1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e refuzojnë marrëveshjen për zhbllokimin e situatës në veri të Kosovës

6 Gusht 2011

Kriza e Kosovës u zgjidh. Apo jo? Prishtina dhe Beogradi ranë dakord të heqin dorë nga kërkesat e tyre kryesore, kompromis ky i arritur me ndërmjetësimin e komandantit Bühler. Por serbët e Kosovës nuk e pranojnë atë.

https://p.dw.com/p/12C9a
Trupat gjermane të KFOR-it
Trupat gjermane të KFOR-itFotografi: picture-alliance/dpa

Një radhë takimesh ndërmjet KFOR-it, përfaqësuesve të qeverisë së Serbisë dhe krerëve të qeverisë së Kosovës i paraprinë arritjes së marrëveshjes për menaxhimin e dy pikave doganore në kufirin verior të Kosovës, e cila përputhet me marrëveshjen e se mërkurës e arritur ndërmjet komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler dhe kryenegociatorit serb, Borisllav Stefanoviq. Një marrëveshje e tillë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe gjeneralit të KFOR-it, Erhard Buhler ka qënë e domosdoshme, mendon komandanti i Kfori-t, Erhard Byhler.

Komandanti i KFOR-it, Erhahrd Bühler
Komandanti i KFOR-it, Erhahrd BühlerFotografi: picture-alliance/dpa

Gjenerali gjerman vlerëson poashtu se në veri të Kosovës nuk ka krizë humanitare. „Detajet e marrëveshjes nuk dua t´i diskutoj. Dhe, nuk besoj se ka krizë humanitare në veri. Aktualisht, ne veri portat janë të mbyllura për shkaqe sigurie. Unë respektoj çfarëdo vendimi të qeverisë dhe nuk i takon KFOR-it të ngrejë ndonjë embargo, e cila ndërkohë nuk është e nevojshme meqenëse portat janë të mbyllura.„

Marrëveshja në përputhje me vendimet e qeverisë së Kosovës

Sipas marrëveshjes me KFOR-in, për zhbllokimin e situatës në pikat kufitare 1 dhe 31 sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të shtatorit; kalimi i veturave, kamionëve me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionëve me ndihma humanitare pas identifikimit të kontrollit për armë; largimi i bllokadave rrugore si dhe rivendosja e lirisë së qarkullimit. Marrëveshja për veriun me mundësi vazhdimi edhe pas mesit te shtatorit, përfshin brenda vetes edhe të dhjetë pikat e qeverisë së Kosovës, siç janë; hapja e bllokadave të rrugëve; mirëmbajtja e gjëndjes së tanishme në porta; portat në përgjegjësinë e KFOR-it të cilat për shkaqe sigurie do të mbeten të mbyllura dhe zona të kufizuara ushtarake; pas një vlerësimi nga një organ i pavarur ndërkombëtar se ekziston nevoja për ndihma humanitare, në pika të caktuara kufitare lejohet hyrja e ndihmave humanitare deri në 3.5 tonë; lejimi i mallërave për Kishën Ortodokse Serbe; kontrollimi i cdo personi dhe makine për armatim; identifikimi i çdo personi; kontrolli i trenit Beograd-Mitrovicë nga EULEX dhe Policia e Kosovës i ndihmuar nga KFOR-i si dhe KFOR-i do të kryejë operacionet e kontrollit në vendkalimet e paautorizuara kufitare për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt.

Serbët e Kosovës, Rudare
Serbët e Kosovës, RudareFotografi: picture-alliance/dpa


Secila palë pjesën e vet të përgjegjësisë

Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës kanë thënë se pikat e diskutuara dhe të pranuara nga palët ndërkombëtare janë në përputhje të plotë me vendimet e qeverisë së Kosovës, të cilat përfshinë masën e reciprocitetit me Serbinë dhe vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veri të Kosovës. Ndërsa sipas zëvendëskryeministries së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, palët do të mbikëqyrin zbatimin e këtij plani dhe secila palë e ka pjesën e vet të përgjegjësisë. “Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë funksionalitetin e plotë të pikave doganore. Çështja e stabilitetit dhe paqes nënkuptohet së është mandat i KFOR-it. Përderisa, për rendin e ligjin janë bashkë Plicia e Kosovës, EULEKS-i dhe qeveria e Kosovës me pjesën e vet”, ka thënë Kusari-Lila.

Takimi i nisur pasditën e së premtes ndërmjet përfaqësuesit të qeverisë së Serbisë, Borisllav Stefanoviq dhe kryetarëve të komunave paralele në veri të Kosovës, ka përfunduar mbrëmë vonë (05.08). Pa deklarata për media, Borisllav Stefanoviq, shef i ekipit negociator serb dhe Goran Bogdanovic, ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kanë kërkuar nga serbët në Rudarë të Zveçanit, në Zubin Potok dhe Leoposavic largimin nga barrikadat dhe respektimin e marrëveshjes së arritur. Por, përfundimin e krizës në veriun e Kosovës e vë në pikëpyetje mëdyshja e serbëve në Rudare të Zveqanit për të zhbllokuar rrugen, të pakten deri të shtunën (06.08) kur strukturat paralele serbe pritet që të deklarohen nëse do të pranojnë apo do të kundërshtojnë marrëveshjen e arritur.

Barrikadat serbe, Rudare
Barrikadat serbe, RudareFotografi: picture-alliance/dpa

A ka përfunduar vërtet kriza në veri të Kosovës?

Casllav Sofronieviq, kryetar i fshatit Rudare të Zvecanit, në të cilin tash 13 ditë është ngrehur barrikada më e madhe, tha për Dojçe Vele-n se: „Populli është i vendosur të qëndrojë në barrikada derisa të mos përmbushet kërkesa jonë, që çdo gjë të kthehet në gjendjen e para 25 korrikut. Me dhunë mund t´na largojnë dhe le të urdhërojnë, nëse këtë duan ta bëjnë mbi popullin duarthtatë. Mua më vjen keq për policin e vrarë, i cili sigurisht ka pasur edhe fëmijë dhe kjo nuk do duhej të ndodhte. Por, këtu siç po e shihni edhe vetë, kemi një bllokadë me burra, gra, pleq dhe fëmijë, janë populli i këtushëm të cilët në mënyrë paqësore dëshirojnë dhe kërkojnë që të jetojnë në shtetin e Serbisë”.

Të enjten, baza amerikane e Kforit Bondstill me anë të një komunikate njoftoi se komandantit të Grupit Shumëkombësh -Lindje, kolonelit Majkëll Shvarc i ishte bërë me die nga protestuesi se brënda këtyre grupeve kishte njerëz që rrinin përkundër vullnetit të tyre. Nga një turme e tillë u shkrepën edhe plumbat që morën jetën e një polici dhe lënduan dhjetëra të tjerë. Ndërsa, pikëpyetjen nëse Serbia vërtet i do serbët e Kosovës apo i shfrytëzon ata për qëllimet e veta, këtë anë të medaljes serbët e këtushëm nuk duan ta shohin as s´mund ta pranojnë. Dhe, prandaj z.Sofronievic thotë i bindur plotsisht se: “Nëna nuk braktis foshnjën e vet”.

Serbët bllokojnë rrugën
Serbët bllokojnë rrugënFotografi: dapd

Hapi tjetër-rikthimi në tryezën e bisedimeve

Ndërkohë, Presidenca e Kosovës përshëndet marrëveshjen e arritur lidhur me kufijtë verior të Kosovës. "Marrëveshja e arritur ndërmjet qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, e ndërmjetësuar dhe e miratuar nga KFOR-i, është një lajm i mirë për qytetarët e të dyja vendeve dhe një veprim i arsyeshëm i cili zhbllokon gjëndjen e krijuar në tri komunat veriore të Kosovës dhe në pikat kufitare 1 dhe 31. Vendimi i qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reciprocitetit në këmbimin e mallrave me Serbinë dhe në urdhrin e Kryeministrit të Kosovës për të dërguar një Njësi të Policisë Speciale të Kosovës për t'u mundësuar doganave të Kosovës zbatimin e masës së doganimit dhe të kontrollit të mallrave që hyjnë në territorin e Kosoves ishte një veprim i drejtë e i koordinuar dhe si i tillë legal dhe legjitim për shtetin sovran të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për media lëshuar nga Zyra e Presidencës së Kosovës, e cila mbështet hapin tjetër për kthimin e të dyja palëve në tavolinën e bisedimeve, që me ndërmjetësimin e BE-së të gjejnë një zgjidhje themelore të konfliktit. Sepse, siç thuhet në komunikatë axhenda në Bruksel, që palët dialogojnë me ndërmjetësimin e BE –së, është alternativa e vetme deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane me një të ardhme te përbashkët në integrimet euroatlantike; një rrugë të cilën mund ta kalojnë me sukses vetëm duke bashkëpunuar, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke i zgjidhur të gjitha çështjet dhe problemet praktike në modelin e standardeve evropiane.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama