1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët në Kosovë: Shpallja e pavarësisë nuk na detyron ta respektojmmë si vendim

Bekim Shehu / Prishtinë11 Shkurt 2008

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, thonë se do ta kundërshtojnë në çdo formë pavarësinë e Kosovës, por me veprime që do t´i kontribuojnë ruajtjes së paqes dhe qetësisë.

https://p.dw.com/p/D5eD
Pamje nga PrishtinaFotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, janë shprehur se shpallja e mundshme e pavarësisë së Kosovës, nuk do t'i detyrojë ata që ta respektojnë vendimin. Përfaqësuesit e serbëve vazhdojnë të besojnë se rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi dhe ata do të kenë kontakte të ngushta me forcat paqeruajtëse dhe UNMIK-un, ndërsa me veprimet e tyre do të kontribuojnë që në Kosovë të ruhet paqja dhe qetësia. Mirëpo një javë më pare, përfaqësuesit e komunave veriore të Kosovës dhe këshilli kombëtar serb, morën vendim që më datën 15 të këtij muaji të formojnë të ashtuquajturin "parlamentin serb", në kuadër të Kosovës. Me këtë, ata dëshirojnë që të kenë një mekanizëm të tyre që do të kujdeset, sic thonë, për serbët e Kosovës dhe t´u përgjigjet veprimeve të kuvendit të Kosovës. Nebojsha Joviq, është anëtar i këshillit kombëtar të serbëve të Kosovës: "Eshtë e pamundur që pavarësia të zbatohet në veriun e Kosovës, por nuk guxojmë që të bëjmë asgjë që do të vinte në rerzik popullatën serbe në pjesët e tjera të Kosovës. Pra çdo vendim i veriut të Kosovës do të merret në bashkërëndim edhe me serbët që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës", thotë Nebojsha Joviq.

Hauptquartier der UNMIK, United Nation Mission in Kosovo, in Pristina
Kuartieri i UNMIK-ut në PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Krerët e administratës ndërkombëtare dhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ndërkaq, thonë se janë vetëm institucionet kosovare të dala nga zgjedhjet e lira dhe prania ndërkombëtare në Kosovë, civile dhe ushtarake, ato që janë legjitime, ndërsa çdo mekanizëm tjetër do të cilësohet jolegjitim të funksionojë në Kosovë. Shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker, ka rikujtuar serbët e Kosovës se strukturat serbe të arsimit dhe shëndetësisë do të legjitimohen bazuar në paketën e statusit të ndërmjetësit, Marti Ahtisari, mbi bazën e së cilës autoritetet e Prishtinës do ta shpallin pavarësinë. Mirëpo, serbët e Kosovës nuk e pranojnë paketën e Marti Ahtisarit, sikundër janë shprehur edhe kundër vendosjes në Kosovë të misionit të ri të BE-së. Ata kanë thënë se nuk i detyrohen për asgjë misionit të BE-së, që së shpejti do të vendoset në Kosovë, ndërsa veprimet e tyre në rast se Kosova shpallë njëanshëm pavarësinë do të jenë mirë të kordinuara vetëm me autoritetet e Beogradit.