1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia i kthehet normalitetit

7 Maj 2012

Në Serbi u zhvilluan të Dielën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Sipas rezultateve të para paraprake në zgjedhjet e balotazhit presidenti aktual Tadiq do të përballet me liderin e opozitës Nikoliq.

https://p.dw.com/p/14r2z
Boris Tadiq del në balotazh
Boris Tadiq del në balotazhFotografi: dapd

Serbia i është kthyer normalitetit. Një fushatë zgjedhore pa shumë zhurmë u pasua nga zgjedhjet pa ndonjë befasi të madhe. Pjesëmarrja e elektoratit në zgjedhjet e së Dielës (06.05.2012) me 60 për qind ishte relativisht e lartë. Përkundër krizës të rëndë ekonomike në vend dhe një sfidanti populist nga krahu i djathtë, partitë e deritanishme në pushtet fituan më shumë vota.

Partia Socialiste bashkëqeverisëse e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, ka arritur të dyfishojë pjesën e tyre të votave. Partia udhëhiqet nga zëdhënësi shumëvjeçar i Millosheviqit, Ivica Daçiq. Deri tani ministri i Brendshëm Daçiq gjatë fushatës para së gjithash ka kërcënuar: Kosovën me luftë, kompanitë e huaja me padi gjyqësore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) me dëbim, edhe pse FMN-ja edhe ashtu ka ngrirë marrëdhëniet me Serbinë.

Ivica Daçiq, lideri i socialistëve serbë
Ivica Daçiq, lideri i socialistëve serbëFotografi: picture-alliance/Photoshot

Daçiq - Me kërcënime drejt postit kryeministror?

Kjo politikë siç duket u tregua e suksesshme tek votuesit. Tani me këto rezultate bindëse, lideri i socialistëve Ivica Daçiq i ka vënë syrin postit të kryeministrit. Një sfidë e vështirë për demokratët liberalë të presidentit Boris Tadiq, i cili i ka bërë vetë të pranueshëm socialistët dhe i ka futur në qeveri. Boris Tadiqi shprehet megjithatë i bindur: "Unë mendoj se Serbia, të cilën do ta drejtoja unë si president, do të shkonte më shpejt drejt integrimeve evropiane. Kjo është një Serbi që nuk spekulon me sistemin e vlerave, një Serbi që nuk duhet të fshehet. Edhe presidenti i Republikës nuk duhet të fsheh politikën e tij, bindjet e tij, planet e dikurshme dhe aktuale të tij. Unë jam i bindur se kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët e Serbisë".

Tomislav Nikoliq - sfiduesi i Tadiqit
Tomislav Nikoliq - sfiduesi i TadiqitFotografi: dapd

Nikoliqi do të fitojë si evropian

Sfidanti i tij në raundin e dyë, në zgjedhjet e balotazhit për postin e presidentit është Tomislav Nikoliqi. Partia Përparimtare Serbe (SNS) e formuar nga Nikoliqi para tre vitesh e gjysmë edhe pse mori më pak vota se sa pritej është një forcë serioze në parlament. Pas dy javësh Tadiqi dhe Nikoliqi do të ndodhen përballë në balotazh për zgjedhjet presidenciale. Deri tani Nikoliqi ka humbur nga Tadiqi dy herë në zgjedhjet e balotazhit për postin e presidentit. Tani ai konkurron për herë të parë si evropian, ish-ultranacionalisti ka ndryshuar politikën e tij dhe dëshiron të fitojë kësaj radhe.

Pavarësisht kësaj pritshmëritë e votuesve nga qeveria e re dhe presidenti i ri janë të larta. Kjo më së miri kuptohet nga kjo deklaratë e një babai të tre fëmijëve ditën e zgjedhjeve në Serbi: "Ne kemi nevojë për një plan ekonomik, i cili do të luftonte krizën dhe korrupsionin. Në mënyrë që vendi ynë të rimëkëmbet sërish."

Autor: Karla Engelhard / Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi