1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sejdiu-Thaçi: Sulmi ndaj ICO-së është akt i shëmtuar i armiqëve të Kosovës

Bekim Shehu15 Nëntor 2008

Në Prishtinë, sulmohet ndërtesa e misionit politik të BE-së "ICO". Persona të panjohur kanë hedhur një mjet të paidentifikuar shpërthyes mirëpo pos demëve materiale, pasoja në njerëz nuk ka pasur.

https://p.dw.com/p/FvLu
Pamje nga Prishtina
Pamje nga PrishtinaFotografi: picture-alliance/ dpa

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, e kanë dënuar ashpër sulmin ndaj ndërtesës së Zyrës Civile Ndërkombëtare. Sipas tyre ky sulm paraqet një akt armiqësor. Ata kërkuan nga organet e rendit që të veprojnë me shpejtësi për ta zbardhur rastin dhe përgjegjësit të vëhen përpara drejtësisë. Presidenti Fatmir Sejdiu, u kërkon qytetarëve që të jenë të qetë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu
Presidenti i Kosovës, Fatmir SejdiuFotografi: picture-alliance/dpa

"E dënojmë në mënyrën më të ashpër të mundshme shpërthimin te ndërtesa e ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës. E themi po ashtu se asgjë e lere më një përpjekje e tillë e shëmtuar, nuk do ta zbeh respektin e fuqishëm që populli i Kosovës ka për Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi për të qenë partnerë të besueshëm të bashkësisë ndërkombëtare", thotë Presidenti Sejdiu.


Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, i cili sulmin e cilëson kundër proceseve integruese në vend.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim ThaçiFotografi: AP

"Edhe qeveria e Kosovës, sikurse të gjitha institucionet e vendit, i bashkëngjitet dënimit të ashpër të mundshëm për shpërthimin pranë ndërtesës së ICO-së. E themi pa hezitim se kryrësit e këtij akti të shëmtuar janë armiqtë e Kosovës. Unë kam kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme ndërmarrjen e masave të shpejta, konkrete për kapjen e akterëve dhe zbardhjen e këtij rasti", thotë kryeministri Thaçi.


Sulmi është dënuar edhe nga vet përfaqësuesit e zyrës civile ndërkombëtare. Zëdhënësi i kësaj zyreje, Andy Mc Guffie, thotë se prania ndërkombëtare i falënderohet qeverisë së Kosovës për mbështetje dhe pret nga ekzekutivi i vendit që ta garantojë sigurinë e stafit të të gjitha misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.


Shpërthimi në oborrin e zyrës civile ndërkombëtare ndodhi në një periudhë tensionesh lidhur me bisedimet në vazhdim ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtarë lidhur me procesin e rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtarëenë vend. Prishtina kundërshton një marrëveshje gjashtë pikëshe të arritur ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit e cila parasheh një shkallë të autonomisë në fushat e policisë, drejtësisë e doganave në veriun vendit. Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se akoma është herët të flitet për motivet e shpërthimit nëse ai ka të bëjë me procesin aktual politik.

Sejdiu e Thaçi flasin njëzëri kundër dhunës
Sejdiu e Thaçi flasin njëzëri kundër dhunësFotografi: picture-alliance/ dpa


"Ne s'do të donim ti ndërlidhnim, por armiqtë e popullit dhe Kosovës mund të provojnë gjithçka. Për ne është me rëndësi që e kemi shprehur qëndrimin tonë se e dënojmë vërtetë këtë akt, kurse procesi i bisedimeve është një rjedhë normale që ne e kemi përfillur edhe deri tani. Kemi shprehur vërtetë qëndrime të qarta për atë materie të gjashtëpikëshit është një dokument që me substancën, elementet substanciale dhe si i tillë, pra si tërësi është i papranueshëm për Kosovën", thotë presidenti Sejdiu.


Zyra civile ndërkombëtare udhëheqet nga diplomati Pieter Faith dhe funksionon në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian. Mandate i zitit Faith është është mbikëqyrja e zbatimin të planit të Marti Ahtisarit.