1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia kërkon seancë të KS kundër themelimit të FAK

Bahri Cani6 Mars 2014

Qeveria e Serbisë ka kërkuar një seancë urgjente të KS të OKB, kundër themelimit të Ushtrisë së Kosovës. Qeveria pohon se themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KS të OKB.

https://p.dw.com/p/1BLAr
Fotografi: picture-alliance/dpa/prismaarchivo

"Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, i cili është garant i Rezolutës 1244, mbetet rruga e vetme me të cilën ne mund të përpiqemi t'i mbrojmë interesat tona. Ne në Kosovë nuk kemi pushtet dhe nuk kemi forcën", deklaroi pas seancës së qeverisë serbe, ministri Aleksandar Vulin. Qeveria serbe kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun që të deklarohet për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Vulin shpreson që seanca e jashtëzakonshme do të mbahet me kërkesë të Serbisë duke shtuar se "Beogradi ka garanci të bashkësisë ndërkombëtare se forcat kosovare të sigurisë nuk mund të futen në veri të Kosovës, sepse kjo është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, e cila është arritur me insistimin e zëvendëskryeministrit Aleksandar Vuçiq".

Vulin tha se me Rezolutën 1244 të KS të OKB parashikohet që "në Kosovë të mos ketë ndonjë forcë tjetër të armatosur, përveç Kforit. Ndërkohë që tani Kosova do të krijojë ushtri".

"Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mund të ekzistojë vetëm sipas Rezolutës 1244, por nuk mund të kalojnë lumin Ibër dhe të futet në veri. Ndërsa Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) nuk guxojnë të ekzistojnë", pohon Vulin.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të martën e kaluar që të themelojë FAK e cila do të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 rezervë. Sipas disa burimeve anonime të agjencive të lajmeve, bashkësia ndërkombëtare është dakord me themelimin e saj, por duhet të saktësohen detajet. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ky vendim ka për qëllim ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetetit të Kosovës.

Shqetësime të tjera të qeverisë serbe

Qeveria e Serbisë pret një reagim të bashkësisë ndërkombëtare edhe sa i përket arrestimit të Oliver Ivanoviqit dhe serbëve të tjerë si dhe "vendimin skandaloz" që krerëve të Partisë Demokratike Serbe (Vojisllav Koshtunica me bashkëpuntorë) që t'u mos u lejohet futja në Kosovë. Po ashtu pret edhe dënimin e djegies së flamurit të Serbisë në kohën e mbajtjes së ndeshjes së parë miqësore të Kosovës me Haitin.

"Qeveria e Serbisë ëshët e shqetësuar shumë me përkqësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë. Ndërkohë që bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar", theksoi Vulin.

Zëvendëskryeministri Vuçiq ka bërë të ditur se së shpejti për forcat e armatosura të Kosovës do të bisedojë edhe me baroneshën Katherine Ashton. “Ka shumë gjëra që po ndodhin dhe që nuk janë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit”, u tha ai gazetarëve të mërkurën. Vuçiç tha po ashtu se Serbia do të bëjë gjithçka që mundet për të ndihmuar edhe Oliver Ivanoviqin.