1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schmidt dhe Brandt: kancelarët e ndryshëm

Jeanette Seifert / Auron Dodi16 Dhjetor 2013

Willy Brandt do të kishte mbushur 100 vjeç këto ditë, Helmut Schmidti feston 95 vjetorin e tij. Ish-kancelarët e SPD-së nuk mund të ishin më të ndryshëm - por ishin njerëzit e duhur për kohën e tyre.

https://p.dw.com/p/1AZT1
Willy Brandt dhe Helmut Schmidt
Fotografi: picture-alliance/dpa

A ka nevojë një politikan për pasion, për ta bërë mirë punën e tij? Me siguri jo, e kundërshtoi para pak kohësh Helmut Schmidt-i një reporter të një televizioni, me stilin e tij të kursyer të të folurit: " Ato që nevojiten janë vullneti - dhe cigaret!"

Pasion, Helmut Schmidti, i njohur që pi shumë duhan, dhe që ishte kancelar nga viti 1974 deri më 1982, me të vërtetë nuk ka rrezatuar ndonjëherë- po edhe ka ngjallur rrallë. Ky ndoshta është kontrasti më i thellë me paraardhësin e tij: Schmidtin e vlerësonin dhe e respektonin, ndërsa Willy Brandtin shumë e përçmonin si "emigrant" dhe "mik të komunistëve" - por mbi të gjitha e donin. Që para se të zgjidhej si socialdemokrat në vitin 1969, shumë shihnin tek ai "Kennedy-n gjerman": të ri, të zgjuar, shumë i preferuar për njerëzit.

Brandti midis njerëzve
Brandti midis njerëzveFotografi: picture alliance/Hilde u. Karl Heinz Hock

Brandti e theksoi profilin e tij që në krye, me anë të mënyrës së tij karizmatike dhe që të shkonte në zemër, mendon historiani dhe publicisti Norbert Seitz. "Por edhe mënyra se si i organizonte ai largimet, qoftë si kancelar në vitin 1987 ose edhe si kryetar partie - ishin ngjarje me përmbajtje të fortë emocionale". Kur opozita donte ta rrëzonte nga posti në vitin 1972 me një mocion votëbesimi, mijëra vetë dolën në rrugë duke protestuar, shumë punëtorë u hodhën në grevë. Miliona vetë kërkuan në intervista në televizion që "Willy" i tyre, siç e thërrisnin kancelarin, të qëndronte në post. "Në rastin e Helmut Schmidtit ishte më tepër pranim i meritave. Dhe respekt përballë gatishmërisë së tij për të marrë vendime, para guximit të tij në situata kritike."

Emigranti dhe ushtari i Wehrmacht-it

Të kanë një diferëncë vetëm pesë vjeçare në moshë, por nganjëherë ajo që i dallonte ishin botë. Willy Brandt, më i vjetri, kaloi që në fillim në opozitë ndaj regjimit të Hitlerit dhe kohën e nazizmit e kaloi në emigracion në Norvegji. Helmut Schmidti nga ana tjetër u fut në Luftën e Dytë Botërore si ushtar i Wehrmachtit, dhe si oficer shërbeu madje edhe në frontin e Lindjes. Një njeri që u përshtat - më vonë ai shprehu pendim për këtë: "Schmidti ka vuajtur që nuk e zotëronte aftësinë për të parë larg si Brandt-i", shkruan gazetari Gunter Hofmann, në librin e tij për dy kancelarët.

Willy Brandt gjunjëzohet në ish-Geton e Varshavës
Willy Brandt gjunjëzohet në ish-Geton e VarshavësFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe si politikan ai mbetet një person që para së gjithash donte të plotësonte detyrimin e tij: ai punonte me disiplinë, përpunonte deri natën male të tëra me dokumenta, gjithmonë i gatshëm që të merrte me shpejtësi dhe në mënyrë konsekuente vendime. Brandt nga ana tjetër konsiderohej si i butë, tolerant, që shpesh vepronte në mënyrë spontane, nganjëherë edhe pa guxim.

Të guxojmë më shumë demokraci: Willy, vizioneri

Çfarë i formoi në rininë e tyre të dy politikanët? Në rastin e Willy Brandtit ishte para së gjithash ndërtimi i Murit të Berlinit në vitin 1961, i cili ndodhi në vitet kur ai ishte kryetar i bashkisë së Berlinit. Nuk ishte fjala që të veprohej, por që të gjendeshin fjalët e duhura. Brandti i gjeti ato - që u bënë njëkohësisht edhe tema qendrore e viteve të tij të mëvonshme si kancelar. Afrimin me Republikën Demokratike Gjermane dhe me shtetit e Traktatit të Varshavës, që u njoh si "Politika e re ndaj Lindjes": deri sot ajo mbahet mend si element qendror i periudhës së tij në post. Takimet me sekretarin e parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Leonid Brezhnjev, Marrëveshjet e Lindjes. Momenti emocional, kur Brandt-i, në një vizitë shtetërore në ish-Geton e Varshavës, u gjunjëzua - deri sot nuk dihet nëse ndoqi atëherë thjesht një impuls spontan. Brandti kishte gjithmonë në mendje vizionin e një Evrope paqësore: "ne duam të bëhemi dhe të jemi një popull i fqinjëve të mirë, brenda dhe jashtë", kështu u shpreh ai në deklaratën qeveritare në tetor 1969. Me moton e tij të dytë, "të guxojmë në tepër demokraci", ai u dërgonte qytetarëve gjermanë sinjalin, se e kishte seriozisht ecjen drejt një shoqërie më të hapur, më të lirë.

"Nëpunësi më i lartë i administratës"- kështu e thërrisnin Schmidt-in
"Nëpunësi më i lartë i administratës"- kështu e thërrisnin Schmidt-inFotografi: picture alliance/Heinrich Sanden

T'i përmbahemi kursit: Schmidt-i, njeri i veprave dhe menaxher

Helmut Schmidt-it iu desh të konfirmohej që herët si menaxher krizash: më 1962 ai ishte senator i punëve të brendshme në Hamburg, kur qytetin e mbuloi një valë përmbytjeje. Politikani i ri Schmidt u gjallërua në formën e tij më të mirë: ai i shfrytëzoi kontaktet me Bundeswehrin dhe me NATO-n dhe kërkoi pa e zgjatur ushtarë dhe materiale për ndihmë - gjë që kushtetuta gjerman në fakt e ndalon. Edhe më vonë si kancelar, njeriu i veprave Schmidt qe i nevojshëm. Euforia e reformave të viteve të para të qeverisë Brandt kaloi shpejt. Në vitin 1973 ndodhi "shoku i çmimit të naftës", njëkohësisht shpërtheu kriza ekonomike: një mal me probleme para të cilave u ndodh Helmut Schmidti, pasi Willy Brandtit iu desh të japë më 1974 dorëheqjen, për shkak të një afere spiunazhi në kancelari.

Edhe sot një ikonë për SPD: monumenti i Willy Brandt-it në qendrën e SPD në Berlin
Edhe sot një ikonë për SPD: monumenti i Willy Brandt-it në qendrën e SPD në BerlinFotografi: picture-alliance/ZB

Kur në vjeshtën e vitit 1977 organizata terroriste "Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe" e bëri Gjermaninë të mbante frymën, me atentate, vrasje dhe së fundi me rrëmbimin e avionit të pasagjerëve "Landshut", sërish qe i nevojshëm talenti i Helmut Schmidtit si menaxher i krizave.

Këtu njeriu i veprave Schmidt, atje njeriu i lëkundur Brandt: sipas mendimit të autorit Hofmann, këto përcaktime janë edhe klishe - të ushqyera nga të dy pa u lodhur në publik: "Brandti ishte në gjendje që për çështje të caktuara të sillej edhe si politikan i ashpër i realpolitikës - dhe në shumë çështje, edhe Helmut Schmidti lëkundej, edhe nëse ne nuk donte që të tjerët ta kuptonin", thotë gazetari Hofmann.