1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia i thotë jo planit të BE-së për Kosovën

(dpa) A. Verbica8 Prill 2013

Presioni i kishës dhe nacionalistëve kundër marrëveshjes së Serbisë me Kosovën tregon rezultate. Serbia i thotë jo planit të BE-së.

https://p.dw.com/p/18BjK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ky vendim u parapri nga protesta masive të kishës ortodokse serbe, si dhe të mijëra nacionalistëve. "Ajo, që është propozuar, nuk mund të pranohet", tha kryeministri serb Ivica Daçiq të dielën (07.04.2013) në gazetën e Beogradit «Politika».

«Asnjë qeveri serbe nuk ka të drejtën apo mandatin, që të bjerë dakord me kushtet", thuhet një një letër të hapur të patriarkut Irinej drejtuar kreut të shtetit dhe të qeverisë. Rreth 3000 nacionalistë demonstruan në të njëjtën ditë në Beograd kundër një nënshkrimi nga vendi i tyre. «Absolutisht akush prej nesh (udhëheqjes politike) nuk ka menduar ndonjëherë, se mund të pranohet», tha Daçiq: «Propozimet janë nën minimumin e ëndrrave më të errëta, që mund të kishim imagjinuar." Dhe: "Edhe nëse do ta kishim nënshkruar, do të ishte e pamundur që të zbatohej një marrëveshje e tillë."

Ivica Daçiq, kryeministri i Serbisë
Ivica Daçiq, kryeministri i SerbisëFotografi: AP

Tre kushtet e Serbisë

«Premtimi i tyre më i rëndësishëm para dhe pas zgjedhjeve ishte që të mos e jepnin, tradhëtonin, apo ta shisnin Kosovën", tha patriarku duke iu drejtuar direkt presidentit të shtetit dhe qeverisë. Daçiq formuloi sërish tre kushte për miratimin nga Serbia të marrëveshjes: Pakica serbe në Kosovën e banuar pothuajse vetëm nga shqiptarët, duhet të ketë në dispozicion policinë dhe drejtësinë, kërkoi ai në një bisedë me gazetën «Politika». Gjithashtu duhet siguruar, që në zonën e banuar me serbë në veri të mos stacionohen forca të sigurisë të drejtuara nga qeveria në Prishtinë. «Ashtu siç na është ofruar , nuk kemi se ç'pranojmë», tha ai. Daçiq e kishte quajtuar që më parë propozimin «kapitullim» për vendin e tij. Ai si kryenegociator në tetë raunde negociatash me ndërmjetësimin e BE-së nuk ia doli që të arrijë një autonomi të zgjeruar për serbët. Në vend të kësaj serbët pas marrëvëshjes duhet të integrohen në shtetin e Kosovës. Në qoftë se Beogradi do të nënshkruante, do të shpërblehej nga BE-ja me fillimin e bisedimeve për pranim.