1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170810 Messe Computer Gamescom

18 Gusht 2010

Të mërkurën (18.08) hapi dyert panairi "Gamescom" në Köln - panairi më i madh evropian i lojërave kompjuterike. Sektori ka patur rënie në shitje prandaj interesi për startimin e panarit është shumë i madh.

https://p.dw.com/p/Opv2
Sektori ka shumë nevojë për risitë që bëhen publike në ditët e -panairit.
Sektori ka shumë nevojë për risitë që bëhen publike në ditët e -panairit.Fotografi: Koelnmesse

Për lojëra kompjuterike me cilësi të lartë, një konsumator në Gjermani duhet që të nxjerrë mesatarisht 25 euro nga xhepi. Por në gjysmën e parë të këtij viti, të apasionuarit pas lojërave në kompjuter nuk e kanë futur aq shpesh dorën në xhep, si më parë. Si rrjedhojë sektori regjistroi katër përqind më pak xhiro - diçka e habitshme kjo, pasi vitet e mëparshme shifrat e sektorit të lojërave kompjuterike njihnin vetëm ngjitje.

Olaf Wolters, drejtor i Shoqatës Gjermane për Software (softuere) Zbavitës e Interaktivë përmbledh: "Katërmujori i fillimvitit ka qenë shumë i mbarë, kishim rritje, gjë që ishte madje surprizuese për ne. Ndoshta kjo për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Njerëzit kanë qenë në shtëpi dhe kanë luajtur në kompjuter. Katërmujori i dytë përkundrazi na zbriti në minus, pësuam një rënie në treg. Ndoshta kjo lidhet me Kampionatin Botëror të Futbollit dhe me valën e të nxehtit. E parë kështu me një rënie të lehtë, gati katër përqind nuk është se jemi shumë të pakënaqur."

Interesi për startimin për herë të dytë të panarit është shumë i madh.
Interesi për startimin për herë të dytë të panarit është shumë i madh.Fotografi: Koelnmesse

Microsoft vazhdon të shesë më shumë

Veçanërisht rënia e xhiros së lojërave kompjuterike me platformë qe shumë e ndjeshme. Gati 25%. Vetëm lojërat e tipit "Sony Playstation" apo "Xbox" të Microsoft-it pësuan rritje në xhiro.

Olaf Wolters thotë: "Platformat e tjera kanë pësuar lëkundje, veçanërisht lojërat me platforma portative, duket se ato kanë nevojë për një rifreskim teknologjik. Ka kohë që në këtë drejtim janë bërë disa njoftime, por nuk e dimë nëse të rejat në këtë drejtim do të dalin në treg këtë vit, mbetet të presim."

Sektori i lojërave kompjuterike tregon një tendencë që shkon krah për krah me zhvillimin demografik në Gjermani. Përdoruesi rritet gjithnjë e më shumë në moshë. Çdi i treti person që përdor lojërat kompjuterike në Gjermani është mbi të tridhjetat. Mesatarja e moshës kap të 25-t.

Gjinia që përdor lojërat kompjuterike është mashkullore

Një problem i vjetër ky. Prej vitesh sektori nuk ia del dot të rrisë numrin e femrave para monitorit. Olaf Wolters nga Shoqata Gjermane për Software (softuere) Zbavitës: "Femrat thjesht luajnë ndryshe, për këtë sektorit i duhet të vazhdojë të ndjekë zhvillimet. Ndoshta duhen angazhuar më shumë programuese femra për lojërat kompjuterike, për të ardhur më shumë input nga ana femërore. Në këtë pikë shpresojmë që të kenë sukses iniciativat që po startojmë në fushën e shkollimit dhe kualifikimit për ta bërë sa më atraktive zhvillimin e lojërave kompjuterike edhe për femrat. "

gamescom 2009
gamescom 2009Fotografi: Koelnmesse

Ndërsa për sa i përket panairit të dytë të "Gamescom" në Këln, organizatorët paraqiten optimistë. Numri i pjesëmarrësve është më i madh këtë herë, në Këln priten më shumë se 500 firma nga 33 vende të botës. Edhe numri i premierave që do të paraqiten në panair është dyfishuar. Po ashtu edhe shitja e biletave po shkon mirë.

Për drejtorin e panairit Oliver P. Kuhrt diçka është shumë e rëndësishme: "Ajo që na gëzon më shumë, është që edhe njëherë kemi një rritje me 10% në aspektin ndërkombëtar të panairit. Kjo ka qenë për ne një gjë shumë e rëndësishme, pra që të mos pozicionohemi thjesht si një panair gjerman, por që të bëhemi një organizim vërtet evropian. Dhe kësaj ia kemi dalë mbanë."

Rriten ofertat 3D

Tendenca e kinemave, filmat tredimensionalë (3D) do të jenë prezentë edhe në "Gamescom". Organizatorët thonë se vizitorët mund të zbaviten mjaft me platformat tredimensionale, një risi e panairit, por krahas këtyre panairi përmban edhe surpriza të tjera.

"Do të shihni funksionet online, të gjithë lojërat sot janë lojëra online. Kjo do të thotë që në të gjitha lojërat që luani, do të gjeni një komponente online, për shembull multiplayer-at. Tendenca është sot të luash i ndërlidhur me të tjerët, online, me njëri-tjetrin edhe me lojërat tradicionale."

Ai që do të luajë megjithatë duhet të tregojë durim. Megjithë 10.000 stacione të ngritura për lojërat kompjuterike vitin e kaluar vizitorët kanë pritur në radhë të gjata.

Autor: Arne Lichtenberg/ Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama