1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e Kosovës me punën e tyre në institucione mbrojnë interesat e komunitetit serb

26 Qershor 2009

Intervistë me Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq

https://p.dw.com/p/Ib5t
Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqënies socialeFotografi: DW

DW: Zoti ministër, shumica e serbëve të Kosovës nuk bashkëpunojnë me institucionet kosovare, pse mendoni se po ndodh kjo?

Rashiq: “Në politikë ka politikanë,ë manipulojnë me njërëzit e tjerë. Unë si një përfaqësues i komunitetit serb kam informata se serbët e Kosovës janë keqinformuar për zhvillimet në Kosovë, mirëpo ky fakt mund të ndryshohet vetëm me punë. Rezultatet tona për sa kohë jemi në qeveri tregojnë se ne kemi qenë shumë konkretë me punë. Kemi punësuar një numër të madh të serbëve, kemi ndërtuar të paktën 20 banesa për banim social vetëm në Gracanicë, po ashtu 14 banesa në Dobratin, ku jetojnë serbë. Pra vetëm me punë mund të ndryshojnë gjerat dhe bindja e njerëzve”.

DW: Zoti ministër, si mund te jetë shteti i Kosovës atraktiv për serbët, çfarë shërbimesh duhet t'u ofrohen atyre?

Rashiq: “Ndihma konkrete. Politikanët vijnë dhe shkojnë. Nëse qeveria e Kosovës tregon dhe dëshmon se synon një stabilitet demokratik, atëherë është normale se nevojitet bashkëpunim në mënyrë, që të jetojme së bashku. Nëse qeveria ju ofron bashkëpunim serbëve të Kosovës dhe komuniteteve tjera joshqiptare, atëherë kjo është vetëm çështje kohe, kur do të ndodhë integrimi i pakicave në shoqërinë kosovare, ndoshta brenda tre vjetësh. Kjo është esenca. Pra për dy tre vjet do të kemi shumë serbë dhe komunitete tjera joshqiptare, të cilët do të përfshihen në institucione dhe do të integrohen në shoqërinë kosovare. Për këtë jam i bindur”.

DW: Zoti minister, disa përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk pranojnë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, ju jeni ministër serb në qeverinë Thaci, çfarë ju ka shtyrë që të bëheni pjesë e institucioneve kosovare?

Rashiq: “Ne serbët e Kosovës më herët kemi pasur një përfaqësim katastrofal nga një strukturë politikanësh serbë. Ne jemi një grup të rinjsh, që jemi futur në politikë me synimin të tregojmë se komuniteti serb e meriton një përfaqësim më të mirë. Serbët e Kosovës kanë kapacitete më të mira dhe për këtë jemi angazhuar që të ndryshojmë bindjen se serbët e Kosovës mund të bëjnë gjëra të mira. Në veçanti dëshirojmë që të ndërrojmë bindjen e faktorit ndërkombëtar, të cilët kanë menduar se serbët e Kosovës janë të njejtë, sikurse përfaqësuesit e tyre, që i kanë përfaqësuar për disa vjetë pas luftës. Kjo nuk është e vërtetë dhe ne që një vit e gjysmë sa jemi në qeverinë e Kosovës kemi dëshmuar se dimë të bashkëpunojmë dhe jemi të aftë që të përfaqësojmë komunitetin serb”.

DW: Si ndiheni ne qeverinë Thaci, ju flisni gjuhen shqipe, ndërsa kryeministri juaj Hashim Thaci nuk flet gjuhën serbe?

Rashiq: “Unë mendoj se kryeministri Hashim Thaci, mundet ta mësojë gjuhën serbe, sikurse unë që jam duke u përpjekur që të mësoj gjermanisht. Por nuk kam asgjë kundër nëse dikush nuk e flet gjuhën time dhe unë e flas dhe e kuptoj gjuhen e tij. Pra për mua nuk është problem të flas me kryeministrin shqip. Por mund të them se edhe pse kryeministri Thaci nuk flet serbisht, prapë se prapë mesazhet e tij për bashkëjetesë janë shumë të rëndësishme”.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica