".

Grupi elektoral i McCain-it ka kritikuar disa herë mediat javëve të fundit. Ato kanë marrë shumë më tepër nën lupë Sarah Pelinin në krahasim me kandidatin e Barak Obamas për zëvendëspresident, Xho Biden. Edhe ky i fundit ka bërë gafa nëpër intervista por për to është informuar shumë pak. Përshembull: Kriza ekonomike. Në një intervistë Xho Biden flet për krizën e vitit 1929:"Kur ra tregu i aksioneve, Frenklin Ruzvelt doli në televizion dhe foli jo vetëm për lakminë".

Në vitin 1929 transmetimi televiziv ishte në fazën e tij të parë dhe medium aktual në atë kohë ishte Radio. Dhe presidenti amerikan ishte Herbert Hauer dhe jo Frenklin Ruzvelt.