1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e veriut bllokojnë qarkullimin në Jarinje

Bekim Shehu17 Dhjetor 2012

Afaristët serb nga pjesa veriore e Kosovës kërkojnë që mallrat që hyjnë nga Serbia të mos doganohen nga pala kosovare. Bllokada kaloi ka incidente.

https://p.dw.com/p/173ts
Kufiri Kosovë-Serbi
Kufiri Kosovë-SerbiFotografi: Carsten Koall/Getty Images

Serbët e veriut të Kosovës për disa orë bllokuan serish të hënën me 17.12.2012, rrugën kryesore afër vendkalimit kufitar me Serbinë në Jarinje, në shenjë kundërshtimi për "shkeljen e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit IBM", nga pala kosovare. Protestuesit ishin kryesisht afarist serb nga pjesa veriore e Kosovës, të cilët thonë se ata kanë marrë premtime nga autoritetet e Beogradit se mallrat që hyjnë nga Serbia në veri të Kosovës nuk do t'u nënshtrohen taksave doganore.

Sërish bllokada në veri.
Sërish bllokada në veri.Fotografi: picture alliance/dpa

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se "protesta u zhvillua e qetë afër pikës kufitare të Jarinjes. Ndërsa KFOR-i ka ndërmarrë të gjitha masat që protestuesit të mos mund t'i afrohen pikës kufitare".

Kërkesa kryesore: heqja e doganave

Mediat lokale serbe citojnë afaristin serb Lubisha Petroviq, i cili thotë se kërkesa kryesore e afaristëve nga veriu i Kosovës është të hiqen taksat doganore për pikat kufitare në veri të Kosovës. “Kërkojmë heqjen e doganës dhe kjo çështje të mos bisedohet më. Po ashtu kërkojmë që shteti ynë, Serbia, përfundimisht të zbatojë marrëveshjen dhe të shtrijë institucionet e saja edhe veri, në mënyrë që doganat dhe të hyrat tjera të vendosen vetëm mbi bazën e sistemit të Serbisë”, ka thënë Lubisha Petroviq.

Rregulla të njëjta në të gjitha pikat doganore

Autoritetet e Prishtinës deri tani nuk kanë publikuar detaje të marrëveshjes për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Marrëveshja ka filluar të zbatohet me 10. dhjetor. Drejtori i Doganave të Kosovës Naim Huruglica pohon se rregullat doganore vlejnë njëjtë edhe në veri, si në të gjitha pikat tjera doganore.

“Kosova është një territor i pavarur doganor, shtet unik me një territor doganor dhe obligimet lindin për çdo qytetar, si kosovar ashtu edhe të huaj. Nëse në territorin e Kosovës futen mallra, ato i nënshtrohen taksave. Unë si drejtor i doganave nuk kam kurrfarë udhëzimesh se mund të ketë përjashtim për qytetarët në veri”, thotë Huruglica.

Naim Huruglica
Naim HuruglicaFotografi: DW

Afaristët serb nga veriu i Kosovës, në fund të javës së shkuar takuan zyrtarët e misionit EULEX, të cilët mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit me Serbinë. Ata kanë kërkuar që mallrat që hyjnë nga Serbia në veri të mos doganohen. Zyrtarët e misionit EULEX dhe doganierët kosovarë, mallrat komerciale që hyjnë nga Serbia në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje, i dërgojnë për doganim në terminalin doganor në jug të qytetit të Mitrovicës. Këtë e konfirmon zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Doganat e Kosovës nuk i ndalin ato mallra që janë të konsumit ditor apo ushqime të ndryshme që janë për pjesën veriore. Natyrisht që i ndalim mallrat që kanë natyrë komerciale të cilat ose dërgohen në terminalin doganor që është në jug të qytetit të Mitrovicës, ose dërgohen në pikën tjetër kufitare me Serbinë në Merdare - sidomos ato mallra që kanë akcizë”, thotë zëdhënësi i doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Protestat kanë sfond politik

Analistët në Prishtinë, protestat e serbëve të veriut dhe bllokimin e pikave kufitare nuk i ndërlidhin vetëm me kontrollin doganor që u bëhet serbëve të veriut dhe mallrave të tyre. Driton Lajqi thotë se serbët e veriut qofshin ata afarist apo qytetar të zakonshëm, disa herë janë deklaruar se fillimi i zbatimit të IBM-së do të thotë njohje e shtetit të Kosovës. Sipas Lajqit, ky është mesazhi politik i tyre.

“Kjo nuk është njohje e shtetit të Kosovës. Kur bëhet fjalë për biseda teknike dhe politike, bëhet fjalë edhe për lëshime nga të dyja palët. Zonat ku do të zbatohet kalimi i mallrave njerëzve dhe shërbimeve, serbët i quajnë pika kaluese. Ndërsa ne i quajmë kufi, por atje nuk ka simbole shtetërore nga asnjëra palë”, thotë Driton Lajqi.

Menaxhimi i integruar i kufirit, sipas konceptit të Bashkimit Evropian, nënkupton koordinim dhe bashkëpunim në nivel nacional dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve relevante dhe agjencioneve për sigurinë e kufijve dhe lehtësimin e tregtisë. Kufiri duhet të jetë i hapur, por i kontrolluar dhe i sigurt.

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, do të mbahet me 17 janar, ka konfirmuar zyra e shefes ë diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Ajo ndërmjetëson bisedimet Kosovë-Serbi. Çështja e mallrave të Serbisë që hyjnë në veri të Kosovës do të jetë pjesë e këtyre bisedave. Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, thotë se megjithë mosbesimin dhe shqetësimet e njerëzve, zbatimi i kësaj marrëveshjeje po i hapë kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë.