1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarkozy mobilizon "popullin e Francës"

16 Prill 2012

Në qendër të Parisit nën qiellin e hapur, presidenti francez Sarkozi doli për të siguruar vota. Megjithë motin e ftohtë dhe me erë, njerëzit erdhën në turma. Por ai ishte bindës Sarkozy?

https://p.dw.com/p/14eXY
Sarkozy në fjalim para popullit
Sarkozy në fjalim para popullitFotografi: Bettina Kaps

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të dëgjuar fjalimin e fushatës elektorale të presidentit francez Nikolas Sarkozy për një mandat të dytë. Duke pasur parasysh sondazhet e deritanishme, të cilat parashikojnë një humbje në zgjedhjet e balotazhit me 6 maj, ata donin t'i japin mbi të gjitha kurajo presidentit dhe vetvetes.

Studentja e drejtësisë Lorine ka frikë se rezultati i zgjedhjeve do të jetë shumë i ngushtë, por 21-vjeçarja megjithatë shprehet e bindur se Sarkozy do të fitojë në fund. Programi i tij në fushën e ekonomisë është më i besueshëm se ai i kundërshtarit të tij, thotë Lorine.

Francois, një ish-zjarrfikës, ka ardhur në Paris enkas nga qyteti Gras i jugut të Francës - vetëm për të brohoritur presidentin. Tashmë në pension, Francois beson se vetëm Sarkozy është ai që mund të shpëtojë Francën nga kriza. "Ai na shpëtoi. Në krahasim me Italinë, Spanjën dhe Portugalinë, Franca i ka punët mirë. Pa të si president, këtu do të ishte më keq se në Greqi. "

Studentja Lorine
Studentja LorineFotografi: Bettina Kaps

Për Sarkozy-n nga frika për para

Ndryshe nga shumica e njerëzve të cilët vërshojnë në tubimin e fushatës zgjedhore, Patricia nuk është përkrahëse entuziaste e presidentit. 51-vjeçarja ka ardhur herët. Ajo ka qëndruar ulur një orë në murin e urës mbi Senë, thotë ajo, dhe ka kundruar njerëzit. Shumica e tyre që kaluan atypari ishin midis 50 dhe 70 vjeç. "Unë nuk pashë pothuajse fare të rinj, shumë pak afrikanë dhe asnjë arab", përmbledh shkurt Patricia. Kjo do të thotë se vetëm një pjesë e vogël e popullisë tërhiqen nga Sarkozy. "Por vendi nuk mund të qeveriset vetëm me një grup të ithtarëve, kjo është e pamundur."

Patricia sapo është kthyer nga një qëndrim në Côte d'Azur në jug të Francës. Të gjithë miqtë e saj duan të votojnë për Frontin Kombëtar nga e djathta ekstreme apo të abstenojnë nga votimi. Prandaj ajo pret një disfatë të presidentit aktual. Megjithatë vetë ajo planifikon të votojë prapë për Sarkozy-n, thotë ajo, sepse ajo ka frikë për paratë e saj. Nëse fitojnë socialistët ajo ka frikë se taksat do të jenë më të larta.

Patricia ka dyshime
Patricia ka dyshimeFotografi: Bettina Kaps

Presidenti kërkon një rol të ri të Bankës Qendrore Evropiane

Presidenti i njeh shumë mirë si frikën ashtu dhe shpresat e francezëve. Prandaj në fjalimin e tij, ai nuk iu drejtua vetëm mbështetësve të tij, por mbarë "popullit francez". Ai iu përgjërua në mënyrë të përsëritur "shumicës së heshtur", dhe iu drejtua në mënyrë eksplicite shtresave shoqërore të dobta, njerëzve që vuajnë nga problemet ekonomike. Ai i paralajmëroi ata kundër tundimit për të votuar për një parti ekstreme.

Në të njëjtën kohë, Sarkozy premtoi se ai do të fusë përsëri kontrollin në kufijtë e jashtëm të Francës, në qoftë se edhe më tej vijnë në mënyrë të pakontrolluar emigrantët në Evropë. Edhe aspektet ekonomike natyrisht që zunë mjaft vend në fjalimin e tij. Ai paralajmëroi "hapjen e një debati mbi rolin e Bankës Qendrore Evropiane në forcimin e zhvilimit ekonomik". Nëse Banka Qendrore nuk e mbështet ekonominë në këtë drejtim atëherë ne nuk do të kemi sa duhet rritje ekonomike, paralajmëroi presidenti francez. Ai e paraqiti gjendjen shumë dramatike duke theksuar se që nga Lufta e Dytë Botërore situata nuk ka qenë kurrë kaq serioze dhe vendimet e ardhshme politike mund të jenë me pasoja të rënda.

Autor: Bettina Kaps / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi