1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schockenhoff: "Proces i montuar kundër shoqërisë civile"

Nikita Jolkver/ Esat Ahmeti27 Prill 2013

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Rusinë, Andreas Schockenhoff, kritikon në një intervistë për DW procesin kundër një blogeri rus dhe gjobat kundër organizatave jo-qeveritare.

https://p.dw.com/p/18OCl
Fotografi: DW/A. Brenner

Deutsche Welle: Në Rusi Organizata e pavarur për monitorimin e zgjedhjeve Golos është dënuar me një gjobë prej 300 000 rubla (7.500 euro). Golos kishte refuzuar që të regjistrohet si një "agjent i huaj". Kështu e kërkon ligji kur organizatat për të mbështetur punën e tyre marrin para nga jashtë. Si e vlerësoni Ju këtë gjykim?

Andreas Schockenhoff: "Ne jemi frikësuar se do të përdoret ky mekanizëm. Tani mbetet të shihet nëse do të ketë sanksione më të rrepta në qoftë se ata nuk mund të paguajnë gjobën. Sidomos kundër drejtueses së Golos, Liliya Shibanova e cila bën një punë të madhe. Ne shpresojmë se ajo do të shfrytëzoj solidaritetin ndërkombëtar dhe do të ketë një mundësi për të mbrojtur veten në një procedurë ligjore kundër këtij dënimi."

Në Rusi ka shkaktuar protesta një proces tjetër. Blogeri i njohur Alexei Navalny ndodhet aktualisht në gjyq. Si e shihni Ju këtë proces?

Andreas Schockenhoff: "Unë kam frikë se procesi kundër Navalny-t është një proces i montuar kundër iniciativave të shoqërisë civile. Unë shpresoj që procesi do të jetë transpranet, i hapur dhe Navalny do të ketë të gjitha mundësitë që të mbrohet kundër akuzave me të cilat ai ngarkohet. Por unë kam frikë se motivet për këtë proces janë të tjera prej atyre të shënuara në aktakuzë. Duhet të ekzistojnë parime të qarta ligjore në mënyrë që Navalny të konisderohet si i pafajshëm për aq kohë sa nuk do të vërtetohen pikat e aktakuzës."

Si do ta vlerësonit Navalny si person? A është ai një figurë shumë premtuese e opozitës ruse?

Andreas Schockenhoff: "Unë nuk mund të vlerësojë personalitetin e tij vetëm në bazë të disa takimeve. Ndoshta ai do të ishte një vlerësim i njëanshëm në qoftë se unë do ta bëja atë. Nga ana tjetër nuk bëhet këtu fjalë vetëm për z. Navalny si person, por bëhet fjalë edhe për cilësinë e shtetit ligjor rus dhe për parime të qarta të ndarjeve të pushteteve. Bëhet fjalë për gjykata të pavarura të cilat nuk janë të varura nga udhëzimet politike dhe nuk pranojnë sinjale përmes komenteve të aparatit shtetëror se çfarë pritet nga ato. Në rastin konkret edhe pse bëhet fjalë për fatin personal të një njeriu prapëseprapë flitet për më shumë për një parim: parimin e shtetit ligjor. Prandaj unë vetëm mund të kërkoj nga gjykatat ruse që të jenë të pavarura gjatë kryerjes së këtij procesi dhe të veprojnë sipas normave ligjore."

I rikthehemi përsëri OJQ-ve në Rusi. Para pak kohësh janë kryer bastisje dhe kontrolle të fondacioneve gjermane, pak para një vizite të Putinit në Panairin e Hanoverit. Çfarë mendoni ju, ishte kjo rastësi apo e planifikuar?

Andreas Schockenhoff: "Unë nuk besoj se kjo ishte e planifikuar që të ndodhte saktësisht gjatë kohës së panairit në Gjermani. Për shkak se qëllimi i veprimeve nuk ishin fondacionet gjermane por qytetarët rusë. Ata morrën një sinjal të qartë: pushteti politik në Rusi e ndjen si kërcënim bashkëpunimin vullnetar me partnerët e huaj. Në realitet, megjithatë, një shtet modern konkurrues mbështetet në angazhimin qytetar. Prandaj, ky mesazh është drejtuar në të vërtetë kundër të ardhmes së shtetit rus dhe shoqërisë ruse."

A ka kuptim që fondacionet gjermane të vazhdojnë të punojnë në Rusi? Apo ndoshta ato do të duhej të ndërprenin aktivitetin e tyre në këtë vend?

Andreas Schockenhoff: "Jo, sigurisht që ka kuptim. Partnerët tanë janë administrata ruse, parlamenti rus, pra Duma ruse dhe parlamentet në rajone. Por ka edhe organizata jo-qeveritare. Ky është angazhimi publik në kuptimin e gjerë. Shkëmbimi i përvojave, po ashtu edhe edukimi politik në kuptimin e gjerë, është një objektiv i rëndësishëm. Kjo nuk drejtohet vetëm nga disa pjesë të caktuara të shoqërisë ruse."